Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj politikave të Ministrisë së Drejtësisë (MD) në hartimin e Projekt Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, në të cilin ka bërë ndryshime esenciale në procedurën penale, duke zgjatur afatin e hetimeve penale, përmes të cilit shkelen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të cilat janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me të gjitha standardet dhe praktikat ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë.
Afati i hetimeve penale nga dy zgjatet në katër vite – cenim i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut
IKD shpreh shqetësim me këtë qasje të politikave të MD-së, të cilat në emër të shtimit të efikasitetit në luftimin e kriminalitetit, tentojnë të arsyetojnë dështimet e institucioneve të drejtësisë, në këtë rast policisë, prokurorisë dhe gjykatave në luftimin e kriminalitetit. Në këtë drejtim, MD ka propozuar ndryshime esenciale ligjore në procedurën penale, duke ju ofruar komoditet institucioneve të drejtësisë në trajtimin e lëndëve, për shkak të zgjatjes së afatit të hetimeve penale nga dy (2) deri në katër vite (4).
Në këtë mënyrë, MD arsyeton dështimet e institucioneve të drejtësisë dhe sakrifikon parimet dhe standardet e mishëruara në Kushtetutën e Kosovës lidhur me të drejtat dhe liritë e njeriut në procedurë penale.
IKD vlerëson standardet e ndërtuara në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, i cili është në fuqi, të cilat rekomandon të avancohen, por assesi që të cenohen në dëm të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, siç po synohet. Me Kodin e Procedurës Penale në fuqi, hetimi penal nga momenti i fillimit mund të zgjasë maksimalisht deri në dy (2) vite e gjashtë (6) muaj. Parimisht hetimi penal i filluar përfundon brenda dy (2) viteve. Por, në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit për shkak të hetimeve të ndërlikuara dhe shkaqeve të tjera të përcaktuara sipas ligjit, gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit edhe për gjashtë (6) muaj shtesë, pra maksimumi deri në 30 muaj apo dy vite e gjysmë.
Ndërsa, tani sipas nenit 157 të Projekt Kodit të Proceduës Penale të Kosovës, i cili tani gjendet në procedurën e aprovimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës hetimi nga momenti i fillimit mund të zgjasin deri në katër (4) vite.
Parimisht sipas këtij Projekt Kodi, hetimi penal i filluar duhet të përfundoj brenda dy (2) viteve. Por, me kërkesën e prokurorit të shtetit për shkak të hetimeve të ndërlikuara dhe shkaqeve të tjera të përcaktuara sipas ligjit, gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit edhe për gjashtë (6) muaj shtesë. Prokurori duke u bazuar në arsyet e përcaktuara dhe sipas kushteve të njëjta mund të kërkoj zgjatje të mëtutjeshme edhe prej gjashtë (6) muajve deri në më së shumti dy (2) vjet pas kalimit të afatit prej (2) vjetësh.
Rrjedhimisht, Republika e Kosovës përmes këtij Projekt Kodi të Procedurës Penale po tenton ta zgjasë afatin e hetimeve nga dy (2) vite e gjashtë (6) muaj në katër (4) vite. IKD vlerëson se kjo është e papranueshme dhe cenon rëndë të drejtat dhe liritë themlore të njeriut, duke cenuar rëndë parimet kushtetuese, standardet dhe praktikat ndërkombëtare të zbatueshme me Kushtetutën e Republikën e Kosovës.
IKD ua rikujton deputetëve të Kuvendit të Kosovës se me nenin 31 paragrafi 2 të Kushtetutës së Kosovës përcaktohet se çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
Të drejtat dhe liritë e njeriut garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës garanton dhe promovon të drejtat e njeriut. Neni 22 i Kushtetutës përcakton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut si pjesë qenësore të së drejtës në Kosovë. Neni 53 i Kushtetutës përcakton se të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Për më tepër, Kushtetuta i jep supremaci praktikës së GJEDNJ në raport për të drejtën vendore.
Prej vitit 2013, IKD në mënyrë sistematike monitoron sistemin e drejtësisë në trajtimin e çështjeve penale. Si rezulatat i monitorimit sistematik, IKD ka publikuar me dhjetëra raporte periodike ku janë përfshirë gjetjet e monitorimit të rasteve nga praktika, përfshirë hulumtime dhe analiza lidhur me kohëzgjatjën e procedurave penale. Në fokus të hulumtimit dhe analizimit kanë qenë zbatimi i dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale në trajtimin e rasteve, përfshirë respektimin e afateve ligjore dhe respektimin e të drejtave dhe lirive te të pandehurve në procedurat penale, veprimet fillestare apo procedurat parapenale dhe penale.
Gjetjet e IKD-së, dëshmojnë se edhe përkundër kornizës ligjore solide dhe në harmoni me praktikat dhe standartet ndërkombëtare, institucionet e drejtësisë në Kosovë, si prokuroria dhe gjykata nuk kanë qenë në gjendje që rastet penale t’i trajtojnë në afat të arsyeshëm kohor, përkundrazi, qytetarët e Kosovës janë përballur me vite të tëra dhe jo rrallë edhe me dekada me procedura parapenale dhe penale nëpër prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës.
IKD si organizata e vetme në Kosovë që monitoron sistematikisht trajtimin e të gjitha rasteve të korrupsionit, thekson se Kodi i Procedurës Penale, prokurorit të shtetit i ofron diskrecion lidhur me fillimin e hetimit apo ndjekjes së veprës penale. IKD gjatë procesit të monitorimit të rasteve të korrupsionit por edhe veprave penale karakteristike ka gjetur se një numër i madh i rasteve të raportuara qoftë në polici apo prokurori që i takojnë fazës parapenale apo fazës së hetimit në procedurën penale mbyllen nga prokuroria pa kontroll gjyqësor.
Në tri vite (2015, 2016, 2017) në procedurën parapenale, pa kaluar përmes kontrollit gjyqësor janë mbyllur 889 raste me 1553 persona. Përderisa, gjatë të njëjtës periudhë kohore, Prokurori i Shtetit ka mbyllur rastet e hetimeve parapenale dhe penale ndaj 1794 personave që janë raportuar lidhur me dyshimet për vepra penale të korrupsionit. Prej tyre ndaj 1006 personave prokurorët kanë hudhur kallëzimet penale, kurse ndaj 788 personave kanë pushuar hetimet.
IKD ka ngritur shqetësimin e mungesës së kontrollit gjyqësor në rastet pushimit të hetimeve dhe hudhjes së kallëzimeve penale, kontroll i cili në bazë të ligjit në Kosovë nuk ekziston fare. Prokurori njofton gjykatën vetëm sa i përket pushimit të hetimit, përderisa gjykatësi nuk ka kontroll apo kompetencë për të vlerësuar nëse vendimi i prokurorit është i bazuar në ligj, dhe nëse faktet dhe provat e grumbulluara janë të mjaftueshme për të proceduar me rastin në gjykim.
Në rastet e hudhjes së kallëzimit penal, gjykata nuk pranon asnjë njoftim, lidhur me mbylljen e rastit. Ndaj vendimit të prokurorit të shtetit, nuk lejohet ankesë qoftë nga ana e parashtruesit të kallëzimit penal apo të dëmtuarit nga vepra penale.
Për më tepër, Kodi i Procedurës Penale nuk lejon padinë private e as padinë subsidiare, kjo pasi Kodi Penal nuk parasheh asnjë vepër penale, e cila ndiqet sipas padisë private. Legjislacioni i aplikueshëm në Kosovë nuk mundëson ankesë nga vendimeve të prokurorit në rastet e hudhjes së kallëzimit penal apo të pushimit të hetimeve. Në këtë drejtim vendimi i prokurorit për të mbyllur rastet në këtë fazë të procedurës penale, është përfundimtar.
