Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se lista kontrolluese e kritereve të aplikacionit për drejtorë të bordeve të ndërmarrjeve publike qendrore është joligjore dhe diskriminuese.
Ky institut ka reaguar ndaj listës kontrolluese të kritereve të aplikacionit për konkursin për drejtorë të bordeve të ndërmarrjes publike qendrore, i shpallur më 15 korrik 2020, nga Zyra e Kryeministrit, për shkak, siç thuhet në këtë reagim, të kritereve joligjore të aplikuara në të.
Kriteret e përcaktuara në Ligjin për mdërmarrjet publike, sie dhe në konkursin në fjalë, IKD-ja thekson se nuk janë përfillur në listën kontrolluese të kritereve të aplikacionit.
IKD-ja e sheh si shumë shqetësuese qasjen joligjore të ndërtuar në formularin “Lista kontrolluese të kritereve të aplikacionit”, pasi ai nuk është i bazuar as në konkursin për drejtorë të ndërmarrjeve publike e as në Ligjin për ndërmarrje publike.
“Si i tillë, ky formular i ndërtuar në këtë formë është përjashtues për shumë kandidatë, të cilët i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj dhe në konkurs, duke e delegjitimuar krejt procesin e përzgjedhjes së drejtorëve. Duke qenë se tashmë afati për aplikim në konkursin në fjalë është mbyllur dhe procesi i përzgjedhjes ka ecur para, me përzgjedhjen e kandidatëve për intervistim, IKD-ja i rekomandon Zyrës së kryeministrit që ta anulojë konkursin për drejtorë të bordeve të ndërmarrjeve publike, për shkak të kritereve joligjore dhe diskriminuese të aplikuara në formularin e listës kontrolluese të kritereve të aplikacionit, si edhe ta rishpallë atë, duke paraqitur formularin të ndërtuar në atë formë që u mundëson të gjithë kandidatëve, të cilët përmbushin kriteret ligjore, të aplikojnë për pozitat e përcaktuara në konkurs”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Reagimi i plotë i IKD-së:
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj listës kontrolluese të kritereve të aplikacionit për konkursin për drejtorë të bordeve të ndërmarrjes publike qendrore, të shpallur më 15 korrik 2020, nga Zyra e kryeministrit, për shkak të kritereve joligjore të aplikuara në të.
Sekretari i përgjithshëm i Zyrës së kryeministrit, më 15 korrik 2020, ka shpallur konkurs për zgjedhjen e drejtorëve të bordeve të ndërmarrjes publike qendrore për ndërmarrjet publike, Telekomi i Kosovës, SH.A (TK); Posta e Kosovës, SH.A (PK); Korporata Elektroenergjetike e Kosovës SH.A (KEK); NPH Ibër Lepenc, Sh.A; Hekurudhat e Kosovës – InfraKos. Sh.A. Fushë Kosovë; Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor, Sh.A. Prizren; Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina, Sh.A. Prishtinë; Kompania Rajonale e Ujësjellësit Radoniqi, Sh.A. Gjakovë; Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica, Sh.A. Mitrovicë; Kompania Rajonale e Ujësjellësit – Hidromorava-Sh.A- Gjilan.
Kriteret në këtë konkurs janë përcaktuar, siç thuhet, në nenin 17 të Ligjit për ndërmarrjet publike nr. 03/L-087 dhe neni 9 të Ligjit nr. 04/L-111 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-087 për ndërmarrjet publike.
Në konkursin e shpallur nga Zyra e kryeministrit, tek kualifikimi dhe përshtatshmëria profesionale për kandidatët, thuhet se kandidati duhet: “Të ketë së paku pesë (5) vjet përvojë pune në nivel të lartë të menaxhimit në fushat e poshtëshënuara: në administrim të biznesit; financa të korporatave; financa publike; menaxhim thesari; banka; biznes konsultimesh; industri ose të ketë qenë së paku për 5 vjet kontabilist i certifikuar, jurist i kualifikuar, ose anëtar i kualifikuar i ndonjë profesioni tjetër që ndërlidhet me veprimtarinë afariste të ndërmarrjeve publike qendrore”.
Kritere të njëjta janë përcaktuar edhe në Ligjin nr.03/L-087 për ndërmarrjet publike, përkatësisht, në nenin 17, pika b, thuhet se kandidati për drejtor “duhet ose (i) të ketë së paku pesë (5) vjet përvojë – së paku në një nivel të lartë të menaxhmentit – në fushën e administrimit të biznesit, financave korporative, financa, menaxhim i thesari, banka, konsulencë në biznes ose industri ose nga një fushë tjetër e shkencës ose njohurisë e cila ka të bëjë me veprimtarinë afariste të NP-së; ose (ii) për së paku pesë (5) vjet, të ketë qenë kontabilist publik, jurist i kualifikuar, ose anëtar i kualifikuar i një profesioni tjetër i cili ndërlidhet ngushtë me veprimtarinë afariste të NP-së”.
Mirëpo, kriteret e përcaktuara në Ligjin për ndërmarrjet publike si dhe në konkursin në fjalë, nuk janë përfillur në listën kontrolluese të kritereve të aplikacionit.
Kjo listë, sipas konkursit të shpallur nga Zyra e kryeministrit, është përcaktuar si obligative për t’u dorëzuar bashkë me CV-në, letrën motivuese dhe dokumente të tjera. Dështimi për ta bërë këtë, sipas konkursit, kandidatëve do t’u rezultojë në refuzim të aplikacionit.
Kjo listë është publikuar nga Zyra e kryeministrit, më 30 korrik 2020 dhe është e qasshme në linkun: https://kryeministri-ks.net/ëp-content/uploads/2020/07/0-Final-Shqip_-_Lista_kontrolluese_e_kritereve_per_aplikim_per_bordin_e_NP_PTK1.docx
E në hapësirën e parë që duhet të plotësohet nga kandidatët, te kriteret thelbësore, është vendosur vetëm opsioni i përcaktuar në nenin 17.3, pika b, (i), të Ligjit nr.03/L-087 për ndërmarrjet publike, ku thuhet se kandidati për drejtor duhet të ketë: “Së paku pesë (5) vjet përvojë në nivel të menxhmentit të lartë në një apo më shumë nga fushat në vijim: Gjeologji, xehetari, inxhinieri; ekonomi të tregut; menaxhment, kontabilitet apo juridik”, ndërsa nuk është përfshirë kriteri tjetër opsional i paraparë me nenin 17.3, pika b, (ii) “ose (ii) për së paku pesë (5) vjet, të ketë qenë kontabilist publik, jurist i kualifikuar, ose anëtar i kualifikuar i një profesioni vjetër, i cili ndërlidhet ngushtë me veprimtarinë afariste të NP-së”.
Në këtë rast, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike dhe me konkursin e shpallur nga Zyra e kryeministrit më 15 korrik 2020, formulari në fjalë fare nuk ka vendosur tek kriteret thelbësore, kriterin e përcaktuar në nenin 17.3, pika b, ii, të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, ku si kriter është përcaktuar se kandidati për drejtor duhet të ketë “(ii) për së paku pesë (5) vite, të ketë qenë kontabilist publik, jurist i kualifikuar, ose anëtar i kualifikuar i një profesioni vjetër, i cili ndërlidhet ngushtë me veprimtarinë afariste të NP-së”.
Në këtë rast, kriteret e përcaktuara në ligj dhe konkurs nuk janë kumulative apo nuk duhet të përmbushën të dy kriteret njëkohësisht por janë alternative, pra mjafton të plotësohet njëri prej tyre. Formulari në fjalë, nuk ua ka dhënë kandidatëve këtë mundësi, duke shpërfillur tërësisht kriterin (ii), të përcaktuar në nenin 17.3, pika b të Ligjit nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike dhe në këtë mënyrë edhe duke eliminuar aplikime potenciale të kandidatëve të tjerë.
IKD-ja e sheh si shumë shqetësuese qasjen jo ligjore të ndërtuar në formularin “Lista kontrolluese të kritereve të aplikacionit”, pasi ai nuk është i bazuar as në konkursin për drejtorë të ndërmarrjeve publike e as në Ligjin për ndërmarrjet publike.
Si i tillë, ky formular i ndërtuar në këtë formë është përjashtues për shumë kandidatë, të cilët i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj dhe në konkurs, duke e delegjitimuar krejt procesin e përzgjedhjes së drejtorëve.
Duke qenë se tashmë afati për aplikim në konkursin në fjalë është mbyllur dhe procesi i përzgjedhjes ka ecur para, me përzgjedhjen e kandidatëve për intervistim, IKD-ja i rekomandon Zyrës së kryeministrit që ta anulojë konkursin për Drejtor të Bordeve të Ndërmarrjeve Publike, për shkak të kritereve jo-ligjore dhe diskriminuese të aplikuara në formularin e Listës kontrolluese të kritereve të aplikacionit, si dhe ta rishpallë të njëjtin, duke paraqitur formularin të ndërtuar në atë formë që u mundëson të gjithë kandidatëve të cilët përmbushin kriteret ligjore, të aplikojnë për pozitat e përcaktuara në konkurs.
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...
Sali Berisha i bashkohet protestës së opozitës në Tiranë: Nu...