Masakra e Dubravës që ka ndodhur gjatë datave 22-24 maj të vitit 1999 është një nga ngjarjet më tragjike dhe një ndër dëshmitë më të errëta të gjenocidit serb të kryer në Kosovë.
Në këtë masakër, u vranë të paktën 99 të burgosur shqiptarë të Kosovës dhe u plagosën rreth 200 të burgosur tjerë.
Hasan Zeneli ka qenë një nga të burgosurit e asaj kohe dhe i plagosur në këtë masakër, për të cilën thotë se ka qenë një ngjarje e paprecedentë dhe një e tillë nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës.
Si i mbijetuar i masakrës, Zeneli i ka të freskëta të gjitha ato pamje të tmerrshme dhe rrëfen sesi forcat serbe i kanë dërguar të lidhur në oborrin e burgut dhe më pas kanë filluar t’i bombardojnë ata.
“Diku rreth lindjes së diellit, më 22 maj me megafonë gardianët nga largësia na kanë lajmëruar që të bëhemi rresht për dy dhe të dalim në fushën e futbollit sepse tashmë këtu ka bombarduar NATO dhe më nuk ka kushte për të jetuar. Duke ecur në oborr nga fusha e futbollit, na kanë ndaluar dhe në atë moment janë futur nga jashtë muri më tepër se 10 granata dore në mesin tonë, pastaj kanë filluar të shtënat nga të gjitha kalibrat dhe nga të gjitha anët.
Zeneli thotë se numri i vërtetë i të vrarëve nuk është 99, por ai tejkalon shifrën prej 200 personave.
“Në atë fushë kanë mbetur e gjitha e mbushur me kufoma, ka ecë gjaku përrua në atë fushë futbolli aty, dhe nuk i kemi numëruar, por unë them se numri i të vrarëve ka qenë mbi 200 të vrarë. Sepse fusha ka qenë e stërmbushur me kufoma, nuk kemi mujtë me qit as kamën pa shkelë në njerëz, bazuar në këtë mendoj që kanë qenë më tepër se 200 apo 250 veta të vrarë dhe mbi 300 të plagosur”, tha Zeneli.
Ai tregoi se nga momenti i sulmit, ai ka formuar një grup të rezistencës të atypëratyshëm, me të cilët ka ndihmuar të burgosurit në nevojë.
Zeneli thotë se në mesin e grupit të rezistencës ka qenë edhe një i burgosur boshnjak, i cili ka ndihmuar po aq sa të burgosurit tjerë shqiptarë.
Dëshmitari rrëfen se si kanë dashur që ashtu të paarmatosur siç kanë qenë, ta mbysin ndonjë oficer serb dhe t’ia vjedhin armen, me qellim rezistencën ndaj tyre.
“Ne kemi pas në duar disa shufra të metalit e copëza të çimentos dhe e tërhoqëm lart derën e pavijonit dhe kur hynë ata në atë derë për me na ekzekutu brenda, ne me e lëshu edhe me i mbyt, pra ky ka qenë qëllimi ynë, që pasi t’i mbysim, me ja u marrë kallashat edhe më pas me e nxanë dikë tjetër të gjallë dhe me e mbytë”, rrëfeu ai.
Ai pretendon se edhe gjurmët e kësaj masakre janë fshehur. Për këtë ai fajëson kompaninë që mirëmbante këtë burg pas luftës.
“Përgjegjëse për zhdukjen e krimit në burgun e Dubravës është firma e cila ka bërë renovimin e burgut pas luftës. Ajo firmë i ka zhduk gjurmët, i ka zhduk granatat e dorës që me sytë e mi i kam pa që kanë qenë aty, minat që janë hedhë dhe me dhjetëra bomba që janë gjuajtur e nuk kanë eksploduar kudo nëpër burg. Shtyllat e ndriçimit aty kanë qenë të shpuara nga plumbat e kallashnikovit, e unë aty isha vitin e kaluar dhe nuk e pashë asnjë gjurmë”, tha ai.
Dëshmitari thotë se i njeh dy nga kriminelët serbë që morën pjesë në atë masakër. Ai madje i di me emra dhe pseudonime.
“Nëpër çdo pavijon kanë hy njësitë elite jugosllave apo serbe, atyre i printe Sreten Popoviq, i cili shtëpinë e tij e ka pas mbi hekurudhën te xhamia e Llapit në Prishtinë. Kam dëgjuar se ai aktualisht punon në Beograd. Ai quhej ndryshe “Popi”. Ai e ka në dorën e majtë të tij një tatuazh zemrën e vizatuar dhe brenda saj shkruan “JNA”. I dyti është serbi nga fshati Makoc i Prishtinës, Novica Rakoçeviq, i quajtur ndryshe si “Nolla”. Këta i kam pa me sytë e mi dhe kam arrit t’i identifikoj në sallën e edukatës fizike aty brenda burgut. “Nolla” aktualisht kam informacione se punon në Nish, si një polic i graduar lartë atje. Që të dy këta janë përgjegjës që i kam pa vetë unë”, tha Zeneli.
Ai bëri thirrje për institucionet e Kosovës që bashkë me të burgosurit e mbijetuar, të bëjnë padi ndërkombëtare ndaj Serbisë enkas për këtë masakër, teksa shtoi se me veprimet e saj ndaj civilëve, Serbia s’e meriton të jetë shtet.
Të plagosurit e Dubravës u morën me kamionë, ndërsa të burgosurit e mbetur u transportuan në burgun e Lipjanit, ku u rrahën. Më 10 qershor, ata u transferuan dhe u mbajtën në burgjet në Serbi me të mbaruar lufta.
Përputhja e dëshmive të dëshmitarëve, me detaje specifike për kohët dhe vendndodhjet, nuk lë dyshim se forcat e qeverisë serbe dhe me gjasë edhe ato jugosllave kanë vrarë me qëllim dhe pa nevojë një numër të konsiderueshëm shqiptarësh në burg.
Gjithsesi, kriminelët që kanë kryer këtë krim të tmerrshëm, ende nuk janë zbuluar dhe ende nuk ka të hapur asnjë rast gjyqësor ndaj dikujt në lidhje me këtë çështje./ Arbresh.info/Emir Abduramani/
Rusia ndal furnizimet me gaz për Austrinë
“Kosova, shteti më i vogël në botë me më së shumti pika karb...
Rama: Pagat në turizëm, konkurruese më Greqinë
Hiqet nga përdorimi lënda djegëse e mazutit, vendosen panele...
Nagavci nënshkruan kontratat për ndërtimin e tri çerdheve dh...
“Ishte vërtet e vështirë siç prisja të ishte”, deklarata e J...