Prandaj, as afati i hetimeve penale, i cili është aktualisht në Kodin e Procedurës Penale nuk garanton siguri juridike për të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Kosovës, për shkak se në praktikë ndaj tyre inicohen dhe zhvillohen procedura sidomos ato parapenale me vite e dekada të tëra, duke i mbajtur të shantazhuar me prezencën e tyre në evidencat penale.
IKD vlerëson se një praktikë e tillë e instaluar nga ana e sistemit të drejtësisë, bie në kundërshtim me vlerat, parimet dhe praktikën e GJEDNJ, duke ndikuar që të njejtat institucione që me Kushtetutë dhe ligj janë të themeluara për të ofruar drejtësi, të njejtat në praktikë të jenë edhe shkelësit e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Në shtetet bashkëkohore, të cilat bazohen në vlerat e garantimit dhe promovimit të të drejtave të njeriut, kodet e procedurës penale janë garanci kundër zbatimit arbitrar të ligjeve penale. Ato janë të dizajnuara për të jetësuar të drejtën e personave të dyshuar dhe të pandehurve në raste penale për gjykim të drejtë, të paanshëm, të pavarur dhe në kohë të arsyeshme në të gjitha fazat e procedurës penale, duke filluar nga kontakti fillestar me policinë e duke vazhduar gjatë fazës së arrestit, hetimit, shqiptimit të dënimit dhe mjetit juridik.
Shpërfillja e procedurave dhe trajtimit të rasteve në një afat të arsyeshëm kohor mund të rezultojë me shkelje të të drejtave për proces të drejtë të të pandehurve, të mbrojtura me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, dhe nenin 14 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Instrumentet ndërkombëtare në fjalë janë drejtpërdrejtë të zbatueshme në Kosovë.
Standardet dhe praktikat ndërkombëtare për gjykim të arsyeshëm në kohë. Gjithashtu e drejta për një proces të brenda një afati të arsyeshëm garantohet edhe me nenin 6 paragrafi 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Edhe përkundër faktit se GJEDNJ në praktikën e saj, nuk lëshohet në afate kohore, se sa duhet të zgjasë një procedurë penale, shkelja e nenit 6, paragrafi 1 i Konventës lidhur me trajtimin e një çështje penale në afat të arsyeshëm kohor trajtohet rast për rast dhe duke marr për bazë disa kritere, ku përfshihet natyra e rastit dhe shkallën e kompleksivitetit, sjellja dhe qasja e autoriteteve si prokuroria apo gjykata në trajtimin e rastit si dhe kritere tjera që mund të kenë ndikim në trajtimin e rastit brenda një afati të arsyeshëm kohor.
GJEDNJ nuk ka paracaktuar ndonjë mënyrë apo masë lidhur me gjykimin në afat të arsyeshëm kohor si dhe nuk ka udhëzues lidhur me masat që duhet të ndërmarrin shtetet për të adresuar këtë çështje.
Sipas GJEDNJ-së vet shtetet duhet të zgjedhin mënyra apo masa adekuate në kuadër të sistemeve tyre juridike në atë mënyrë që secilit ia garanton të drejtën për një vendim gjyqësor përfundimtar brenda afatit të arsyeshëm kohor në realizimin e të drejtave të qytetarëve.
Disa shtete evropiane kanë ndërtuar sisteme juridike që kanë ndikuar të rriten rastet e shkeljes së të drejtës për gjykim në kohë të arsyeshme, e që një gjë e tillë tolerohet nga shteti, dhe ku procedurat e gjata gjyqësore kanë filluar të institucionalizohen, si një rregull e pashkruar. Praktika të tilla të ndjekura nga shtete të caktuara sipas GJEDNJ-së, cenojnë dhe janë në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kur një “praktikë” e tillë përbën bazën e një çështjeje, GJEDNJ nuk shqyrton rrethanat specifike të rastit apo kritere tjera të ndërtuara, por konstaton shkelje të nenit 6 paragrafi 1 të Konventës, duke gjetur se mungesa e ndërmarrjes së masave të përshtatshme të përgjithshme nga ana e shteteve për të korrigjuar gjendjen që ndikon në kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore janë dëshmi adekuate për mospërputhje me Konventën.
