Drejtori i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ishte arrestuar nga autoritetet japoneze në shtator të vitit 2015 me akuzën për ngacmim seksual gjatë një udhëtimi zyrtar.
Më pas MZHE e kishte suspenduar dhe më pas e kishte larguar përfundimisht nga puna Sejdiun pas procedurës disiplinore. Ramadan Sejdiu kishte bërë ankesë ndaj vendimit për largim nga puna, por më 26.11.2015 Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave e kishte hedhur si të pabazë ankesën e Sejdiut duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit Disiplinor.
Mirëpo, kur janë bërë më shumë se një vit e gjysmë nga largimi i tij nga puna, ish vartësitë e tij janë përkujdesur që t’i gjejnë një vend pune. Portali Veriu.info mëson se tash Ramadan Sejdiu është punësuar në Kompaninë Rajonale të Ujesjellesit “Mitrovica” dhe të hënën (12 qershor) e fillon punën.
Veriu.info ka kontaktuar me anëtarin e Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësi “Mitrovica”, Zukë Beqiri, i cili ka thënë se dokumentacioni i Ramadan Sejdiut ka qenë në rregull.
“Ne e kemi pyetur sekretarin dhe na ka thënë që dokumentacioni është krejt në rregull. Unë Ramadan Sejdiun më herët nuk e kam njoft. Nuk mundem me t’u përgjigj, sepse kryesuesi i dinë këto sene krejt. Thirre Blerimin dhe bisedo me të, sepse ne jemi marrë vesh që vetëm kryesuesi i Bordit të mundet me komuniku me gazetarë”, ka thë Beqiri.
Zukë Beqiri
Punësimin e tij për Veriu.info e ka konfirmuar Blerim Gërxhaliu, kryesues i Bordit të ndërmarrjes, por edhe ky na ka rekomanduar që të kontaktojmë me një zyrtar tjetër, përkatësisht me kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes.
“Vendimin e punësimit e nënshkruajmë ne, por pa rekomandimin e tij (v.j. kryeshefit ekzekutiv) nuk mundet me ndodh emërimi dhe me sa di unë procedura ka qenë krejt në rregull sipas ligjeve në fuqi. Krejt konkurruesit kanë sjellë dëshmi se nuk janë nën hetime”, ka thënë Gërxhaliu, sipas të cilit, nuk ka ndonjë sanksionim ligjor që ia pamundëson punësimin Sejdiut në këtë ndërmarrje, ani pse ka qenë mbikëqyrës i saj dhe kryeshefi ekzekutiv i tanishëm ka qenë zëvendëskryeshef në kohën kur ai udhëheqte Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në MZHE.
Blerim Gërxhaliu
“Është herë e tretë që po shpallim konkurs për zyrtarin kryesor financiar, mungesa e të cilit na ka sjellë probleme. Tash ka ardhur një njeri kompetent dhe i përgatitur. Është hera e parë që në intervistë e kam parë. Na (v.j. bordi) më 24 tetor të vitit 2015 e kemi marrë detyrën dhe nuk kam pas qasje me atë njeri, kurrë nuk e kam parë. Megjithatë, gjithë këtë proces e ka monitoruar edhe Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike e MZH-së, të cilës na i raportojmë direkt dhe mund ta konfirmoj këtë”, ka thënë kryesuesi i Bordit Blerim Gërxhaliu, i cili është edhe djali i vëllait të gruas së presidentit Hashim Thaçi.
Pasi që Gërxhaliu deklaroi se Sejdiu është njeri kompetent për këtë punë si zyrtar kryesor financiar, Veriu.info ka kërkuar që të dijë se a ka sjellë dëshmi që ka punuar ndonjëherë si përgjegjës financiar, ndërsa kryesuesi i Bordit të ndërmarrjes tha: “Unë për këtë arsye meqenëse është detyra shumë e ndjeshme, kam kërkuar që të vlerësohet përfomanca dhe kontrata do të jetë vetëm gjashtë mujore”.
Edhe pse Blerim Gërxhaliu dhe Zukë Beqiri thonë se nuk e kanë njohur më parë Ramadan Sejdiun, pasi që në kohën e emërimit të tyre, ai ishte veç i suspenduar nga puna në MZHE, Veriu.info mëson se anëtarët e tanishëm të Bordit për pozitat që i mbajnë kanë aplikuar në muajin shkurt të vitit 2015 dhe procesi i punësimit të tyre ka zgjatur pastaj deri në fund të tetorit.
Pas rekomandimit nga kryesuesi i Bordit Blerim Gërxhaliu, Veriu.info ka kontaktuar edhe me kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes, Sami Mifarin, i cili thotë se punësimi i Ramadan Sejdiut ka ndodhur për shkak se ka pasur pikë më së shumti gjatë intervistimit.
“Na i kemi kërkuar dëshminë që nuk është nën hetime dhe ai e ka sjellë. Në konkurs kanë konkurruar pesë persona dhe Ramadan Sejdiu ka pasur pikë më së shumti. Edhe me ligjin mbi ndërmarrjet publike ai nuk ka konflikt interesi, pasi që pas një viti të largimit nga detyra si Drejtor i Njësisë së Monitorimit në MZHE, ka të drejt të punësohet. Kështu është me ligj”.
Sami Miftari (dhe Adem Grabovci)
Veriu.info ka mësuar se konkursi i zyrtarit kryesor financiar është anuluar dy herë më parë, ndërsa tash në herën e tretë është punësuar Ramadan Sejdiu, që nënkupton se vetëm herën e tretë ai e ka plotësuar kushtin ligjor që të aplikoj.
“Sa herë u kanë konkursi, na i kemi thirr në intervistë dhe nuk ka pasur kandidat serioz”, ka thënë Miftari, i cili thotë se Sejdiu i ka pesë vite përvojë pune në menaxhim të lartë financiar, por që ka thënë se javën e ardhme do të mund ta dëshmoj këtë.
Veriu.info ka kontaktuar disa herë edhe me udhëheqësin e divizionit për komunikim me publikun në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Naim Zeqiri, mirëpo ai nuk ka arritur të jap përgjigje për këtë çështje./Veriu.info/
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...