I plagosuri në Runik të Skenderajt vdes pas 45 ditëve në koma

20:09 | 26 Janar 2018
Arbresh.info

D.S. nga Runiku i Skenderajt nuk u ka mbijetuar plagëve që kishte marrë më 8 dhjetor të vitit të kaluar.
Ai ka vdekur dje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas më shumë se 45 ditëve në koma.

Lajmi për vdekjen e D.S është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

“Dje ka vdekur dhe i është bërë autopsia ndërsa sot pasdite trupi i pajetë u është dërguar familjareve për ta varrosur”, tha Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.

Në incidentin që kishte ndodhur më 8 dhjetor, Xh.T. dyshohet se për vrasjen e gruas të tij dhe plagosjen e baxhanakut D.S. dhe gruan e tij (F.S.).

KALLXO.com kishte shkruar më 11 dhjetor se blerja e një telefoni “Samsung” dyshohet të jetë motivi i vrasjes të së premtes të një gruaje në një fshat të Skenderajt.

Një raport zyrtar i Policisë flet për motivin që e shtynë Xh.T. të qëllojë për vdekje gruan e tij dhe plagosë baxhanakun dhe gruan e tij.

Sipas raportit të parë të Policisë, i dyshuari Xh.T. kishte deklaruar në polici se kishte një mosmarrëveshje me baxhanakun e tij për shkak të një telefoni.

Çifti D.S. dhe F.S. (motra e gruas së të dyshuarit) pretendohet se i kishin blerë një telefon celular gruas së dorasit.

“Për shkak të kësaj, i dyshuari Xh.T. e kishte thirrur në telefon D.S.-në dhe e kishin lënë të takoheshin në Runik. D.S. ka dalë në takim me bashkëshorten e tij, F.S.”, thuhet në dokumentin e Policisë.

I njëjti sqaron se në momentin e takimit i dyshuari e kishte thyer xhamin e veturës me pushkë “Dhjetëshe” ka shtënë në drejtim të viktimave D.S. e F.S., duke i plagosur të dy.

I dyshuari menjëherë është kthyer nga Runiku në Radishevë ku edhe banon, e ka nxjerrë bashkëshorten në oborr dhe e ka vrarë, dyshohet me të njëjtën armë, thuhet në raport.

Sipas informacioneve të siguruara nga KALLXO.com, Policia në Skenderaj ishte njoftuar të premten rreth orës 17:20 për një rast të plagosjes me armë zjarri në fshatin Runik.

Sipas këtyre informacioneve të besueshme, në Emergjencën e Skenderajt ishin dërguar tre persona të plagosur me armë zjarri dhe se si pasojë e plagëve F.T. kishte vdekur.

Ndërsa, i plagosur D.S. fillimisht ishte dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës e më pas në QKUK, në Prishtinë.

Kurse, bashkëshortja e D.S., F.S., që është motra e F.T., ishte dërguar në QKUK.

Po ashtu, KALLXO.com ka mësuar se ndërkohë ishte arrestuar i dyshuari, i cili ishte sjellë në stacionin e Skenderajt bashkë me armën me të cilën dyshohet se ka kryer veprat penale./kallxo.com

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme