I vazhdohet paraburgimi Ismet Bahtijarit

17:03 | 29 Korrik 2024
E.H

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Ismet Bahtijarit.

Vendimi është marrë nga gjykatësja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot më 26 korrik 2024, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Masselot po ashtu ka lëshuar edhe disa urdhra procedural për Bahtijarin dhe Zyrën e Prokurorit të Spcializuar (ZPS).

“Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëron: vazhdimin e paraburgimit të Z. Bahtijari; b. urdhëron Z. Bahtijari, nëse dëshiron të bëjë këtë, të paraqesë dorëzimet mbi rishikimin e ardhshëm të paraburgimit deri të hënën, më 26 gusht 2024, me përgjigjet dhe replikat që ndjekin afatin e caktuar në Rregullën 76 të Rregullave; dhe c. urdhëron ZPS-në, nëse Z. Bahtijari vendos të mos paraqesë asnjë dorëzim brenda afatit të lartpërmendur, të paraqesë dorëzimet mbi rishikimin e ardhshëm të paraburgimit të Z. Bahtijari deri të martën, më 3 shtator 2024, dhe Z. Bahtijari, nëse dëshiron të bëjë këtë, të paraqesë dorëzimet e tij jo më vonë se e martë, 10 shtator 2024”, thuhet në vendim.

Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se gjykatësja e procedurës paraprake ka konstatuar se ekzistojnë arsye të qarta me të cilat besohet se Bahtijari mund të arratiset, pengojë ecurinë e procedurave ose të kryejë krime të tjera.

Megjithatë, është shqyrtuar fakti nëse këto rreziqe mund të zbuten në mënyrë të përshtatshme nga ndonjë kusht për lirimin e tij.

Kur jemi tek kjo pikë, ZPS-ja në parashtrimet e saj kishte në kujtesë konstatimet e gjyqtarit në vendimin e katërt të vazhdimit të paraburgimit ndaj Bahtijarit, i cili kishte konstatuar se asnjë mënyrë e lirimit me kusht nuk mund t’i zbusë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet ekzistuese.

Megjithatë, ZPS-ja kishte parashtruar se paraburgimi ndaj Bahtijarit mbetet i arsyeshëm dhe proporcional.

“ZPS pohon se paraburgimi i Z. Bahtijari mbetet i arsyeshëm dhe proporcional. Në mbështetje, ZPS argumenton se procedurat vazhdojnë të ecin përpara me shpejtësi dhe çdo vonesë e fundit, e kufizuar në transferimin e dosjes së çështjes te paneli gjyqësor, ka qenë rezultat i kërkesave nga Z. Bahtijari dhe bashkë të akuzuarit e tij. Në fillim, gjykatësi i procedurës paraprake kujton rëndësinë e parimit të proporcionalitetit në përcaktimin e arsyeshmërisë së paraburgimit para gjykimit, siç pasqyrohet në Rregullën 56 (2) të Rregullave”, thuhet në vendim.

Tutje, gjyqtarja e procedurës paraprake kishte potencuar se në përputhje me Ligjin dhe rregullat e DhSK-së, paraburgimi ndaj Bahtijarit do të rishikohet çdo dy muaj ose sapo të shfaqet ndonjë ndryshim i rrethanave.

Gjithashtu, ajo ka konstatuar se koha që Bahtijari ka kaluar në paraburgim para se të fillojë gjykimi ndaj tij, nuk është e paarsyeshme andaj edhe është urdhëruar vazhdimi i kësaj mase ndaj tij.

Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.

Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.

Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.

Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.

Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.

Në seancën e parë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtijari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme