Ilir Ferati, kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut

21:51 | 24 Korrik 2021
Arditë Shkodra

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që Ilir Ferati të jetë kandidati i tyre për kryetar të Istogut.

Këtë e ka konfirmuar anëtari i LDK’së, Shkëmb Manaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.

Manaj tha se do të përkrahë vendimin e LDK’së që Ferati të kandidojë për kryetar, madje premtoi se do të mbështesë fuqishëm.

Istogu ka qenë historikisht bastion i LDK’së, ku Haki Rugova ka qeverisur për disa mandate. Ky i fundit ishte arrestuar vitin e kaluar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“…unë mbështes vendimet e familjes tonë politike – LDK, prandaj me gjithë kapacitetin tim, do të jem fuqishëm në krah të Ilirit për ta fituar këtë garë”, ka theksuar Manaj.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Manajt.

LDK vendosi: Ilir F. Ferati do të jetë kandidati ynë dhe kryetari i ardhshëm i Komunës së Istogut.

Nga edukimi im familjar dhe nga mënyra se si funksionoi në angazhimin tim politik dhe në jetën publike, unë mbështes vendimet e familjes tonë politike – LDK, prandaj me gjithë kapacitetin tim, do të jem fuqishëm në krah të Ilirit për ta fituar këtë garë.

Se bashku me Ilirin, me strukturat e Degës dhe me veprimtarët e aktivistët tonë gjithandej, do të jemi të angazhuar çdo ditë, në secilën shtëpi, lagje e fshat, për ta prezantuar platformën programore për zhvillimin e Istogut dhe ruajtjën e frymes dhe trashëgimisë tonë politike të Ibrahim Rugoves, të Shaban Manajt, të Fadil Feratit e shumë veprimtarëve tjerë që shkrinë jetën e tyre për Kosovën.

Iliri me ekipin e tij të ardhshëm, qëllim parësor duhet dhe do ta kenë angazhimin permanent që t’ju shërbejnë me nderë qytetarëve të Komunës së Istogut, sepse ata e mëritojnë këtë. NE do të kërkojmë vazhdimisht përgjegjësi nga ky ekip.

Së bashku për fitoren e madhe!

Na priftë e mbara!

Të ngjashme