Kjo është shtëpia e 72 vjecarit, Ilaz Maliqi nga fshati Gregjenik i komunës së Kamenicës.
Nga jashtë duket një shtëpi si gjithë të tjerat, por kur hynë brenda saj, e kupton që është më shumë se një shtëpi.
72 vjecari në mini-muzeun që ka krijuar,ka koleksionuar dhe ruan me fanatizëm mbi 300 vegla antike, shumica prej tyre ia kujtojnë prindërit dhe fshatin e tij të lindjes.
Ai për portalin Arbresh.info na tregon sesi i kishte lindur ideja për grumbullimin e gjithë këtyre relikteve.
“Ideja për mbledhjen e këtyre relikteve ka ardhur nga unë kur kam ardhur për shkollën fillore nga fshati Gregjenik të Kamenicës dhe më kujtohet këto veglat që i kemi pas në fshat. Më vonë kam punu në arsim, nga ekskursionet në Shqipëri, prej Sarande e deri në Shkodër kam ble vegla të ndryshme dhe ma kujtonin fshatin tonë, nënën, babën, ja fillova me i grumbullu. Fillimisht nuk besova që do të mbledh kaq shumë, sot posedoj mbi 300 relikte”, rrëfen Maliqi.
Ideja për krijimin e një mini-muzeu, ai thotë se nisi menjëherë pas luftës nga viti 2000.
Në mesin e më shumë se 300 veglave, Maliqi e ka njërën më të përzemërt dhe derisa na tregon arsyen emocionohet.
“Më të përzemërt e kam kamionin, i cili shihet këtu para nesh. Ka qenë i vëllait tim, i cili në aksident ka ndërruar jetë, atë e kam më të përzemërt”, tregon ai.
Në mungesë të një hapësirë për t’i ekspozuar gjithë këto gjëra antike, ai thotë se shpesh nuk ka mundur t’i pranojë ata që kanë pasur interesim për ta parë nga afër mini-muzeun e tij.
“Interesim ka pas gjithmonë mirëpo, nuk i kam te ekspozuara në një vend, ndoshta shumë herë nuk kam mund me i pranu gjithë ata që kanë shfaq interesim”, tha ai.
Maliqi, përveç që i ruan me shumë dashuri gjithë këto gjëra të çmuara, për secilën prej tyre e di vendin dhe kohën ku dhe kur i ka marrë.
Por, njërën prej tyre, thotë se nuk e di se çfarë është.
“Krejt veglat e di çfarë janë, përveç njërës, kjo nuk e di çka është, të tjerat e di të gjitha”, thotë Maliqi.
Është aq i lidhur me gjërat e tij antike, sa që shpesh thotë se komunikon me gjithsecilën prej tyre.
Për shkak të moshës së tij të shtyrë dhe mundësisë së vogël për tu kujdesur për to, Maliqi është i gatshëm t’i shes ato, por nëse ekziston ndokush që është adhurues i tyre ai thotë se do të ia dhuronte me gjithë qejf.
“Këto relikte që i pat ju kanë vlerën shumë më të madhe, kur isha më i ri kush visha nga puna, jam ndal para tyre dhe kam bisedu me to. Tash i kisha shit, ose dikush që është adhurues si unë i kisha dhuru të gjitha. Sikur dikush të më ofronte një hapësirë do t’i rregulloja dhe do t’i sistemoja siç e kanë vendin dhe do të dilte një vend shumë i bukur” ,tha Maliqi para kamerës së Arbresh.info
Ai thotë se nuk ka kërkuar përkrahje nga shteti, pasi mendonte se nuk do gjente mirëkuptim dhe kështu mini-muzeu i tij mbeti vetëm brenda shtëpisë së tij.
Në koleksionin e Maliqit janë: Përmenda me të cilën është punuar toka, zgjella që janë ngjitur kijet, shalën e kalit, moknën në të cilën është bluar me dorë misri, koshere të vjetra të bletëve, shoshë për të pastruar drithërin, patku të kaut, vekshin e vjetër, si dhe ka mbledhur edhe gur në forma të ndryshme nga natyra./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Maqedonci: Shërbime të huaja dashakeqe “ushqyen” lajmet për ...
Osmani takon kryeministrin e Estonisë, diskutojnë për heqjen...
Sara Hoxha i ndërron mbiemrin vajzës së saj?
Barcelona është e gatshme të përfshijë një lojtar plus para ...
I uroi fitoren, Trump deklaron se do të flasë me Putin
Çfarë po paralajmërojnë Bay T dhe Fero?