Ilir Deda do të mbetet ish-deputet. Ai ka vendosur që të mos garojë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6 tetor.
Në një shkrim të gjatë në profilin e tij, Deda ka listuar disa prej arsyeve që e kanë shtyrë të marrë një vendim të tillë.
Ai thotë se i është ofruar një mundësi që të jetë pjesë e listave, por thotë që ka vendosur të mos dalë kundër bindjeve të tija politike.
“Edhe pse më është ofruar hapësirë në disa lista zgjedhore – dhe i falënderoj të gjithë ata që u munduan të më bindin të bashkohemi – unë nuk dua të punoj kundër bindjeve të mia. Kjo nuk do të thotë që do ta përfundoj angazhimin tim publik, si qytetar dhe aktivist politik. Thjeshtë, refuzoj të bëhem pjesë e “lojës” ku rezultati i kërkuar – ndryshimi thelbësor që e dua – nuk besoj që do të arrihet në zgjedhjet e radhës. Dhe, rrjedhimisht nuk shoh vlerë që të marr pjesë në to”, ka shkruar Deda.
Shkrimi i tij plotë:
TRIUMFI I INTERESIT PARTIAK, MUNDËSIA E HUMBUR dhe MOSKANDIDIMI IM NË KËTO ZGJEDHJE
Me 8 dhjetor 2018 e kam paralajmëruar mundësinë e moskandidimit tim në zgjedhjet e radhës. Ndër të tjera thash se “elita politike në pozitë e opozitë, e verbëruar nga konfliktet personale, nuk do që të jep përgjegje e të marr përgjegjësi për Republikën tonë të Kosovës. Në vend se të jetë fitorja politike e Kosovës prioritet, te ne është më e rëndësishme fitorja partiake individuale. Prandaj, unë refuzoj të jem pjesë e kësaj lloj politike, esencialisht primitive dhe skajshmërisht të papërgjegjshme”.
Zgjedhjet e 6 tetorit mund të ishin mundësi për transformim rrënjësor politik të Kosovës. Të tilla nuk do të jenë. Këto zgjedhje po shndërrohen në përplasje militantësh në një anë dhe tentim për mbijetesë politike në anën tjetër. Nuk po tregohet, përsëri, përkushtimi maksimal e serioz politik për ndryshim thelbësor, e përgjegjës për këtë janë sidomos të gjithë që do të flasin për “ndryshim”.
Opozita e deri djeshme fitoren bindëse e ka pasur të garantuar nëse bashkohet, dhe me një agjendë qeverisëse reformuese e transformuese të nxirrej Kosova nga humnera në të cilën është. Në vend të kësaj, përsëri, shkohet ndaras, gjë që sipas bindjes time nuk e sjellë ndryshimin e domosdoshëm. Në vend të interesit të Kosovës, triumfoi interesi partiak dhe i pozicionit të individëve brenda partisë.
Në betejën e shkurtëpamësisë politike unë nuk kam çka kërkoj. Kush i fiton 2-3% më pak a më shumë nuk është agjendë shtetndërtuese, por është përpjekje e mbijetesës politike, pa projekt reformues, mbijetësë kjo që tanimë ka arritur kulmet e hipokrizisë.
Në përpjekjet dhe luftën time për një vend në të cilin mbizotëron liberal-demokracia dhe qeverisja e mirë, të cilin e kam bërë me aq sa kam ditur e mundur dhe ndershëm, jam udhëhequr vetëm nga bindjet e mija, e jo nga oportunizmi apo kalkulimet. Oportunizëm do të ishte pjesëmarrja tash në zgjedhje.
Jam udhëhequr nga bindja se për politikë të re duhen individë të formuar që e krijojnë grupin politik të fortë, e jo militantë; se me rëndësi është projekti politik dhe zgjidhjet e ofruara, e jo pozicionimi individual. Nuk e kuptova që kjo bindje bie ndesh me realitetin politik në Kosovë, apo e kuptova shumë vonë. Kjo më së miri e përshkruan pse gjithë ato figura që veprojnë në bazë të vlerave liberal-demokrate nuk janë bashkë, por të shkepur gjithandej – si të djathtë apo të majtë, opinionistë e aktivistë.
Padyshim që kam bërë gabime në rrugëtimin tim politik, por këto gabime më kanë dëmtuar mua, e jo Republikën e Kosovës apo popullin tonë. Tash është koha për bilans si konsekuencë e mossuksesit në arritje të rezultateve për një standard e vizion politik që e kërkoj dhe promovoj me ngulm, dhe si rrjedhojë e respektoj vetë.
Edhe pse më është ofruar hapësirë në disa lista zgjedhore – dhe i falenderoj të gjithë ata që u munduan të më bindin të bashkohemi – unë nuk dua të punoj kundër bindjeve të mia. Kjo nuk do të thotë që do ta përfundoj angazhimin tim publik, si qytetar dhe aktivist politik. Thjeshtë, refuzoj të bëhem pjesë e “lojës” ku rezultati i kërkuar – ndryshimi thelbësor që e dua – nuk besoj që do të arrihet në zgjedhjet e radhës. Dhe, rrjedhimisht nuk shoh vlerë që të marr pjesë në to.
Besoj që ky vendim i imi personal është më i ndershmi edhe ndaj përkrahësve të mi, të cilët i falenderoj nga zemra për përkrahjen e vazhdueshme që ma kanë dhënë dhe nga të cilët kërkoj mirëkuptim.
(Fund).
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...