Google ADS

IKD: Reforma në KPK është e domosdoshme

14:57 | 12 Dhjetor 2024
E.G

Flamur Kabashi, hulumtues në IKD, theksojë se llogaridhënia, integriteti, sigurimi i pavarësisë së prokurorive dhe transparenca janë shtyllat kryesore për një institucion të sistemit të drejtësisë siç është Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

Sipas tij, këto parime e bëjnë KPK-në një institucion funksional dhe të besueshëm, shkruan Arbresh.info.

Raporti i publikuar thekson se llogaridhënia siguron që KPK-ja të jetë përgjegjëse dhe transparente për vendimet dhe veprimet e saj, duke ndërtuar në radhë të parë besimin e qytetarëve në sistemin prokurorial por edhe besimin dhe informimin e prokurorëve dhe stafit prokurorial lidhur me mënyrën e operimit dhe administrimit nga KPK si institucion.

Integriteti i pakontestueshëm garanton që këto vendime të jenë të paanshme dhe në përputhje me ligjin, procedurën dhe standardet më të larta etike dhe profesionale. Përmbushja e kompetencave sipas Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse siguron funksionimin profesional dhe të pavarur të institucionit, ndërsa transparenca është mekanizmi që i bën të gjitha këto të dukshme dhe të vlerësueshme për publikun.

Vetëm përmes këtyre parimeve, KPK mund të tejkalojë perceptimet se ky mekanizëm funksionon në frymën e bazuar në korporatizëm dhe për interesa të një grupi të prokurorëve në sistem dhe të rikthejë legjitimitetin e tij si garantues i drejtësisë dhe shërbimit ndaj interesit publik.

Megjithatë, Kabashi theksoi se KPK nuk është duke funksionuar kështu në praktikë:

“Shkak për këtë është përbërja korporatiste brenda KPK-sw. KPK aktualisht përbëhet nga 13 anëtarë, 10 prej të cilëve prokurorë. Në këtë drejtim, Komisioni i Venecias theksojë se “KPK-ja aktuale përbëhet pothuajse tërësisht nga prokurorë dhe, për këtë arsye, është e prirur ndaj rrezikut të korporatizmit… Siç kanë dëshmuar disa OJQ, pikërisht kështu ka funksionuar KPK-ja në të kaluarën” thekson Kabashi.

Deona Kamberaj, hulumtuese në IKD, theksojë se raporti i publikuar nga IKD gjënë se duke vepruar përmes një mendësie korporatiste, KPK ka shqiptuar sanksione të buta disiplinore ndaj prokurorëve të përfshirë në shkelje disiplinore. Sipas monitorimit të IKD-së, nga 11 masat disiplinore të shqiptuara nga KPK-ja gjatë vitit 2023 dhe 2024, nëntë (9) prej tyre apo 81.8% e masave disiplinore janë vërejtje publike me shkrim apo vërejtje jo publike me shkrim.

Sipas këtij raporti, dështimi për mbrojtjen e jetës, e drejtë kjo themelore sipas Kushtetutës së vendit, për KPK-në rezultoi me zvogëlim të pagës 30% për një vit për prokuroren e rastit, Hava Krasniqi, ndonëse e njëjta sipas vendimit të KPK-së u gjet përgjegjëse pasi nuk kishte vlerësuar rrezikshmërinë dhe nuk kishte marrë veprimet urgjente ligjore. Madje, ky sanksionon disiplinor përfshiu edhe një shkelje tjetër të prokurores. Përmes këtij vendimi, anëtarët e KPK-së nuk përzgjedhën nevojën e shoqërisë por interesat e kolegëve të tyre.

Kjo duke dërguar mesazhin tek të gjithë prokurorët se nëse dështojnë të mbrojnë jetën e një viktime të dhunës në familje, dhe kjo konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese, kjo nuk do tu kushtojë të njëjtëve më shumë se ulje e pagës për 30%.

Sipas raportit të publikuar nga IKD, përgjatë rreth një dekade, KPK u kritikua vazhdimisht për kundërligjshmëri, mungesë të transparencës dhe meritokracisë në proceset për përzgjedhjen e prokurorëve, avancimin e prokurorëve dhe zgjedhjen e kryeprokurorëve. Kjo është fusha tjetër ku KPK shpërfaqi mendësinë e saj korporatiste të veprimit.

Riciklimi i të njëjtave figura në pozita kyçe të sistemit prokurorial të Kosovës ka krijuar një mjedis ku ndryshimi dhe progresi janë bërë pothuajse të pamundura. Kështu, ndryshimi i anëtarëve të KPK-së duket se nuk nënkupton ndryshim të mendësisë korporatiste. Për këtë arsye, zgjidhja e vetme për shmangie të kësaj mendësie duket të jetë reforma në KPK-së, e cila për herë të dytë është duke pritur një vendim të Gjykatës Kushtetuese./Arbresh.info/

Të ngjashme