Google ADS

Ibrahimi: Nëse Qeveria nuk i zhbllokon paratë e komunave, do e dërgojmë rastin në Gjykatën Kushtetuese

13:03 | 20 Maj 2023
A. B.

Qeveria e Kosovës i ka pezulluar të hyrat vetanake të komunave.

Këto të hyra kapin shifrën e 37.5 milionë eurove, dhe janë të hyra që vijnë nga vitet paraprake. Pra, paratë e pashpenzuara në vitin paraprak, sipas ligjit, u ndahen komunave me të filluar viti tjetër.

Megjithatë, Ministria e Financave ende nuk ka miratuar ndarjen e mjeteve financiare për komunat e vendit, ashtu siç parasheh Ligji për Menaxhimin e Financave Publike, ku neni 27 i këtij ligji thotë: “Mjetet vetanake të pashpenzuara duhet t’u barten komunave në vitin e ardhshëm fiskal”.

Ato para, Qeveria nuk mund t’i merr, sepse kjo do nënkuptonte shkelje të ligjit, por ajo ka kompetencën e mjaftueshme që ato t’i mbajë pezull.

Për këtë çështje, Arbresh.info ka realizuar një intervistë me drejtorin ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, i cili ka deklaruar se 37.5 milionë eurot e pashpenzuara në vitin 2022, nuk po iu barten komunave, rrjedhimisht, po mbahen pezull nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

Në takimin që të hënën e 15 majit kanë mbajtur kryetarët e komunave me kryeministrin Kurti dhe kabinetin e tij, u diskutua edhe për këtë çështje, ku sipas Ibrahimit, kryetarët kanë kërkuar zgjidhje, meqë sipas tij, diskutimi më është i kotë.

“Nëse nuk ka zgjidhje të shpejtë dhe urgjente dhe këto mjete zhbllokohen ka shtatori, më nuk ia vlen, sepse është shumë vonë dhe vështirë që të shpenzohen paratë, sepse ligji aktual për prokurimin publik nuk i lejon komunat që këto mjete t’i shpenzojë shumë shpejtë, por duhen kryer procedurat burokratike, në mënyrë që të bëhen investimet në terren”, deklaroi Ibrahimi për Arbresh.info.

Gjatë këtij takimi, ai thotë se Qeveria është zotuar se do ua jep ato mjete, teksa tha se kërkesat që i kanë bërë më herët si AKK drejt Qeverisë, kanë hasur në vesh të shurdhër.

Ky takim, sipas tij, nuk u mbajt për diskutimin e problemeve dhe daljen në fotografi të kryetarëve me kryeministrin, por për zgjidhjen e problemeve.

Sipas ligjit, të hyrat vetanake të komunave duhet të përkthehen në investime kapitale, ku sipas Ibrahimit, janë mbi 200 të tilla.

“Dhe 37.5 milionë euro për komunat nuk janë pak, ndoshta për Qeverinë po sepse ata kanë buxhet miliardësh, por për komunat është një shumë jashtëzakonisht e madhe”, tha ai.

28.8 milionë nga 37.5 milionë euro gjithsej, i takojnë komunës së Prishtinës.

Andaj, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka paralajmëruar se nëse nuk barten të hyrat vetanake te komunat, ai do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Për këtë, Ibrahimi deklaron se Rama e ka përkrahjen e plotë nga AKK-ja.

“Në këtë rast, kryetari Rama domosdoshmërisht do e ketë përkrahjen e AKK-së sepse është anëtar i joni dhe ne kërkojmë që mjetet të barten në nivelin lokal, ku Prishtina preket më së shumti. Por shpresojmë që të mos vijmë deri te këto veprime sepse Qeveria është e vetëdijshme që ka shkaktuar problem, dhe kur shkakton problem, duhet ta zgjidhësh”, tha Ibrahimi për Arbresh.info.

Për komunat e vogla, kjo po konsiderohet jashtëzakonisht problematike nga Ibrahimi, meqë me pak para, aty mund të shihen rezultatet praktike përmes investimeve.

Ai theksoi se tendenca të tilla nuk ka pasur në qeveritë e kaluara, ku synohet dëmtimi i komunave në aspektin buxhetor.

“Është habi, është çudi dhe sinqerisht është një padrejtësi e jashtëzakonshme që po u bëhet komunave të Kosovës. Ministri Murati e din mirë që këto mjete nuk mund t’i shpenzojë, andaj pse me i mbajt pezull? Më mirë është që t’ia jep komunave në mënyrë që të bëjë investime kapitale ku përmirësohet jeta e qytetarit përmes investimeve në rrugë, kanalizime, ujësjellës, trotuare, ndriçim publik, parqe, gjelbërim etj, se sa të mbahen pezull”, tha ai.

Përkundër dallimeve partiake ndërmjet kryetarëve të komunave të vendit, drejtori i AKK-së thotë se të gjithë kanë qenë bashkë në kërkesat e tyre drejtuar Qeverisë, edhe ata kryetarë që vijnë nga VV-ja.

“Në kuadër të 18 komunave që s’do kenë investime në këtë vit është edhe komuna e Podujevës e cila e ka kryetarin nga VV-ja. Edhe te çështja e tatimit në pronë, gjitha këto i prekin buxhetet e komunave dhe me veprimin për faljen e 100 eurove preket shumë edhe komuna e Gjilanit, gjithashtu me kryetarin që vjen nga VV-ja”, deklaroi Ibrahimi.

Ibrahimi thekson se qeverisja e Kurtit është e para që nuk i trajton komunat siç duhet, teksa thotë se me qeveritë e kaluara e kanë pasur të lehtë bashkëpunimin dhe gjetjen e konsensusit për ndonjë problem të caktuar.

Ibrahimi: Për herë të parë, Qeveria nuk po i trajton komunat siç duhet, por po i sheh si opozitë

Është hera e parë që Qeveria nuk i trajton komunat siç duhen të trajtohen, dhe shtoi se ajo po i sheh ata si opozitë.

“Në të kaluarën kurrë nuk kemi pas tendencë të Qeverisë që t’ia marrë kompetencat e nivelit lokal dhe të ndërhyjë në buxhetin e komunave. Pastaj edhe deklaratat në disa raste kundruall komunave, nuk janë të përgjegjshme. Komunat nuk janë opozitë në Kosovë, as AKK-ja nuk mund ta luajë rolin e opozitës. Ajo është në Kuvend”, tha ai.

Ibrahimi u ankua edhe për heshtjen e Qeverisë në kërkesat që ia dërgon AKK-ja dhe mungesën e partneritetit që ajo po tregon ndaj tyre.

Ndryshe, lidhur me këtë çështje, është zhvilluar një diskutim i ashpër edhe në Kuvendin e Kosovës, ku opozita e ka kritikuar Qeverinë se po ua ndal të hyrat komunave dhe rrjedhimisht, po ua minon buxhetin dhe po e vështirëson jetën e qytetarëve.

Kjo referuar projekteve kapitale që mund të realizohen me këto të hyra.

Më të zëshme për këtë, kanë qenë partitë si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilat pezullimin e mjeteve financiare nga ekzekutivi e kanë quajtur si të padrejtë.

Madje, LDK ka shkuar edhe më larg, duke e kushtëzuar bërjen e kuorumit në seanca ku votohen marrëveshjet ndërkombëtare me zhbllokimin e të hyrave vetanake të komunave.

Ndërkaq nga ekzekutivi, si ‘mburojë’ të bllokimit të parave për komunat, e kanë marrë drejtimin e ‘gishtit’ kah qeveritë e kaluara.

Ministri Murati është arsyetuar duke thënë se amandamentet dhe ligjet që janë miratuar nga këto qeveri, nuk po e lejojnë që t’i zhbllokojë këto para.

Madje, kryeministri Kurti para disa ditëve kishte thënë se komunat në Kosovë janë organizuar dhe po ia bëjnë opozitën Qeverisë.

Gjithsesi, nga takimi i fundit ka pasur indikacione pozitive dhe pritet që kësaj situate për një kohë të shkurtër t’i mësohet edhe epilogu./Arbresh.info/Emir Abduramani/

Video e intervistës

Të ngjashme