IKD: Me ligjin e ri pavarësia e KPM-së tjetërsohet, cenohen vlerat dhe parimet e demokracisë

12:36 | 19 Korrik 2024
A B

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka publikuar raportin “Politizimi i KPM-së”, analizë e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, të cilin Kuvendi i Kosovës e miratoi më 11 korrik 2024.

Nga analizimi i këtij Ligji, IKD ka gjetur se pavarësia e garantuar me Kushtetutë për një institucion të pavarur si KPM, tjetërsohet në varësi të këtij institucioni ndaj partisë në pushtet.

Florian Smajli, hulumtues në IKD, ka thënë se kjo qasje është e rrezikshme dhe cenon drejtpërdrejtë vlerat dhe parimet e demokracisë të mishëruara në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, mënyra e veprimit lidhur me miratimin e Ligjit për KPM-në tregon se miratimi i tij ishte qartazi vullnet i vetëm i pozitës, pasi me këtë Ligj nuk u pajtuan opozita, partnerët ndërkombëtarë, mediat dhe shoqëria civile, dhe duke mos respektuar obligimet lidhur me zbatimin e standardeve minimale të konsultimit publik lidhur me këtë projektligj kaq të rëndësishëm për demokracinë dhe lirinë e mediave në Kosovë.

Smajli tha se Ligjit për KPM-në i paraprinë një sulm i papranueshëm i Kuvendit ndaj KPM-së, përfshirë kampanjën e paparë ndonjëherë që nga shpallja e pavarësisë ku eksponentëve të partisë në pushtet fillojnë fushatë të orkestruar ndaj kryetarit dhe anëtarëve të KPM-së, duke i akuzuar edhe për tradhti kombëtare dhe gjuhë tjetër të papërshtatshme ndaj një mekanizmi të pavarur kushtetues.

“Pavarësia e këtyre institucioneve në përgjithësi dhe i KPM-së në veçanti ka interes jetik për parimet dhe vlerat që promovojnë demokracinë, lirinë e fjalës dhe medias në një shoqëri demokratike çfarë aspiron Republika e Kosovës edhe përmes obligimeve ndërkombëtare që ka marrë përsipër përmes marrëveshjes për Stabilizim Asocim me Bashkim Evropian. Gëzimi i pavarësisë së vërtetë ligjore dhe praktike është një parakusht që këto autoritete të jenë në gjendje të kryejnë detyrën e tyre në mënyrë efektive, transparente dhe të përgjegjshme”, ka thënë ai.

Ai shtoi se ky raporti ka theksuar nevojën e harmonizimit të Ligjit për KPM me Direktivën për Shërbimet Mediale Audio-Vizuele. Për të cilën sipas tij, Projektligji fillestar për KPM, i miratuar në Qeveri theksonte se ligj është në përputhshmëri të plotë me Direktivën.

“Ky nen u ndryshua gjatë trajtimit të tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ashtu që u theksua se Projektligji për KPK është vetëm pjesërisht në përputhje me këtë direktivë. Megjithatë, nevoja për miratimin e Ligjit të ri për KPM nuk nënkupton mundësinë e Kuvendit për të minuar pavarësinë Kushtetuese të KPM-së”, shtoi Smalji duke theksuar se ligji nuk duhet të degradojë punën e këtij institucioni të pavarur.

E Hulumtuesi i lartë IKD, Gzim Shala, ka thënë se dispozitat që kanë të bëjnë me procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së mundësojnë partinë në pushtet që lehtësisht ta politizoj atë.

Ai tha se ky ligji thotë se konkursi shpallet nga KPM, derisa kandidaturat e pranuara për kryetar dhe ata për anëtarë shqyrtohen nga Komisioni përkatës për media i Kuvendit të Kosovës, i cili Komision pas zhvillimit të intervistave, i rekomandon Kuvendit votimin e dy kandidatëve për çdo pozitë të lirë. Ndërsa, Kuvendi zgjedh njërin nga kandidatët e rekomanduar me shumicë të thjeshtë të votave.

Në këtë situate ai tha, se Projektligji e ka lehtësuar politizimin e KPM-së përmes përzgjedhjes së anëtarëve të saj.

“Secila Qeveri e ka të paktën shumicën absolute në Kuvend, pa të cilën nuk mund të qëndrojë. Ndërsa, për përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, nevojitet vetëm shumica e thjeshtë e votave. Potencialisht, një anëtar i KPM-së mund të zgjidhet më 31 vota. Për këtë arsye, Projektligji për KPM në mënyrë të hapur lë mundësinë e politizimit të këtij institucioni për secilën Qeveri”, u shpreh Shala.

Shala tha se Ligji për KPM nuk ka përcaktuar asnjë standard adekuat sa i përket përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së. Ai mori shembull përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ku ligji përcakton themelimin e një komisioni të posaçëm me përfaqësues ndërinstitucional, i cili komisioni i paraqet Kuvendit listën e ngushtë të kandidatëve të kualifikuar.

Ndërsa, në rastin e anëtarëve të KPM-së, Ligji për KPM përcakton se e gjithë kjo procedurë zhvillohet nga një Komision Parlamentar, i përbërë vetëm nga përfaqësues politik.

“Kështu, Qeveria, e cila ka shumicën në Kuvend, e ka në dorë si procedurën ashtu edhe votimin e anëtarëve të KPM. Kjo situatë qartazi e vendos KPM në mungesë të pavarësisë objektive për funksionimin e saj”, shtoi Shala.

Në anën tjetër, ai tha se shkarkimi i anëtareve të KPM-së e zhveshin KPM-në nga çdo pavarësi e funksionimit, duke e vendosur atë nën presion të vazhdueshëm ndaj Kuvendit.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të premten, me përkrahje e Rockefeller Brothers Fund, publikoi raportin “Politizimi i KPM-së” (Analizë e Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave)./eo/

 

Të ngjashme