Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së tregoi për zhvillimet në çështjet të cilat po i trajton kjo gjykatë, duke njoftuar se iu është vazhduar paraburgimi Haxhi Shalës.
Sipas Doyle, gjykatësi i procedurës paraprake ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit për Shalën duke konstatuar se ekziston rreziku i arratisjes si dhe ai mund të pengojë ecurinë e procesit në DhSK.
“Më 9 shkurt, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Haxhi Shalës, duke konstatuar se ekziston rrezik i moderuar i arratisjes dhe arsye të artikulueshme për të besuar se z. Shala mund të pengojë ecurinë e procesit të Dhomave të Specializuara, ose të kryejë vepra penale të tjera”, tha Doyle.
Në po të njëjtën çështje gjyqësore, Doyle tha se me 8 shkurt është miratuar kërkesa e ZPS-së për të bashkuar çështjen gjyqësore ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtjarit dhe Haxhi Shalës.
“Më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e Prokurorisë për të bashkuar çështjen gjyqësore kundër Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit me çështjen kundër Haxhi Shalës. Gjykatësi konstatoi se bashkimi i dy çështjeve gjyqësore do t’i shërbejë administrimit të duhur të drejtësisë”, tha Doyle.
Doyle tha se tre të akuzuarit akuzohen për të njëjtat shkelje të pretenduara të cilat bazohen në të njëjta ngjarje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Të tre të akuzuarit akuzohen për të njëjtat shkelje të pretenduara (pengim të personave zyrtarë dhe frikësim gjatë procesit penal) bazuar në të njëjtat ngjarje. Konkretisht, të dyja aktakuzat pretendojnë se z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari së bashku u bashkërenduan dhe vepruan si grup për të kontaktuar një dëshmitar të mbrojtur me qëllim që ta bindnin të hiqte dorë nga pjesëmarrja në proces para Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha zëdhënësi i DhSK-së.
Po ashtu, ai tha se në po të njëjtën çështje, gjykatësi ka konstatuar se bashkimi i çështjeve gjyqësore nuk e dëmton dhe as nuk është në mospërputhje me të drejtat e të akuzuarve.
“Gjykatësi konstatoi gjithashtu se bashkimi i çështjeve gjyqësore nuk dëmton dhe as nuk është në mospërputhje me të drejtat e të akuzuarve”.
Ndërsa, në konferencën mbi ecurinë e çështjes gjyqësore të përbashkët kundër këtyre tre të akuzuarve, Doyle tha se gjyqtari dha disa urdhra në lidhje me financimin e mbrojtësve të të akuzuarve.
“Të martën, më 13 shkurt, u mbajt konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore të përbashkët kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës. Gjatë konferencës, Gjykatësi i Procedurës Paraprake lëshoi disa urdhra gojorë, ndër të cilët edhe urdhra në lidhje me financimin e mbrojtësve të të akuzuarve. Pasi dëgjoi Mbrojtjen dhe Prokurorinë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi Zyrën Administrative të DHSK-së që të kontaktojë urgjentisht Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës për të marrë sqarime në lidhje me këtë aspekt dhe të raportojë deri më 20 shkurt 2024. Konferenca e ardhshme mbi ecurinë e çështjes do të caktohet në mars”, tha ai.
Ligje të rëndësishme rrezikojnë të kthehen në pikën zero
“U dje kish nis”, videoja që nxjerr produksionin zbuluar – b...
Në një fesitval golash, Liverpooli triumfon derbin në udhëti...
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit