Ibrahim Rugova para 27 viteve kishte kërkuar vendosjen e trupave ndërkombëtare në Kosovë

18:00 | 16 Shkurt 2020
Arbresh Info

Ish-Këshilltari i Ibrahim Rugovës, Muhamet Hamiti, ka kujtuar kohën kur Presidenti i Kosovës kërkonte vendosjen e trupave ndërkombëtare dhe protektorat të OKB-së mbi Kosovën, si fazë kalimtare, sot 27 vjet, më 16 shkurt 1993, gjatë një vizite në SHBA.

“Këto kërkesa të Rugovës u panë për një kohë të gjatë si të parealizueshme, si nga politika ndërkombëtare ashtu edhe nga faktorë politikë kombëtarë në Kosovë. U bënë realitet 6 vjet më vonë, në qershor të vitit 1999”, ka shkruar Hamiti.

Ka publikuar edhe një shkrim që kujton edhe Planin 10-pikësh të Rugovës i vitit 1993.

https://www.facebook.com/muhamet.hamiti.33/posts/10158101796504828

KUJTESË, NË 27 VJETOR: KËRKESA PËR VENDOSJEN E TRUPAVE NDËRKOMBËTARE, PROTEKTORATIT TË OKB-SË NË KOSOVË

(Më poshtë, Fjala e Presidentit Rugova me Planin Veprues Dhjetëpikësh për Kosovën; 16 shkurt 1993)

Në shkurt të vitit 1993, Presidenti Ibrahim Rugova, i njohur atëherë si Kryetar i Republikës së Kosovës, zhvilloi një vizitë të rëndësishme në SHBA. I shoqëruar nga kryeministri i Qeverisë së Kosovës në mërgim Bujar Bukoshi dhe një delegacion ku bëja pjesë edhe unë, Ibrahim Rugova u takua në Washington DC me zyrtarë të State Department-it, pati takime në Kongresin Amerikan, ndërsa më 16 shkurt në Atlanta u takua edhe me ish-Presidentin Amerikan Jimmy Carter.
Në “Carter Center” në Atlanta atë ditë Presidenti Rugova paraqiti Planin e tij Veprues 10-pikësh për zgjidhejn e krizës së Kosovës.
Planin Veprues u paraqit para një auditori të gjerë në Carter Center më 16 shkurt 1993, më pak se një muaj mbasi Presidenti Bill Clinton mori detyrën.
Është i rëndësishëm konteksti kohor kur u shpall ky Plan, sidomos ideja për vendosjen e trupave të OKB-së apo të NATO-s në Kosovë si dhe vënia e Kosovës në protektoratin e Kombeve të Bashkuara, që do të realizohej 6 vjet më vonë, në qershorin e vitit 1999.
Presidenti George W. Bush kishte bërë në Krishtlindje të vitit 1992, në fund të mandatit te vet si President, vërejten e njohur (the Christsmas Warning), me të cilën i tërhiqte vërejtjen Presidentit serb Millosheviq se në rast të konflikit në Kosovë të shkaktuar nga Serbia, SHBA-të do të ndërhynin ushtarakisht.
Këtë politikë të Administratës së Bushit e riafirmoi menjëherë Administrata e Clinton-it nëpërmjet Sekretarit të Shtetit Warren Christopher.
Presidenti Ibrahim Rugova, siç shihet nga fjala e tij, shprehte drojën se ”tërheqja e vijës” mund të mos mjaftonte, se “kur sulmi serb të ketë filluar, çfarëdo reagimi i SHBA-së mund të jetë shumë i vonuar për Kosovën”. Për këtë arsye Rugova kërkoi vendosjen e trupave ndërkombëtare dhe proktektorat të OKB-së mbi Kosovën, si fazë kalimtare.
Këto kërkesa të Rugovës u panë për një kohë të gjatë si të parealizueshme, si nga politika ndërkombëtare ashtu edhe nga faktorë politikë kombëtarë në Kosovë.
Kishte më pak se një vit që kur Kosova kishte bërë zgjedhjet e veta demokratike, duke zgjedhur Kuvendin e Republikës, në të cilin LDK-ka kishte shumicën, dhe Kryetarin e Republikës së Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh me shumicë absolute me votë popullore.
Sot, në 27-vjetorin e shpalljes së këtij Plani vizionar, pothuaj profetik në restrospektivë, si dhe në vigjilie të 12-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ia vlen të rilexohet Plani 10-pikësh i Rugovës për të kujtuar rrugën që ka ndjekur lëvizja pavarësiste e Kosovës e drejtuar nga Presidenti historik, Ati Themeltar i Shtetit të Kosovës.

PLANI VEPRUES 10-PIKËSH I PRESIDENTIT RUGOVA

(Atlanta, SHBA,16 shkurt 1993)

Fjala e plotë e Presidentit Rugova:
“Mysafirë të nderuar,
Përfaqësues të mjeteve të informimit,
Zonja dhe zotërinj,

Delegacioni ynë ka ardhur në Amerikë këtë javë, me qëllim që t’i informojë udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe nëpërmjet mjeteve të informimit edhe popullin amerikan, për shtypjen dhe dhunën në rritje, të të gjitha të drejtave civile, njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Republikën e Kosovës. Ne jemi këtu për të shpallur një Kartë të Drejtash të Kosovës dhe të propozojmë një plan veprimi dhjetëpikësh për ta zgjidhur krizën e Kosovës dhe për t’i dhënë fund padrejtësisë.
Republika e vuajtur e Kosovës është në fakt problem bosht në krizën aktuale në ish-Jugosllavi. Ekspertët ndërkombëtarë parashohin se nëse Serbia vazhdon fushatën e saj të gjenocidit në Kosovë, ka shumë të ngjarë që konflikti në Ballkan të përhapet edhe në Maqedoni, Shqipëri, Bullgari, Greqi dhe mbase edhe në Turqi. Një luftë tinëzare më e gjerë do të pasonte në Ballkan.
Pasojat do të ishin të dimensioneve globale. Me dy milionë shqiptarë të pambrojtur nën mëshirën e makinerisë serbe të armatosur mirë, një masakër e përmasave të mëdha do të ndodhte brenda një kohe të shkurtër.
Qeveria ime po punon pareshtur për të parandaluar dhe për ta shmangur këtë mundësi. Populli i Kosovës është i përkushtuar për të bërë një fushatë të rezistencës paqësore kundrejt ligjit të imponuar serb të luftës.
Derisa e mirëpresim përsëritjen nga Sekretari i Shtetit z. [Warren] Christopher të zotimit të mëhershëm të Shteteve të Bashkuara për të reaguar në rast se Serbia shkakton “konflikt në Kosovë”, ne duhet t’ia përkujtojmë Amerikës se një paralajmërim i tillë vetvetiu nuk e ka ndaluar dhe nuk do ta ndalojë Serbinë të vazhdojë represionin e saj brutal në Kosovë, siç e bën duke mohuar të drejtat bazë civile, njerëzore dhe kombëtare të dy milionë shqiptarëve në Kosovë.

I.

Populli ynë jeton nën pushtetin e terrorit, të frikësimeve, keqtrajtimit dhe rrahjeve nga regjimi i Beogradit, i cili ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në vendin tonë. Liria e shtypit, liria e tubimit paqësor, liria e arsimimit, liria për të punuar, liria e qasjes në kujdesin shëndetësor, liria e shprehjes politike, liria e lëvizjes, liria fetare, liria nga të gjitha format e diskriminimit etnik dhe liria nga kontrolli dhe arrestimi, të gjitha janë shfuqizuar nga Serbia derisa Kosova mbetet pre e peshës gati të papërballueshme të një shteti policor.
Këto janë liritë bazë që të gjithë amerikanët i marrin si të vetëkuptueshme. Ato mbrohen në Kushtetutën tuaj dhe veçanërisht në Kartën tuaj të të Drejtave. Këto janë të drejta, të cilat u takojnë të gjitha qenieve njerëzore.
Çdo ditë në qytetet dhe fshatrat tona, shqiptarët merren për t’u keqtrajtuar apo edhe më keq. Liderët e partive tona politike dhe veçanërisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kërcënohen dhe shpeshherë arrestohen e rrihen.
Është e vështirë për amerikanët të marrin me mend se çfarë do të thotë ky anashkalim i të drejtave të njeriut.
Merreni me mend sikur jetoni në Boston, ku në çdo moment policia apo formacionet paraushtarake mund t’ju ndalin, t’ju kërkojnë dokumente identifikimi dhe t’ju marrin në pyetje për aktivitetet tuaja politike dhe ndoshta edhe t’ju burgosin dhe t’ju rrahin. Një qytet, ku ju është dashur të mbani takime të fshehta me qytetarët liridashës për të hartuar strategjinë tuaj dhe për të planifikuar hapat për të luftuar për liri.
Mendoni sikur jetoni në Çikago, ku të gjitha shkollat publike do të ishin të mbyllura për ju, ku prindërit do të organizonin orë mësimore për shkollat e mesme në shtëpitë e tyre, pa energji elektrike, pa ngrohje apo pajisje përkatëse për mësim.
Paramendojeni sikur jetoni në Denver, ku ju jeni të privuar madje edhe nga kujdesi minimal shëndetësor, për shkak të diskriminimit tuaj në bazë etnike, ku gratë shtatzëna kanë frikë nga lindja e foshnjave të tyre, për shkak të mosbesimit, të arsyeshëm, të mjekëve kujdestarë.
Mendoni sikur jetoni në Dallas, ku ju pa asnjë arsyetim jeni larguar nga puna, nga zyra juaj në një uzinë prodhuese, të cilën ju e keni ndihmuar të ndërtohet, vetëm për shkak se ju nuk keni qenë pjesë e një grupi të caktuar etnik, ku një punonjësi, i cili ka qenë një minator apo punëtor në fabrikë i është dhënë një vendim për përjashtim nga puna vetëm për shkak të përkatësisë së tij etnike.
Mendoni sikur jetoni në Atlantë, ku aeroporti është mbyllur për trafikun tregtar, ku i vetmi mjet për të transportuar ndihmat ndërkombëtare është ndërprerë, jo për shkak se aeroporti nuk ka mundur të operojë, por për shkak se autoritetet kanë dashur ta kontrollojnë lëvizjen tuaj dhe burimin tuaj të ushqimit e të medikamenteve.
Këto mendime të tmerrojnë dhe të neveritin në botën e civilizuar e të lirë. Ndërkaq, këto janë pikërisht kushtet nën të cilat ne, dy milionë shqiptarë, jetojmë në Kosovë çdo ditë. Kjo po vazhdon qe shumë vite, por është përshkallëzuar gjatë tre vjetëve të fundit.
E ardhmja nuk është e ndritur. Derisa ne takohemi këtu, nga Kosova, posaçërisht nga kufiri Kosovë – Shqipëri, mbërrijnë njoftime se shtypësit serbë po e shtojnë dhunën ndaj disidentëve politikë, të cilët po protestojnë kundër heqjes së të drejtave të njeriut.
Derisa ne po takohemi, njerëz brutalë me qëllime mizore marshojnë rrotull Prishtinës me ndihmësit e tyre që u shkojnë pas, duke u mburrur me pushtetin e tyre të frikës dhe duke u kapardisur nëpër rrugë derisa parafytyrojnë madhështinë që buron nga energjia e egër dhe kontrolli mbi njerëzit e pambrojtur, të cilët i urrejnë.
Në këto çaste, njerëzit që kërkohen nga drejtësia ndërkombëtare dhe që kanë premtuar që tmerrin e gjenocidit të tyre etnik të kryer në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë do ta sjellin edhe në Kosovë, përfaqësojnë Kosovën në Kuvendin e Serbisë.
II.
Bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë se derisa ne po flasim, agresorët serbë janë duke vendosur artilerinë e tyre përreth fshatrave e qyteteve të Kosovës. Ata janë duke rregulluar trajektoret e tyre me fokusim të qartë në shënjestër. Ata janë duke identifikuar ku jetojnë serbët e ku shqiptarët, në mënyrë që armët e tyre të qëllojnë caqet e duhura.
Ata po armatosin çdo serb në Kosovë, duke konfiskuar çdo armë të gjetur midis shqiptarëve. Ata madje ngrenë padi të rreme kundër shqiptarëve duke vendosur armë në shtëpitë dhe automjetet e tyre, dhe pastaj duke i arrestuar ata pas një kontrolli të paligjshëm.
Ata janë duke përgatitur sulme masive mbi shqiptarët në gjithë vendin brenda një kohe shumë të shkurtër. Brenda pak orësh, ata do të mund të bënin kërdi mbi Kosovën, duke bërë që Bosnja, po të krahasohej, të dukej rast i lehtë.
Për shkak se konflikti tashmë ekziston dhe për arsye se ekstremistët serbë janë përgatitur për sulm, ne jemi të detyruar të vëmë në pikëpyetje “tërheqjen e vijës” në Kosovë nga Amerika.
Në fakt, kur sulmi serb të ketë filluar, çfarëdo reagimi i SHBA-së mund të jetë shumë i vonuar për Kosovën. Megjithatë, ne e mirëpresim dhe e përkrahim zotimin e Sekretarit Christopher për të “parandaluar Serbinë që ta zgjerojë luftën” në Kosovë dhe/apo në Maqedoni.

III.

Përballë veprimeve gjithnjë e më të dhunshme të serbëve kundër shqiptarëve dhe frikës gjithnjë e më të madhe se Serbia në çdo çast mund të ndërmarrë sulm masiv ushtarak, ne kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare, e në veçanti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të na përkrahin në planin veprues 10-pikësh për ta zgjidhur krizën e Kosovës, i cili përfshin veprimet e mëposhtme:

  1. Vënien e menjëhershme të një numri domethënës të trupave të OKB-së apo të
    NATO-s në Kosovë;
    2. Vënien e Kosovës nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara;
    3. Vënien e shumë më tepër vëzhguesve të OSBE-së në vendin tonë;
    4. Zgjerimin e zonës së ndalim-fluturimit mbi Kosovë;
    5. Ndalimin e “spastrimit etnik” të heshtur të Kosovës, i cili po kryhet nëpërmjet
    kërcënimeve të serbëve;
    6. Çarmatimin dhe shpërndarjen e njësive paramilitare serbe, vënien e artilerisë së
    rëndë serbe nën mbikëqyrjen ndërkombëtare;
    7. Rihapjen e Aeroportit të Prishtinës për fluturime të ndihmës humanitare;
    8. Ndalimin e kolonizimit të Kosovës nga Serbia;
    9. Lejimin që të mblidhet Kuvendi i zgjedhur me vota të lira;
    10. Përjashtimin e Kosovës nga sanksionet ndërkombëtare të vëna mbi Serbinë dhe Malin e Zi.

IV.

Filozofi i njohur britanik, Edmund Burke, ka thënë se gjëja e vetme që nevojitet për të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë.
Burrat dhe gratë e mira të Kosovës janë çuar në këmbë. Ata nuk po heshtin. Ata janë duke vepruar me guxim, me vendosmëri dhe me besim se Amerika dhe bota e lirë do të ndihmojnë që triumfi i së keqes në Kosovë të parandalohet.”

(Marrë nga libri “Presidenti Rugova”, Presidenca e Kosovës, Prishtinë, 2007, ff. 58-62).

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme