IKD: Qeveria përmbushi 42% të agjendës së planifikuar për 6-mujorin e parë

09:41 | 1 Korrik 2023
K.B

Qeveria e Kosovës ka përmbushur 42% të programit legjislativ për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, ku përfshihen 34 projektligje të miratuara nga 78 të planifikuara, teksa nuk i përmbushi standardet e konsultimit publik në afërsisht 50% të projektligjeve. Kështu theksohet në raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Sipas komunikatës së IKD-së, Qeveria e Kosovës e ka miratuar programin legjislativ me 25 janar 2023, përderisa me 11 janar 2023, ajo ka miratuar dy projektligje ende pa miratuar programin legjislativ.

“Sipas agjendës legjislative, Qeveria kishte planifikuar miratimin e 78 projektligjeve deri në muajin qershor. Përderisa, deri me 30 qershor 2023, Qeveria ka miratuar 33 prej tyre, apo 42% të projekt-ligjeve të planifikuara. Qeveria gjatë kësaj periudhe kohore ka miratuar një projekt-ligj të planifikuar për muajin shtator të këtij viti”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Tutje theksohet se Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2016 kishte miratuar Rregulloren për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik. Me këtë Rregullore janë përcaktuar standardet minimale, parimet dhe procedurat në procesin e konsultimit publik, ndërmjet organeve publike, palëve të interesuara dhe publikut, në procesin e hartimit të politikave dhe legjislacionit.

“Edhe përkundër obligimit ligjor që projekt ligjet e iniciuara nga ana e qeverisë dhe ministrive të linjës të kalojnë përmes konsultimit publik, nga 34 projektligjet e miratuara në Qeveri, IKD ka gjetur se 21 prej tyre është dashur t’i nënshtrohen procesit të konsultimit publik, gjë që e ka bërë vetëm në 11 raste apo 52% të rasteve, derisa ky obligim nuk ka vlejtur në raport me 13 projektligje që kanë të bëjnë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, thuhet tutje në komunikatë.

Vetëm gjatë këtij gjashtë mujori të parë të vitit 2023, Qeveria e Kosovës ka plotësuar dhe ndryshuar tre herë programin legjislativ. Programi Legjislativ i miratuar me 25 janar të këtij viti fillimisht përmbante 100 projektligje, por pas ndryshimit dhe plotësimit të programit legjislativ me 31 janar 2023, 9 mars 2023, dhe me 12 prill 2023 nga ana e Qeverisë dhe pas miratimit të projektligjeve jashtë planifikimeve, numri i projektligjeve të planifikuara për miratim deri në fund të vitit 2023, arriti në 131 projektligje.

Sipas IKD-së Qeveria nuk përfshiu në programin legjislativ për vitin 2023, 26 projektligje, të cilat kanë qenë në plan programin legjislativ për vitin 2022, dhe të cilat nuk janë miratuar gjatë vitit të cekur. Ndërkaq, ministritë të cilat nuk i përfshinë në agjendën legjislative projektligjet nga viti 2022 janë: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ministria e Ekonomisë (ME).

“Lista e projekt-ligjeve që janë paraparë për miratim gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, përfshinë ligje që ndërlidhen me përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare në procesin e integrimit evropian por edhe ligje tjera me interes publik në sferën e shërbimit të jashtëm, drejtësisë, medias, politikave sociale, pensionale dhe të shëndetësisë, etj. Lista e ligjeve të mbetura, përfshinë, Projekt Kodin Civil, Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm, Projektligjin e punës, Projektligjin për Diasporën, Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, Projektligjin për për Noterinë, Projektligjin për Gjykatat, Projektligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për të Huajt, Projektligjin për Gjendjen Civile, Projektligjin për Shëndetësi, Projektligjin për Sigurime Shëndetësore, Pojektligjin për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë, Projektligjin për vlerësimin dhe shqyrtimin e akteve të komunave, Projektligjin për Banimin Social, Projektligjin për Inspektoratin për Mbikëqyrjen e Tregut, Projektligjin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues, Projektligjin për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë etj”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Sa i përket nivelit të zbatimit të programit legjislativ nga ministritë përkatëse, IKD gjeti se nivelin më të lartë të miratimit të projektligjeve e ka arritur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me 100% të projektligjeve të miratuara, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me 100%, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 100%, Zyra e Kryeministrit me 75%, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 57 %, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 43%, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me 25% etj.

Ndërkaq, asnjë projektligj, përkundër planifikimeve nuk ka arritur ta procedojë për miratim Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Ekonomisë.

IKD po ashtu në këtë hulumtim ka gjetur se në një rast Qeveria e Kosovës, në kundërshtim me afatet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, vendosi për Projektligjin për Skemat Pensionale, duke rrezikuar të drejtat e mijëra pensionistëve.

“IKD, gjen se në një rast tjetër, në kundërshtim me Kushtetutën dhe duke u arsyetuar në miratimin e një neni të caktuar në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, Qeveria nuk i kishte transferuar të hyrat vetanake të komunave, duke bërë që mjetet, të cilat komunat i kanë mbledhur nga viti 2022 dhe vitet e tjera paraprake të bëhen pjesë e buxhetit qendror. Sipas Kushtetutës së Kosovës, komunat e kanë të drejtën e vendosjes, caktimit, mbledhjes dhe shpenzimit të të hyrave vetanake dhe në të njëjtën kohë të marrin fonde nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme