“Ikja jashtë shtetit ose adaptimi me gjendjen e keqe po i rrënojnë alternativat e reja”

18:44 | 24 Mars 2019
Arbresh.info

Ka humbur shpresa se gjërat mund të ndryshohen. Prandaj, qytetari i Kosovës po adaptohet ose po ik nga vendi. Sistemi i vlerave ka rënë përtokë. Si rrjedhojë, politika të depolitizon; shëndetësia të mbyt; arsimi të bën të padijshëm; gazetaria të dezinformon; shoqëria civile të deqytetarizon; ekonomia të varfëron; gjyqësia të bën padrejtësi; feja të bën pabesimtar. Me një fjalë, s’ka reagim qytetar pasi pushteti e ka rrënuar dinjitetin njerëzor. Sociologu Ardian Gola përgjigjet për Express.

Ardian Gola është sociolog dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Merret me teoritë sociale postmoderne. Ligjëron për shkencën, teknologjinë dhe shoqërinë e edhe për sociologjinë e religjionit.

Gola po e sheh si problemin më të madh ikjen e njerëzve jashtë Kosovës si pasojë e degradimit të shtetit. Po thotë se kosovarët kanë mundësi të krijojnë alternativa për t’i dalë përballë spektrit aktual politik. Por, thotë se e kanë humbur besimi për ndryshim, prandaj është zgjedhur rruga e adaptimit ose e ikjes.

“Në Kosovë ka potencial për alternativa të reja politike dhe për nisma të njëmendta qytetare, por ai po ikën jashtë. Humbja e shpresës për ndryshim të sistemit është zëvendësuar me kultivim të shpresës për integrim në sistem. Qytetari i Kosovës nuk beson më se gjërat mund të ndryshohen, prandaj ai ka zgjedhur të adaptohet ose të ikë”, vlerëson Gola, në një intervistë me shkrim për Gazetën Express.

Ai përmend disa faktor pse shoqëria kosovare ka rënë kaq poshtë.

“Pra, me pak fjalë, mungesa e qytetarisë, dhunimi i dinjitetit, frika nga imazhi i keq, adaptimi me rregullat e lojës, prodhimi politik i varfërisë dhe ikja nga vendi janë disa nga burimet e stërkeqjes së realitetit në Kosovë”, konstaton profesori universitar.

Ai konsideron se shoqëria po e përjeton rrënimin dhe komprometimin e vlerave dhe sistemit të tyre, duke filluar nga politika, shëndetësia, arsimi, gazetaria, ekonomia, feja e gjyqësia.

“Të gjitha vlerat janë zhveshur nga shenjtëria dhe kuptimi. Ato janë kthyer në të kundërtën e tyre. Politika të depolitizon. Shëndetësia të mbyt. Arsimi të bën të padijshëm. Gazetaria të dezinformon. Shoqëria civile të deqytetarizon. Ekonomia të varfëron. Gjyqësia të bën padrejtësi. Feja të bën pabesimtar”, ka shtuar ai.

Së fundmi ka shpërthyer skandali i punësimeve partiake e nepotisate. Ende s’ka pasur asnjë reagim qytetar. Nuk janë organizuar protesta dhe nuk ka pasur reagim qytetar, përpos mllefit që po shfaqet nëpër rrjete sociale. Aty po përfundon gjithçka.

Ardian Gola ka një shpjegim se pse po ndodh një heshtje e tillë.

“Qytetarët e Kosovës nuk janë duke e përjetuar veten si pronarë të shtetit. Përkundrazi, në vetëdijen e tyre Kosova është shndërruar në plaçkë potenciale. Mënyra më e efikase e plaçkitjes është anëtarësimi në formacione politike, të cilat kanë pervertuar në agjenci të punësimit nepotist e partiak”, thotë profesori i Universitetit të Prishtinës.

Pikërisht punësimet partiake nga fillimi i ndërtimit të shtetit, sipas Golës, janë faktori kryesor pse njerëzit po hyjnë nëpër parti politike për t’u bërë klientë.

“Në fakt, duket se të tilla kanë qenë prej fillimit. Qyshdoqoftë, kjo është edhe arsyeja pse njerëzit po bëhen gjithnjë e më partiakë. Por ky partiakizim i vetëdijes nuk është politik, por klientelist. Për pasojë, paradoksalisht vetëdija e partiakizuar perverton në vetëdije të depolitizuar”, ka shtuar ai.

Sipas tij, vetëdija apolitike nuk mund të jetë tjetër përpos se vetëdije joqytetare.

“Rrjedhimisht, në Kosovë kemi klientë, partiakë, familjarë etj., por jo qytetarë”, thekson Gola.

Familjarët e udhëheqësve të shtetit janë punësuar nëpër institucionet më të rëndësishme të shtetit. I kanë uzurpuar vendet e punës në Bankë Qendrore, Qeveri, ministri e ndërmarrje publike. Kohëve të fundit ka shpërthyer skandali i punësimeve pa konkurs në Telekom, një kompani gati e falimentuar.