Në këtë drejtim, Kosova përmes qasjes së tanishme për të zgjatur afatet kohore në fazën e procedurës hetimore nga dy (2) vite sa është aktualisht me Kodin e Procedurës Penale në katër (4) vite me draftin aktual të Kodit të Procedurës Penale, hyn në kuadër të shteteve të cilat ndërtojnë praktika që janë në kundërshtim me frymën e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, praktikën e GJEDNJ dhe po ashtu edhe në kundërshtim me vet Kushtetutën e Kosovës. Kosova me një qasje të tillë, institucionalizon tejzgjatjën e procedurave gjyqësore në çështjet penale, duke shkelur parimin e trajtimit të lëndëve në një afat të arsyeshëm kohor.
Poashtu, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ka krijuar Komisionin Evropian për Efiçiencën në Drejtësi (e emërtuar si CEPEJ) në shtator 2002, që nëpërmjet monitorimit të situatës në terren, si edhe mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave statistikore jep informacione të detajuaruara për njohjen dhe përmirësimin e defekteve strukturore dhe problematikave specifike të secilës fazë të procesit ligjor e me qëllimin final të respektimit të drejtës për një proces të rregullt sipas nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Projekti KOSEJ-it në Kosovë, sipas metodologjisë dhe qasjes së CEPEJ-it ka krahasuar të dhënat e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë me raportin e fundit të CEPEJ-it i publikuar në vitin 2016, i cili paraqet të dhënat e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në vendet antare të BE-së.
Nga ky krahasim ka rezultuar se parametrat kohore të rekomanduara për përfundimin e një lënde penale në shtetet antare të BE-së është 133 ditë kurse në Kosovë zgjatë mesatarisht 244 ditë. Kjo do të thotë që edhe me afatin e hetimeve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale në fuqi sistemi prokurorial dhe gjyqësor arrin ta përfundojnë një çështje penale mesatarisht me vonesë prej 111 ditëve në krahasim me kohën e rekomanduar në shtetet anëtare të BE-së për përfundimin e një rasti penal.
Tani me ndryshimet e propozuara në Projekt Kodin e Procedurës Penale kërkohet që të mundësohet shtimi i kohës së zgjidhjes së një rasti edhe për 180 ditë shtesë në krahasim me Kodin e Procedurës Penale në fuqi.
Në këtë drejtim, IKD i bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që gjatë shqyrtimit të draft-Kodit të Procedurës Penale të marr për bazë praktikën e GJEDNJ-së, dhe atë që është më e rëndësishmja sigurinë juridike për qytetarët e Kosovës, për një proces gjyqësor në kohë të arsyeshme.
Kuvendi i Kosovës nuk mundet që në emër të luftimit të kriminalitetit, të arsyetojë dështimet e institucioneve të drejtësisë, në këtë rast policisë, prokurorisë dhe gjykatave në trajtimin e lëndëve me efikasitet dhe në mënyrë profesionale. Këto dështime assesi nuk mund të arsyetohen duke bërë ndryshime ligjore, përmes të cilave sakrifikohen parimet dhe standardet e mishëruara në Kushtetutën e Kosovës lidhur me të drejtat dhe liritë e njeriut në procedurë penale.
Sigurohet furnizimi i rregullt me rrymë për vendin dhe ngroh...
Mundësohet furnizimi i papenguar i KEK-ut me ujë nga kanali ...
Shpërthimi në Ibër Lepenc/ Policia rrit masat e sigurisë, pë...
Moti sot me shi e borë
Shpërthimi në Ibër Lepenc, çfarë dihet deri më tani
Kurti: Punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve po bëjnë një ...