Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial në vitet e fundit janë ballafaquar me vështirësi në hartimin e legjislacionit sekondar dhe zbatimin të tij në mënyrë të drejtë dhe të paanshme në proceset e selektimit dhe procesit të emërimit apo propozimit për emërim të Kryetarëve të Gjykatave dhe Kryeprokurorëve, raporton arbresh.info.
Sipas këtij Instituti, procesi i emërimit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit ishte subjekt i kritikave si nga publiku, media ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar. Sistemi prokurorial nuk po arrin të fitoj besimin e publikut për të udhëhequr proces transparent, të paanshëm të të bazuar në meritën e kandidatit për pozitat kyçe në sistemin prokurorial të Kosovës.
“Kjo bazohet në faktin se proceset e zgjedhjes, propozimit dhe emërimit të Kryeprokurorëve, kanë ndërtuar një praktikë të keqe në zvarritjen e procedurave, duke filluar prej praktikës së zvarritjes së më shumë së një viti të zgjedhjes së Kryeprokurorit aktual të Shtetit, Aleksandër Lumezi deri tek procesi i fundit i konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili u anulua më 25 prill 2019”, thuhet në reagimin e këtij Instituti.
Tutje thuhet se konkursi i anuluar më 25 prill 2019 për Kryeprokuror të PSRK-së ishte shpallur para afër dy muajve, përkatësisht më 1 mars 2019. Tetë ditë para shpalljes së këtij konkursi, KPK kishte ndryshuar Rregulloren për Emërimin e Kryeprokurorëve. Në këtë konkurs, kishin konkurruar katër kandidatë, të cilët i plotësonin kriteret ligjore.
“ KPK për këtë konkurs të zgjedhjes së Kryeprokurorit të PSRK-së, themeloi Komisionin për Vlerësimin e Kandidatëve. Komisioni i themeluar përbëhej nga tre anëtarë (Kryesuesi i Komisionit nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe dy anëtarë të tjerë nga Prokuroria e Apelit).Asnjëri nga ta nuk ishin anëtar të KPK-së. Nga katër kandidatët që ishin pjesë e procesit të përzgjedhjes, dy prej tyre u propozuan nga Komisioni Vlerësues për t’u votuar për Kryeprokuror të PSRK–së. Të dy kandidatët që nuk ishin rekomanduar, janë ankuar në KPK në vendimin e Komisionit Vlerësues. KPK ka miratuar pjesërisht ankesat e kandidatëve”, thuhet në reagim.
Për këtë konkurs të zgjedhjes së Kryeprokurorit të PSRK-së, KPK ka tentuar të ndjekë praktikën e kundërligjshme të krijuar nga KGJK për të ndërruar rregullat në mes të procesit, për të cilën kishte reaguar IKD publikisht. KPK në mbledhjen e saj më 25 prill 2019, në agjendën e ditës edhe pse në mes të procesit për Kryeprokuror të PSRK-së, kishte paraparë ndryshimin e Rregullores për Zgjedhjen dhe Emërimin e Kryeprokurorëve, e cila edhe ashtu ishte ndryshuar para dy muajve, përkatësisht më 21 shkurt 2019.
Tendenca që rrugës të ndryshohen rregullat, dëshmon se ka pasur agjenda për të përshtatur rregullat dhe procedurat për kandidatë të caktuar nga ana e KPK-së, duke u thirrur se “ndryshimet në rregullore duhet të bëhen për tu harmonizuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procesin e Kryeprokurorit të Shtetit”. Sidoqoftë, në mbledhjen e KPK-së, të mbajtur më 25 prill 2019, anëtarët e KPK-së, përkundër përfshirjes së kësaj pike në agjendën e ditës, kanë theksuar se ndryshimi i rregullores në mes të procesit përbën shkelje ligjore. Në këtë situatë, KPK më 25 prill 2019 ka vendosur ta kthejë procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të PSRK-së, në pikën zero, duke anuluar konkursin dhe duke autorizuar Komisionin për Çështje Normative që të hartojë një Rregullore për Emërimin e Kryeprokurorëve sa më parë të jetë e mundur, bazuar në ndryshimet ligjore dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sfidat kryesore të KPK-së në vitet e fundit janë në lidhje me procesin e rekrutimit dhe emërimit të kryeprokurorëve, prokurorëve lidhen me miratimin dhe ndryshimin e shpeshtë të legjislacionit sekondar dhe moszbatimin e tij në praktikë. Përveç kësaj, edhe pse kriteret për rekrutimin dhe emërimin e prokurorëve sigurohen me ligj, KPK-ja përmes legjislacionit sekondar shpesh kanë ndryshuar rregullat dhe kriteret gjatë procesit të emërimit, gjë që dëshmon mungesën e aftësisë së KPK-së në bërjen e politikave të qarta dhe transparente, dhe zbatimin e tyre në praktikë, që ende çalon.
KPK duhet të fokusohet në hartimin dhe miratimin e rregullores së re për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve në të cilin do të përcaktojë qartë procedurën për përzgjedhjen dhe emërimin, duke përfshirë sigurimin e rregullave dhe kritereve të qarta, transparente dhe objektive. Kjo mundëson që sistemi prokurorial të arrijë objektivat dhe KPK të kryejë funksionet e veta , pasi që është thelbësore që Kryeprokurorët në të gjitha nivelet të zgjedhen në bazë të kompetencave të dëshmuara, integritetit dhe pavarësisë, si dhe në përputhje me procedurat e paanshme, duke përjashtuar çdo diskriminim dhe duke lejuar mundësinë e rishikimit të paanshëm.
IKD rekomandon që përmes miratimit të Rregullores së re, KPK duhet të arrijë këto objektiva që: procesi i emërimit të udhëhiqet nga KPK, duke shmangur praktikat që një detyrë e tillë e rëndësishme të delegohet në komisionet e vlerësimit; hartimi i Rregullores duhet të bëhet në konsultim të mbyllur me OJQ–të e interesuara të specializuara në sundimin e ligjit, Odën e Avokatëve dhe akademikët; procesi i emërimit të Kryeprokurorëve duhet të bazohet në rregulla, kritere objektive, të qarta dhe transparente; procesi i emërimit duhet të jetë i hapur për shqyrtim publik dhe të dokumentohet plotësisht dhe siç duhet si dhe duhet të ndërmerret sipas kritereve të publikuara dhe jo që ato të ndryshohen në mënyrë të kundërligjshme gjatë procesit; emërimi duhet të bazohet vetëm në merita, duke promovuar diversitetin dhe duke shmangur diskriminimin; procesi i emërimit duhet të sigurojë një procedurë të pavarur të ankesave; dhe procedurat për emërimin duhet të karakterizohen nga një shkallë e lartë publiciteti dhe transparence për publikun./Arbresh.info
Lidhja e fortë mes mungesës së zinkut dhe tensionit të gjaku...
Interi kalon në çerekfinale të Kupës së Italisë, Kristjan As...
Kamberi: Serbia po tenton të izoloj shqiptarët e Luginës
Ushtari amerikan ribashkohet me qenin që shpëtoi gjatë shërb...
Emigrantët e paligjshëm/ Teksasi nis fushatën në Meksikë dhe...
Dy të vdekur brenda shtëpisë në Tiranë, zbardhen detajet e n...