Disa po arsyetohen se iu ka ardhur dita dhe po bëjnë punësime. Po marrin shembuj se si edhe të tjerët, posa kanë marrë pushtetin, kanë bërë edhe më keq. Po arsyetohen se e keqja e tyre është më e vogël se e të tjerëve. Kryeministri Ramush Haradinaj tha se veç një për qind e të punësuarve në shtet janë të partisë së tij.

Ardian Gola shpjegon se pse qytetarët e Kosovës nuk irritohen për punësimet partiake e nepotiste.

“Ngase, për shembull, punësimi nepotist nëpër institucione nuk e irriton qytetarin e Kosovës për shkak se me këtë veprim cenohet neutraliteti i këtyre institucioneve në raport me përkatësitë e ndryshme familjare e partiake ose çfarëdo përkatësie tjetër, por për shkak se ai ende nuk e sheh veten brenda atyre forcave, të cilat do t’ia mundësonin të punësohet në atë mënyrë. “Duhet me pasë krah”, “duhet me pasë t’njohshëm”, “duhet me pasë najkon t’fortë n’parti”, “pse s’po hyn në një parti?” etj. janë udhëzime praktike që qarkullojnë vrullshëm në bisedat e përditshmërisë kosovare. Si të tilla, këto fraza e shprehin më së miri dështimin spektakular të ndërtimit të qytetarisë”, ka shtuar ai.

Protesta dhe reagim qytetar s’ka pasur prej marsit të vitit 2004, kur kishte shpërthyer një revoltë qytetare me motive etnike. Kishte pasur të vrarë e të plagosur.

Por, 15 vjet më vonë, Ardian Gola thotë se pushteti vendor dhe pushteti ndërkombëtar e kanë dhunuar dinjitetin njerëzor dhe e kanë ndërtuar idenë që të mos ketë protesta dhe dhunë.

“Por mungesa e rebelimi në Kosovë nuk lidhet vetëm ose domosdoshmërish me kategoritë moderne të politikës dhe qytetarisë. Aq shumë ka degjeneruar realiteti politik dhe shoqëror, saqë do të mjaftonte të jetë e pranishme edhe një dozë minimale e dinjitetit njerëzor që të shpërthente si protestë, madje e dhunshme. Mirëpo, dy dekada të qeverisjes ndërkombëtare dhe vendore të Kosovës kanë qenë dhunim sistemor dhe sistematik i dinjitetit njerëzor”, ka shtuar ai.

Ai e merr shembullin e mosreagimit qytetar edhe ndaj miliona eurove të dhëna për rrymën e vjedhur në Veri si fakt se qytetarëve iu mungon dinjiteti njerëzor.

“Prandaj njerëzit përzgjedhin zgjidhje të lehta edhe nëse nuk janë dinjitoze”, konstaton Gola.

Sipas tij, pushteti është kujdesur për gjithë këto vite që shqiptarët të besojnë se duhet ta ruajnë qetësinë, të përmbahen nga dhuna sepse pason ndëshkimi ndërkombëtar. Gjithë kjo qetësi është mbajtur në kurriz të qytetarit.

“Meqenëse protestat në nënvetëdijen e qytetarëve të Kosovës vazhdojnë të lidhen me eskalim, tension, vandalizëm etj., atëherë është kërkuar me ngulm vetëpërmbajtje nga to, duke e harruar faktin se shumë herë dhuna nuk tregon për mungesë të qytetarisë, por për praninë intensive të padrejtësisë së pushtetit”, ka thënë Gola.

Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër në Ballkan e Evropë. Papunësia është mbi 30 për qind. Rezultatet ndërkombëtare në shumë fusha e qesin keq Kosovën. Rezultatet ndërkombëtare në arsim e kanë nxjerr Kosovën të fundit për të keq. Një pjesë e pacientëve kosovarë shërohen në Maqedoni, Turqi e vende tjera të botës. Për çdo ditë, qindra njerëz po largohen nga Kosova për në vendet e BE’së. Viteve të fundit kanë rënë investimet e huaja. Nuk janë hapur vende të reja pune në sektorin privat, përveç punësimeve në institucione shtetërore.

Sociologu Gola thotë se njerëzit e varfër më lehtë kontrollohen, ndërsa si pasojë politikave të mbrapshta është rrënuar edhe pasuria publike.

“Varfëria nuk është vetëm gjendje ekonomike. Ajo është teknikë politike e qeverisjes. Është e vërtetë se Kosova është e varfër për shkak të keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit të pasurisë publike. Por e vërteta është se duke i mbajtur njerëzit të varfër, i mban edhe më lehtë nën kontroll në saje të punësimit selektiv. Kur njerëzit mbështeten për muri financiarisht, atëherë blihen më lehtë”, ka vlerësuar Ardian Gola.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme