Identifikohen 32 fëmijë lëmoshë-kërkues, iniciohen 21 raste për keqpërdorim nga familja

19:23 | 24 Mars 2023
E.H

Policia e Kosovës ka hartuar dhe zbatuar planin operativ ‘identifikimi i fëmijëve lëmosh-kërkues si viktima të mundshme të trafikimit’, i cili është shtrirë në tërë territorin e vendit nga data 20 deri 24 mars 2023.

“Gjatë zbatimit të këtij plani operativ janë kryer këto veprime:

• Identifikimi i 32 fëmijëve lëmoshë-kërkues (25 shtetas kosovarë dhe 7 shtetas të Shqipërisë);

• Identifikimi i 34 lëmoshë-kërkuesve të rritur (17 shtetas kosovarë dhe 17 shtetas të Shqipërisë);

• Është identifikuar një viktimë e trafikimit me qenie njerëzore dhe

• Janë identifikuar 25 të dyshuar ndaj të cilëve janë iniciuar një rast ‘trafikim me qenie njerëzore’ dhe 21 raste ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’”, thuhet në njoftim.

Në zbatim të planit pos të gjitha njësive rajonale të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, janë përfshirë edhe prokuroritë rajonale përkatëse, Qendrat për Punë Sociale, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, policia kufitare dhe policia e stacioneve të rendit publik.

“Të gjithë fëmijët lëmoshë-kërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjaret e tyre. Policia ka realizuar veprime për të identifikuar viktima të mundshme të trafikimit me njerëz nga ku ka rezultuar vetëm një rast. Kurse në rastet tjera, të gjithë fëmijët e hasur duke kërkuar lëmoshë janë referuar në QPS-në përkatëse. Shtetasit e Shqipërisë janë trajtuar nga zyrtarë të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj të PK-së”, thuhet në fund të njoftimit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme