Katër komuna të veriut mbetën pa kryetarë që nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar.
Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviqi e Mitrovica e Veriut janë pa qeverisje tash e më shumë se katër muaj shkruan lajmi.net.
Situata e mbetur pezull me dorëheqjet e tyre nuk është se nuk u konvenoi kryetarëve serbë.
Ani pse nuk dolën në punë asnjë ditë për katër muaj, në xhirollogaritë e tyre u doli rroga njësoj si ata të kryenin funksionin e tyre normalisht si kryetar.
Për katër muaj ata morën pagë bazë hiç më pak se nga 1 mijë e 287 euro.
Kjo u konfirmua për lajmi.net edhe nga zëdhënësi i ministrisë së Financave, Muharrem Shahini.
“Ju njoftoj se të gjithë Kryetarët e Komunave janë në listën e pagave dhe marrin pagat në mënyrë të rregullt, duke përfshirë këtu edhe kryetarët e komunave në veri”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Financave për lajmi.net.
Ajo që bie në sy është se megjithëse paga bazë e katër kryetarëve serbë të komunave është e njëjtë, ndryshon shuma neto që ata e marrin çdo muaj.
Tabela e pagave të katër kryetarëve serbë për muajin mars e siguruar nga ministria e Financave për lajmi.net.
E institucionet po tregohen të ngathëta për zgjidhjen e kësaj situate.
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Beqir Fejzullahu kishte thënë për lajmi.net se dorëheqja e katër kryetarëve ishte refuzuar për shkak se të njëjtit, shtetit të Kosovës i ishin referuar si “Kosovë e Metohi”.
Më vonë, nga zyra për informim e kësaj ministrie kishin thënë për lajmi.net se kjo çështje ka kaluar në kompetencë të Qeverisë së Kosovës.
Lajmi.net ka kërkuar përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës se si do të veprohet me këtë çështje, mirëpo një të tillë nuk e ka marrë.
Roli i KQZ-së pas emërimit të anëtarëve.
Bllokada e KQZ-së, nga shumëkush ishte parë si arsye për bllokim të gjendjes së krijuar me kryetarët e veriut.
Megjithatë, pak ditë më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekretoi anëtarët e rinj, duke i dhënë kështu fund periudhës së bllokimit të Komisionit Qendror Zgjedhor.
Nga vetë KQZ-ja, shprehen se janë të gatshëm të operojnë në veri, nëse eventualisht shpallen zgjedhjet.
Në pyetjen e lajmi.net nëse KQZ-ja është e gatshme të veprojë edhe në veri, në rast se shpallen zgjedhjet në katër komuna, ata thonë i kanë përmbushur detyrat e veta sa herë që u është kërkuar.
“ …ne nuk kemi diçka zyrtare lidhur me këtë temë. KQZ-ja është institucion i pavarur kushtetues dhe gjithmonë ka përmbushur detyrat e veta kushtetuese e ligjore, kurdo që i është kërkuar një gjë e tillë”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së për lajmi.net.
E në një situatë të tillë aktuale, katër kryetarët serbë të komunave në bazë të një përllogaritjeje të thjeshtë, për katër muaj i kanë kushtuar buxhetit të shtetit mbi 20 mijë euro pa dalë asnjë ditë në punë.
Kujtojmë, se arsye e dorëheqjes së katër kryetarëve serbë, kishte qenë vendosja e taksës ndaj mallrave që vijnë nga Bosnja e Serbia.
Të njëjtit në mënyrë demonstrative kishin lëshuar postet e tyre, duke u bërë thirrje serbëve që t’ i bojkotojnë të gjitha institucionet shtetërore.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu miraton “në ...
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...
PS propozon datën 11 maj për zgjedhjet parlamentare
Real Madridi merr një goditje të rëndë, konfirmohet lëndimi ...
Sara: Dua të heq anash çdo emocion
Fjalimi i Presidentes, Tahiri: Deklaratat se nuk mund t’i be...