Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe familja e viktimës Sebahate Morina, me shqetësim e kanë pranuar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), lidhur me masën e butë të shqiptuar ndaj prokurores Hava Krasniqi për neglizhencën e saj në trajtimin e rastit të tani të ndjerës Sebahate Morina, të cilës iu mohua e drejta për jetë.
Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin e 22 marsit 2023, ka konstatuar se vrasja e saj erdhi si pasojë e neglizhimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Stacioni Policor në Graçanicë.
Me anë të një komunikata për media, KPK njofton se ka vendosur që ndaj prokurores Hava Krasniqi, të shqiptoi masë disiplinore zbritje e pagës për 30% për 12 muaj.
KPK e dënoi prokuroren Krasniqi me rreth 6.000 euro gjobë, për neglizhencën e saj në trajtimin e një rasti të dhunës në familje që për pasojë sipas Gjykatës Kushtetuese, ia ndërpreu jetën në gjysmë një gruaje – nënë e katër fëmijëve.
Edhe më shqetësuese është fakti se vendimi i KPK-së, përmes të cilit znj. Krasniqi i shqiptohet masa disiplinore për një vjet, nuk ka të bëjë vetëm me rastin e vrasjes së znj. Sebahate Morina. Ky vendim është nxjerrë edhe për një shkelje tjetër disiplinore në një rast tjetër, i cili është pjesë e këtij vendimi.
“Vendimi i KPK-së përveç se dokumenton kulturën e instaluar të mungesës së llogaridhënies së sistemit prokurorial. Për më tepër, promovon kulturën e pandëshkueshmerisë së prokurorëve kur bëjnë shkelje të rënda të ligjit, të detyrave dhe përgjegjësive të tyre. Ky vendim, paraqet edhe sulm dhe cenim të dinjitetit të viktimave të dhunës në familje dhe ul edhe më tutje besimin e tyre për të marrë drejtësi dhe siguri nga vet sistemi prokurorial”, thuhet në njoftimin për media, raporton Arbresh.info
Sipas vendimit të KPK-së prokurorja është gjetur përgjegjëse, pasi kishte dështuar në ushtrimin e profesionit të prokurorit, ngase nuk kishte vlerësuar rrezikshmërinë dhe kishte dështuar të marrë veprime urgjente sipas kompetencave ligjore. Kjo kishte rezultuar në vrasjen e Sebahate Morinës nga ish-bashkëshorti i saj, i cila më pastaj kishte vrarë edhe veten.
E për gjithë këtë, KPK i shqiptoi prokurores Hava Krasniqi masën disiplinore “zvogëlim të pagës 30% për një vit”. Ky vendim u konfirmua nga Gjykata Supreme.
Sipas Ligjit Nr. 06/L – 057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve [neni 7.2.] masat disiplinore shqiptohen vetëm në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe duke marrë parasysh, ndër të tjera, numrin dhe seriozitetin e shkeljeve disiplinore të kryera nga një gjyqtar apo prokuror, pasojat e shkeljes disiplinore dhe rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore.
Në rastin konkret, siç u konstatua nga Gjykata Kushtetuese, pasoja është humbja e jetës së një gruaje, për shkak të lëshimeve të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Stacionit Policor në Graçanicë. E drejta që është shkelur në rastin konkret, është e drejta më sublime e çdo njeriu, nga e cila derivojnë dhe marrin kuptim të gjitha të drejtat e tjera. Ndërsa, kësaj pasoje, KPK ju përgjigj me një vendim për ulje të pagës për 30% përgjatë një viti.
Përtej sanksionit të shqiptuar, vendimi i KPK-së tenton ta neutralizojë dështimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në mbrojtjen e së drejtës në jetë. Me përjashtim të një rasti, shkarazi, askund nuk përmendet vrasja e znj. Sebahate Morina e as vetëvrasja e ish-bashkëshortit të saj. Po ashtu, në vendim nuk përmendet as aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili konstatoi mohimin e së drejtës në jetë, aktgjykim ky të cilin Raporti i Komisionit Evropian e konsideroi si historik.
Në tërësinë e tij, vendimi i KPK-së pos që nuk merret me ish-Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Kujtim Munishi, i njëjti përdor një gjuhë që me çdo kusht tenton të heqë përgjegjësinë e të njëjtit për këtë rast.
Duhet rikujtuar faktin se në kohën kur ishte vrarë znj. Sabahate Morina, si rezultat i lëshimeve të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kjo prokurori udhëhiqej nga z. Munishi. Kur në mars të vitit 2021 IKD kishte publikuar analizën ku dëshmonte përgjegjësinë e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vrasjen e znj. Sebahate Morina, gjetjet e së cilës analizë u konfirmuan nga Intitucioni i Avokatit të Popullit dhe Gjykata Kushtetuese.
Por, në kohën kur kishte ndodhur rasti, Prokuroria Themelore në Prishtinë, e udhëhequr nga z. Kujtim Munishi, kishte lëshuar komunikatë për media, duke i cilësuar gjetjet e IKD-së si të paqëndrueshme, joprofesionale dhe tendencioze. Përkundër thirrjeve, z. Munishi asnjëherë nuk vepronte, deri në momentin kur Gjykata Kushtetuese, pas rreth 2 viteve që kur kishte ndodhur vrasja, konstatoi shkeljen e së drejtës në jetë si pasojë e mos veprimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Stacionit Policor në Graçanicë.
Përballë gjithë kësaj përgjegjësie, sistemi prokurorial nuk e mbajti përgjegjës z. Munishi. Madje, të njëjtit iu mundësua që ai të iniciojë procedurën disiplinore, derisa ndaj vet z. Munishi, nuk u iniciua fare procedurë disiplinore. Pos amnistimit, KPK është siguruar që emri i z. Munishi mos të mbetet fare në vendim. Pa asnjë arsye, emri i z. Munishi është anonimizuar në vendimin e publikuar nga KPK.
Mënyra e veprimit në këtë rast nga KPK lë dyshime të theksuara për tendencë të fshehjes së këtij rasti. Vendimi i KPK-së në këtë rast është marrë më 26 qershor 2023, ndërsa është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme më 1 gusht 2023. Edhe pse vendimi ishte konfirmuar nga Gjykata Supreme para afro 6 muajsh, ai nuk ishte publikuar në faqen zyrtare të KPK-së. E kjo, nga KPK ishte arsyetuar me atë se ishte hequr rastësisht nga portali i KPK-së.
Kjo mënyrë e veprimit të KPK është mesazhi më i keq që organi i ndjekjes penale dërgon tek të gjitha viktimat e dhunës në familje. Miratimi i ligjeve, politikave dhe strategjive të ndryshme për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje nuk ka asnjë kuptim nëse Prokurori i Shtetit nuk vepron në mënyrë adekuate dhe KPK nuk ofron llogaridhënie në rastet kur kjo nuk ndodh. Me këtë procedurë disiplinore (që erdhi vetëm pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese) dhe këtë vendim disiplinor, KPK dëshmoi mungesën e vullnetit për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje.
Në anën tjetër, kjo mënyrë e veprimit të KPK dëshmon qartazi veprimin korporatist të këtij institucioni. Ky vendim, në thelb, tregon se dështimi i parandalimit të dhunës në familje dhe krimeve të tjera nuk ndërlidhet me mungesën e ligjeve, politikave dhe strategjive, por mungesën thelbësore të vullnetit të KPK për llogaridhënie. Ky vendim i KPK, është vetëm vazhdimësi e instalimit të kulturës së pandëshkueshmerisë.
Për këto arsye, procesi i vetingut dhe reforma e thellë në KPK mbesin të paalternativa. Rasti si ky paraqesin rivërtetim të nevojës për zhvillimin e këtyre proceseve, që duhet të ndodhin sa më parë./Arbresh.info/
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...