Google ADS

Ibrahimi: Pezullimi i taksës tregon lidership dhe jo dobësi

09:52 | 28 Janar 2019
Arbresh.info

Analisti politik Ilir Ibrahimi, vlerësoi se investimi i administratës amerikane për të siguruar një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë duket se vjen nga nivele më të larta dhe do të ishte katastrofike nëse lidershipi kosovar nuk arrin ta lexojë këtë.

“Deklarata e administratës amerikane e bën të qartë se dialogu Kosovë- Sërbi është interes strategjik amerikan. Kjo e qartëson se suksesi i këtij dialogu shkon përtej interesave të ngushta regjionale, nisur nga zhvillimet e fundit gjeopolitike. Lidershipi kosovar në asnjë mënyrë nuk guxon të rreshtohet kundër apo të bëhet pengesë e interesave strategjike amerikane”, tha Ibrahimi.

Sipas tij taksa e vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjës ka qenë një veprim politik i cili besoj se tanimë ka arritur qëllimin e vet. Ai tha se Kosova ka treguar se di të mbrojë interesat e veta dhe nuk heziton të marrë hapa edhe nëse ato veprime jo gjithmonë priten mirë në arenën ndërkombëtare dhe ky është një shembull i veprimit të një shteti sovran në të drejtën e vet.

“Por tash jemi para një momenti tjetër ku kjo taksë po kërkohet të pezullohet për ti hapur rrugë dialogut. Këtë po e kërkon përkrahësi më i madh dhe më i rëndësishëm i Kosovës. Prandaj lidershipi Kosovar duhet të gjej guximin politik dhe ta pezullojë këtë taksë dhe të dëshmojë se interesat e Kosovës janë në linjë me ato amerikane. Investimi i administratës amerikane për të siguruar një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë duket se vjen nga nivele më të larta dhe do të ishte katastrofike nëse lidershipi kosovar nuk arrin ta lexojë këtë. Nëse ky dialog nuk rezulton me atë që pritet, pra njohja reciproke ndërmjet Kosovës e Serbisë, taksa e pezulluar mund të hyjë prapë në fuqi. Ka edhe shumë metoda tjera që Kosova mund ti përdorë për tu sjellur si shtet, dhe për të mbrojtur sovranitetin dhe interesin e vet, qoftë ndaj Serbisë apo ndonjë vendi tjetër. Me vendimin për taksën tanimë e kemi dëshmuar këtë”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme