Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin analitik: “Dështimet në rastet e shënjestruara”, raporton arbresh.info.
Ky raport përfshin gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet lidhur me procesin dhe trajtimin e rasteve të shënjestruara nga sistemi i drejtësisë që nga fillimi i këtij procesi (dhjetor 2015) e deri në maj 2019.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së, tha se sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor kanë dështuar në trajtimin e rasteve të shënjestruara. Sipas Miftarajt, vetë procesi i shënjestrimit nuk ka qenë në përputhje me Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) të miratuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), pasi janë shënjestruar raste të cilat nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara me këto PSV.
Miftaraj tha se qëllimi i shënjestrimit të rasteve të krimeve të rënda, ka pasur për qëllim final, konfiskimin e pasurive të përfituara përmes aktivitete kriminale, gjë e cila nuk ka ndodhur, pasiqë nuk ka asnjë rezultat në këtë drejtim.
Medina Kadriu, hulumtuese në IKD, tha se prej dhjetorit 2015 deri në qershor 2019, janë shënjestruar 51 raste, në të cilat janë përfshirë 372 persona. “Edhe përkundër faktit se shënjestrimi i rasteve kishte për qëllim trajtimin e këtyre rasteve me prioritet, nga monitorimi dhe hulumtimi i IKD-së rezuton se në mbi 90% të rasteve të shënjestruara gjykatësit shkelin afatet ligjore të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale”.
Sipas saj, joefikasiteti në trajtimin e këtyre lëndëve dëshmohet nga trajtimi i tyre prej dhjetorit 2015 deri në fund të muajit maj 2019, në të cilën periudhë, rezulton se vetëm 39% e rasteve apo 15 lëndë kanë përfunduar me aktgjykim përfundimtar, ndërsa 61% apo 23 lëndë të tjera janë akoma në proces në shkallë të ndryshme gjyqësore.
“Nga 23 rastet që janë në proces, (10) prej tyre janë duke u trajtuar në shkallë të parë, nëntë (9) prej tyre kanë përfunduar në shkallë të parë por gjenden në procedurë ankimore, ndërsa katër (4) lëndë të tjera janë kthyer në rigjykim”, tha Kadriu.
Në anënën tjetër Leotrim Gashi, hulumtues në IKD, ka prezantuar pjesën e procedimit të këtyre rasteve të shënjestruara në sistemin gjyqësor.
“Karakteristikë tjetër në trajtimin e këtyre rasteve përbën fakti se shumica e lëndëve të shënjestruara janë duke dështuar që të përfundojnë me aktgjykime dënuese dhe konfiskim të pasurisë. Nga 15 rastet e gjykuara me aktgjykim përfundimtar, ku janë përfshirë 48 persona të akuzuar, 34 persona apo 71% të tyre, janë liruar nga gjykatat, ndërsa 14 persona apo 29% të tyre, janë dënuar. Politika e dënimeve ndaj këtyre 14 personave nuk është adekuate dhe përmes saj nuk arrihet qëllimi i dënimit. Nëntë prej të akuzuarve janë dënuar me burgim efektiv, ndërsa 5 të akuzuar janë dënuar me gjobë.”
Gashi tha se profili i personave të akuzuar në këto raste dominohet nga profili i ulët dhe profili i mesëm, ndërsa ka pak të profilit të lartë. “Për më tepër, në këto 15 raste të përfunduara m aktgjykim të formës së prerë nuk ka asnjë person që i takon profilit të lartë që është dënuar, të gjithë janë liruar”.
Tutje, Gashi tha se në të gjitha këto raste, pasuria e konfiskuar është zero.
“Ka raste kur ka pasur konfiskim të pasurisë në raport me mjetet e kryerjes së veprave penale, të cilat mjete në vetvete paraqesin rrezikshmëri shoqërore. Por, në asnjë rast nuk kemi pasur konfiskim lidhur me veprat penale për të cilat personat e përfshirë në këto raste janë akuzuar apo janë dënuar”.
Ndryshe, në korrik të vitit 2014, KPK kishte miratuar “Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) për Përzgjedhjen e Shënjestrave të Krimeve të Rënda dhe Bashkëpunimin Ndërinstitucional”.
Përmes tyre, institucionet që zbatojnë ligjin në Kosovë synonin që përmes koordinimit dhe bashkëpunimit reciprok të parandalonin, zbulonin, hetonin dhe gjykonin kryesit e veprave më të rënda penale, e që për qëllim final kishin sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar përmes veprave penale.
Një vit pas KPK-së, KGJK, më 30 dhjetor 2015 kishte nxjerrë vendim me të cilin obligonte kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët e çështjeve që të gjitha rastet që vijnë nga prokuroria dhe kanë shenjën “LV” [Liberalizim i Vizave], të trajtohen me prioritet absolut.
Prej dhjetorit 2015 deri në qershor 2019, janë shënjestruar 51 raste, ku prej tyre, 36 raste i takojnë natyrës korruptive, ku përfshihen 206 persona, ndërsa 15 raste të tjera ku përfshihen 166 persona i takojnë natyrës së krimit të organizuar apo gjithsejt 372 persona. Rasti i parë i shënjestruar ishte aktakuza ndaj Kryetarit të OSHP-së, “Hysni Hoxha dhe të tjerëve” e ngritur më 4 dhjetor 2014, ndërsa rasti i fundit i shënjestruar, është aktakuza e “Veteranëve” e ngritur më 7 dhjetor 2018.
Nga analiza e IKD-së, rezulton se mekanizmi për shënjestrimin e rasteve të krimeve të rënda për liberalizimin e vizave vazhdimisht ka shkelur kriteret e përcaktuara në Procedurat Standarde të Veprimit me rastin e shënjestrimin të rasteve. Shumë lëndë të shënjestruara nuk i plotësojnë krieteret e PSV-ve, ndërsa shumë lëndë, të cilat i plotësojnë kriteret për shënjestrim nuk janë shënjestruar.
Rastet më reprezentative që dëshmojnë se Prokurori i Shtetit shënjestron raste që për qëllim primar kanë rritjen e numrit të rasteve të shënjestruara dhe jo arritjen e qëllimit për të cilin është themeluar mekanizmi i trajtimit të rasteve të rënda, janë rastet si “Avokati 2” ku i akuzuar ka qenë një zyrtar komunal dhe ku vlera e dëmit të shkaktuar ndaj komunës së Gjakovës ka qenë një pronë me sipërfaqe prej 16 ari.
Në këtë rast kemi pasur të dënuar një avokat komunal, i cili është liruar për dy vepra penale të korrupsionit, ndërsa për një vepër tjetër korruptive është dënuar me gjobë në vlerë prej 2000 eurove. Në këtë raport janë përfshirë edhe shumë raste të njëjta, të cilat janë identifikuar dhe elaboruar deri në detaje.
Përderisa, fokusi i Prokurorit të Shtetit është përqëndruar në raste shënjestrimin e rasteve që nuk përkojnë me qëllimin e PSV-ve, ky institucion ka injoruar rastet, të cilat hyjnë në kuadër të veprave penale të rënda dhe ku dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës apo qytetarëve të saj kalon vlerën me dhjetëra apo qindra miliona euro dhe ku mundësia për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë së tillë të fituar me veprimtari kriminale është shumë e madhe.
Karakteristikë është fakti se Prokurori i Shtetit gjatë shënjestrimit të rasteve të rënda, ka amnistuar persona të profilit të lartë, të cilët vijnë nga politika apo kanë lidhje të fuqishme politike, edhe përkundër faktit se të njëjtit akuzohen nga Prokuroria për vepra penale të krimit të organizuar, korrupsionit, mashtrimit, etj.
Ndër rastet më reprezentative, që i plotësojnë kriteret e PSV-ve, por të cilat nuk janë shënjestruar janë rastet si: “Toka”, “Ukë Rugova dhe të tjerët”, “Qemajl Mustafa dhe të tjerët”, “Pal Lekaj dhe të tjerët”, “Pronto”, etj.
Prej 51 rasteve të shënjestruara, rezulton se janë 38 aktakuza, tetë (8) raste nën hetime, në katër (4) raste kanë pushuar hetimet, ndërsa në një (1) rast janë pezulluar hetimet.
Problematikë tjetër që ka ndikuar në mos efikasitetin dhe ekonomizimin e tyre rasteve të shënjestruara ka qenë ndryshimi i shpeshtë qoftë i prokurorëve që kanë përfaqësuar aktakuzën, ashtu edhe me ndryshimet e kryetarëve të trupit gjykues, ndryshime të cilat kanë ndikuar në zvarritje dhe moszgjidhje të këtyre lëndëve. Vlen të theksohet rasti “Dëmi”, në të cilin deri tash janë ndryshuar tre kryetar të trupit që ka ndikuar që edhe pse janë mbajtur 19 seanca gjyqësore, ky rast tash do të gjykohet nga pika zero./Arbresh.info
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...