Në polici thonë se janë duke i vazhduar hetimet dhe se për rastin tashmë është duke u marrë prokuroria e shtetit. Hoxha, bashkë me vajzën, familjen e vajzës janë intervistuar nga policia e Podujevës.
“Në kuadër të kompetencave tona, ne kemi marrë të gjithë hapat e nevojshëm drejt këtij rasti. Të gjitha deklaratat e palëve i kemi marrë dhe rastin me Urdhër Prokurorit të shtetit e kemi proceduar në Prokurorinë Themelore”, thonë nga policia e Podujevës.
Lënda nga drejtoria rajonale e policisë i ka kaluar menjëherë Prokurorisë Themelore, dega në Prishtinë të cilët me datë 12 korrik e kanë marrë lëndën për shqyrtim, shkruan Express.
Familja e vajzës: Hoxha i Sibovcit na e dhunoi vajzën
Familja e viktimës ka shpjeguar rreth ngjarjes. Nëna e V.I. thotë se vajza ndihet shumë keq emocionalisht.
Ajo thotë se hoxha i fshatit ia dhunoi vajzën.
“Na e kemi çu çiken në xhami për me msu, për me u fal. Unë e kam veç qet çikë. Çika tash i bën 19-vite. Vajza ka shku e ka ardhë në xhami. Asnjëherë se kemi ndalë. Po që vjen puna deri këtu se kemi besu. Ajo as 16-vjet si ka pasur kur ka ndodhë kjo ngjarje. Hoxha vajzës sonë ia ka prishë çikninë. Ajo është tutë me i kallxu vëllaut dhe babës. Kur ka shku në xhami çika ky ia ka pre rrugën e ka marrë në kerr. Çika i ka kallxu vëllaut duke qajtë. Cika para dy vjetve vike në shpi, kajke cdo herë, më thojke prej mësimeve”, tregon nëna e viktimës.
Në familjen e V.I. thonë se nuk do të ndalen deri në zbardhjen e këtij rasti.
Hoxha i Sibovcit: Dikujt po i pengon puna ime në xhami
Hoxha, Beqir Nuredini, ka më shumë se 25 vite që është imam në fshatin Sibovc të Komunës së Podujevës. Ai në një bisedë për Gazetën Express i ka mohuar akuzat e familjes së vajzës. Ka thënë se e ka njohur vajzën, por që asnjëherë me të nuk ka pasur diçka të tillë. Ai ka rrëfyer se si është njoftuar nga familja e vajzës rreth kësaj ngjarjeje.
Imami thotë se u kërcënua nga familja e vajzës.
“Me 9’tin është dita kur familja e çikës më kanë ardhë të shpia. Familja ime e ka ditë që unë kam qenë në Podujevë. Kanë qenë në shtëpi, gruaja ua ka dhënë numrin. Më thirrën në telefon ata dhe lam takim. Unë nuk i njihja se kush janë. Kur u takova me ta, njëri nga dy personat nuk më përshëndeti, dhe më tha e kam lënë plumbin te shtëpia për ty. Unë i thash personit tjetër që ishte a bën me më tregu se çka po ndodhë. Më tha, Hoxhë këtij i ka thënë motra e tij që ti e ke dhunu. Mu dok se qielli më ra. Unë ju thash a më njihni dhe sa më njihni. Unë jam që 25 vite imam. Ju thashë unë jam i interesuar që të bisedoj me prindin e juj”, tregon për takimin me familjen e vajzës, hoxha i Sibovcit.
Hoxha, Beqir Nuredini
Ai thotë se e ka njoftë vajzën. Ajo disa kohë kishte ndjekur ligjërata në xhaminë ku Nuredini është imam.
”Këtë çikën e kam njoftë. Jemi taku te xhamia, aty kjo ka ardhë me mesim. Unë që 5 vite e gjysmë nuk i mësojë nxënësit në xhami aty. I mëson Anita Gërguri. Ne para dy viteve kemi ba dua të hatmes. V.I’së i kishte thanë Anita që mos me ba duanë, se aty duhet me ditë me lexu Kur’anin. Vajza më ka thanë mu që Anita nuk po e lë me u përgatitë për dua të Hatmes. Unë i thash Anitës që nuk është e përgatitur shumë për dua. Unë i thash është mirë me e marrrë me përgaditë. Anita këto ditë më tha që e ka përzënë nga xhamia pasiqë nuk e respektonte kodin e veshjes”, tregon hoxha.
Ai thotë se është ftuar nga policia rajonale e Podujevës për të dhënë deklarata rreth kësaj çështjeje. Por imami i Sibovcit, thotë se kjo punë po i bëhet qëllimisht nga persona të caktuar vetëm për ta njollosur punën e tij prej imami.
“Unë po dyshoj që dikush për shkak të punës së jashtëzakonshme që e bëj unë në xhami po më bëhen këto gjëra. Dikush nuk po e do punën time. Ma kanë bërë me qëllim. Unë të gjithë ata që kanë shpifë, janë të kyçur në këtë punë, unë do t’i denoncojë. Unë nuk kom asnjë arsye t’i bëjë këto gjëra. Unë kam grua e fëmijë. Kjo është marria më e madhe që mundet dikush t’i bëjë dikujt. Unë iu kam dorëzu policisë”, thotë hoxha.
Ai thotë se për këtë punë i ka treguar edhe xhematit të xhamisë në të cilën ai është imam.
“Unë për rastin ju kam tregu edhe xhematit të xhamisë ku unë jam imam. Unë ia kam lënë shtetit këtë punë. Po e pres shtetin. Unë jam ndi i kërcënuar nga familja e vajzës. Unë e kam denoncu në polici familjen e vajës për kërcënim”, tregon tutje Beqir Nuredini.
BIK: Ne jemi të kënaqur me punën e imamit, nesër marrim vendim për të
E për gjithë këtë ngjarje është e njoftuar Bashkësia islame në komunën e Podujevës. Këta të fundit nesër do të mbajnë mbledhjen e këshillit ku do të diskutojnë për hapat të cilët do t’i marrin rreth kësaj ngjarjeje.
Kryemimami në Podujevë, Bekim Jashari tha se për këtë punë është njoftuar nga vet imami, Beqir Nuredini.
“Unë për këtë çështje jam informuar nga vet imami. Që një familje e akuzon atë për këtë që po e thoni edhe ju. Imami ka qenë jashtëzakonisht korrekt dhe i matur. Më ka njoftu edhe mua si kryemiman edhe kryetarin. Ne këtë çështje e kemi marrë shumë shqetësuese”, thotë Jashari.
Ai tregon se BIK në Podujevë është i kënaqur me punën e Imamit.
“Ai është një nga imamët shumë aktiv në detyrën të cilën e kryen në fshatin e tij ku ka 25 vite që e ushtron atë detyrë. Ne që nga koha që është imam nuk kemi asnjë ankesë për të nga xhemati i tij. Për këtë arsye e gjithë situata është befasuese”, thotë kryeimami në Podujevë.
Por ai nuk ka treguar nëse BIK-u do të marrë masa ndaj imamit. Thotë se me këtë punë merret prokuroria.
“Ne e kemi Këshillin e Bashkësisë Islame. Unë zotohem se Bashkësia Islame e Podujevës do të veprojë konform asaj që duhet, ne nuk e shpallim fajtorin. Ne jemi të kënaqur me punën e imamit. Ankesa për hoxhën vjen nga një familje e cila nuk është pjesë e xhematit të tij. Akuza ndaj hoxhës i shkon nga një fshat tjetër. Imami i ka mbikqyrë mësimet në xhami, por mësimet i ka mbajtur një vajzë”, tregon ai.
E me gjithë këtë çështje është duke u marrë Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Partia Social Demokrate tërhiqet nga negociatat e qeverisë n...
Kurti: Mbrojtja e burimeve ujore dhe rritja e kapaciteteve t...
FIFA pajtohet me vendimin e Arabisë Saudite për të ndaluar a...
Aliu: Trafiku ajror në Prishtinë funksionon pa ndërprerje fa...
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...
Putin: Jemi gati për “duel” raketor me SHBA