I mungojnë anëtarët, por KQZ’ja thotë se është e gatshme për zgjedhje

20:32 | 23 Korrik 2019
L G

KQZ me kuorum të mjaftueshëm për zgjedhje, disa nga partitë ende pa përfaqësues. Zgjedhjet e jashtëzakonshme duket se janë të pashmangshme në vend.

Ndonëse ende nuk është marr një vendim nga Presidenti, për situatën e krijuar pas dorëheqjes se kryeministrit Ramush Haradinaj, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, thonë se janë gati për të organizuar këtë proces.

Por, KQZ-në zgjedhjet e radhë duket se do ta gjejnë të pakompletuar në përbërje.

Kjo pasi që disa nga partitë parlamentare ende nuk kanë asnjë anëtar të tyre si pjesë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në përbërje të këtij mekanizimi mungojnë përfaqësues të PAN-it, pasi që AAK e NISMA, dekretin e presidentit e kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese, raporton T7.

Ndërkohë, LDK-ja dhe Vetëvendosja janë të përfaqësuar nga dy anëtarë. Ndërsa partitë minoriteteve kanë katër anëtarë.

Por për KQZ-në ky fakt nuk paraqet problem.  Sipas zëdhënësit për media Valmir Elezi, KQZ ka kuorum të mjaftueshëm.

Por, njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se KQZ duhet të kompletohet me anëtarë.

Pavarësisht kësaj, KQZ është e gatshme për çfarëdo date që caktohet nga Presidenca për të organizuar zgjedhjet.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë nuk janë gjë e pazakontë. Të tilla ishin edhe zgjedhjet e kaluara, kur kryeministër u bë Ramush Haradinaj.

Kjo pasi që me një mocion mosbesimi ishte rrëzuar ish kryeministri nga radhët e LDK-së, Isa Mustafa.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme