Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) sot ka publikuar analizën e Draftit të Koncept-dokumentit për Ndihmë Juridike falas.
Në fillim të prezantimit të kësaj analize, Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj tha se IKD si organizatë që ofron ndihmë juridike falas e ka parë shumë të rëndësishme që te jep kontributin e vet me qëllim që kjo fushë të jetë në harmoni me standardet ndërkombëtare, që u siguron mbrojtje efektive grupeve të margjinalizuara ku hyjnë individët me të ardhura të ulëta, minoritetet, viktimat e dhunës në familje dhe të tjerë.
Këtë analizë dhe gjetjet që kanë dal nga kjo, u prezantuan nga Hulumtuesja e Lartë dhe Koordinatorja e Qendrës për Ndihmë Juridike falas të IKD-së, Arrita Rezniqi.
Fillimisht u tha se IKD nuk e konteston nevojën për përmirësimin e sistemit të ndihmës juridike falas, por konsideron se një reformim strukturor siç propozohet në Draftin e Koncept-dokumentit, është i panevojshëm dhe mund të ndikojë në qëndrueshmërinë e këtij mekanizmi kaq të rëndësishëm, me theks të veçantë për grupet e ndjeshme të qytetarëve të Kosovës.
Sipas analizës së IKD-së, opsioni që del si propozim nga Drafti i Koncept-dokumenti, konsiston në implikime të mëdha në reformimin strukturor, por mbi të gjitha në atë ligjor, e po ashtu edhe në aspektin kohor të zbatimit të reformës. Reformimi strukturor në situatën aktuale është i panevojshëm dhe kjo nuk argumentohet mjaftueshëm as në Draftin e Koncpet-dokumentit. Madje, Drafti nuk ndjek një qasje të paanshme në raport me opsionet e prezantuara. Ndërsa, pasiguritë e identifikuara përgjatë përmbajtjes së tij, nuk arrijnë të bindin që reforma do të jetësohet, por që thjesht që do të fillojë të testohet.
“Përmbajtja e Draftit të Koncept-dokumentit ndër të tjera duket se synon që të realizojë një standardizim të kritereve të pranueshmërisë për të gjitha llojet e asaj që quan ndihmë juridike falas. Pra, një unifikim të mekanizmave institucional aktual në një mekanizëm të vetëm që ofron ndihmë juridike falas. IKD në analizë e bërë konstatoi se ky qëllim sado që në pamje të parë jep përshtypjen e një qëllimi legjitim, megjithatë nuk mund të adresohet me ndryshime ligjore siç paraqiten në Draftin e Koncept-dokumentit, pasi që duhet reflektuar dallimin në mes të konceptit të mbrojtjes falas në aspekt procedural, me atë të ndihmës juridike falas në aspekt material. Krahas kësaj, IKD ka paraqitur që unifikimi i përcaktuar sipas Strategjisë për Sundimin e Ligjit nuk nënkupton shkrirjen e mbrojtjes falas dhe ndihmës juridike dhe interferimin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) në procedurë penale, duke kërkuar që ky term të mos nxirret nga kuptimi burimor i tij dhe infrastruktura ligjore në Kosovë.”, thuhet në njoftimin e IKD-së.
IKD po ashtu ka gjetur se ndryshimi i propozuar në Draftin e Koncept-dokumentit që përgjegjësia për pagesën dhe kontrollin e cilësisë për të gjitha format e ndihmës juridike të financuar nga shteti, t’i transferohen ANJF-së, do të përbënte cenim të pavarësisë funksionale të sistemit të drejtësisë. Për çka nënkuptohet se me këto veprime kemi shkelje kushtetuese. Kjo për shkak se në rastet kur gjykata do të vendosë për veprime procedurale – konkretisht për (mos) nevojën për caktimin e një mbrojtësi me shpenzime publike, në rast se përgjegjësia për pagesën dhe kontrollin e të gjitha formave të ndihmës juridike të financuar nga shteti do t’i transferohen ANJF-së, i bie se në zinxhirin vendimtar dhe përfundimtar, vendimmarrës është Qeveria ajo e cila duhet të “aprovojë” çdo propozim të Gjyqësorit. Për këtë çështje IKD kanë prezantuar edhe një rast analog (vendimin për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat në Sektorin Publik), kur Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar se kjo është në kundërshtim me nocionin e pavarësisë institucionale, funksionale dhe organizative të Gjyqësorit.
IKD ka kërkuar që reformimi i ndihmës juridike falas të përfshijë edhe çështjen e politizimit të ANJF, duke e cilësuar si të gabuar kalimin e ANJF-së në Ministrin e Drejtësisë. Të gjitha këto IKD i ka paraqitur në analizë bazuar në dokumentet burimore, gjegjësisht Dokumentin lidhur me Qasjen në Drejtësi, i hartuar në kuadër të Rishikimi Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit në Kosovë. Po ashtu edhe bazuar në standardet ndërkombëtare, përkatësisht, Parimet dhe Udhëzimet e Kombeve të Bashkuara për Qasjen në Ndihmë Juridike në Sistemet Juridike Penale, ku përcaktohet se për të siguruar zbatimin efektiv të skemave të ndihmës juridike, shtetet duhet të konsiderojnë krijimin e një organi ose autoriteti të ndihmës juridike për të ofruar, administruar, koordinuar dhe monitoruar shërbimet e ndihmës juridike. Një organ i tillë duhet të jetë i lirë nga ndërhyrjet e panevojshme politike, të jetë i pavarur nga qeveria në vendimmarrje në lidhje me ndihmën juridike dhe të mos jetë subjekt i drejtimit, apo kontrollit financiar të ndonjë autoriteti.
Sa i përket sigurimit të cilësisë së ndihmës juridike falas, IKD ka argumentuar në analizën e vet se fuqizimi i mekanizmave aktual, pra përfshirë mekanizmin disiplinor brenda OAK-së, ekzistimi dhe funksionalizimi i Zyrës koordinuese brenda OAK-së në raport me ANJF-në dhe në raport me caktimin e avokatëve ex officio, por edhe kategorizimi i avokatëve në dhënien e ndihmës juridike përmes një akti nënligjor do të ndikonte në sigurimin e një cilësie më të lartë në ofrimin e shërbimeve juridike. Ndërsa, për përfshirjen e zyrtarëve të ANJF-së në përfaqësim, analiza ka përcaktuar se kjo do të bëjë që të njëjtit të jenë të mbingarkuar me çështje që tejkalojnë kufijtë e rekomanduar, duke e bërë të vështirë për ta që t’i kushtojnë kohën dhe vëmendjen e duhur secilit rast. Kjo ngarkesë do t’i kushtojë përfituesve të ndihmës juridike falas – grupeve më të cenueshme në vend, me ulje të cilësisë së ndihmës juridike falas, për shkak të sfidave me kapacitete njerëzore dhe resurse të tjera.
Tutje IKD ka konsideruar se iniciativat pro bono ndikojnë në shtimin e burimeve ekzistuese të ndihmës juridike. Në këtë drejtim, kur shqyrtohet aspekti i kostos së ndihmës juridike falas dhe në veçanti analiza lidhur me përfaqësimin pro-bono, duhet pasur parasysh se nuk ka nevojë për ndryshim të sistemit të ndihmës juridike falas për të fuqizuar përfaqësimin pro-bono. IKD ka theksuar po ashtu se rritja e vetëdijes dhe qasjes për ndihmë juridike falas mundëson që të gjithë qytetarët, veçanërisht ata më të cenuarit dhe grupet e margjinalizuara të jenë të informuar për të drejtat e tyre ligjore dhe disponueshmërinë e shërbimeve juridike falas. Andaj dhe e konsideron të nevojshme ekzistimin e një strategjie të qartë për këtë.
IKD ka rekomanduar që reformimi i ndihmës juridike falas të bëhet mbi bazën e një analize konkrete, të paanshme dhe të balancuar, duke marrë për bazë fuqizimin e mekanizmave aktual. Sepse një opsion i tillë përveç se më lehtë i realizueshëm, më pak i kushtueshëm, do të mund të arrihej brenda një kohe shumë më optimale dhe nuk do të krijonte pasoja për përfituesit e ndihmës juridike falas, me theks të veçantë grupet e ndjeshme në vend. Tutje, IKD po ashtu, ka kërkuar shfuqizimin e kapitullit III, të Ligjit Nr.08/L-063 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura, ashtu që Agjencia për Ndihmë Juridike Falas të funksionojë siç funksiononte para miratimit të këtij Ligji – e pavarur. Dhe në përgjithësi përgjatë procesit të reformimit të ndihmës juridike falas, të ruhet pavarësia institucionale, funksionale dhe organizative e gjyqësorit./Arbresh.info/
Pastiçierët krijojnë ndërtesat simbol të Nju Jorkut me bisko...
Shoqata Sindikale e Pastrimit nesër mbanë protestë para Komu...
Ish-koloneli për sulmin në Zubin Potok: Pas Banjskës, grupet...
Kurti: Kushtet për takimin me Vuçiqin janë të njejta, të dor...
Bogujevci: Serbia nuk ndryshon kurrë, vendi duhet të fuqizoh...
“Diamanti” Shpendi, talenti “kuqezi” më i kërkuari në Apenin...