Edhe kur ishte në opozitë, por sidomos pas ardhjes së tij në krye të Qeverisë së Kosovë, Albin Kurti është shndërruar në një figurë adhuruese për shumë qytetarë, pa dallim moshe.
Dashurinë e madhe që kanë për të, e kanë shprehur në forma të ndryshme. Disa fytyrën e tij e kanë pikturuar në trup, disa në veturë, por ka edhe të atillë që mezi presin tu lind një djalë për t’ia lënë emrin e kryeministrit Kurti.
Emrin e idollit të tij, Albert Shabani nga Skenderaj, do ta thërras gjatë gjithë jetës, pasi djalin e tij të porsalindur vendosi ta pagëzojë me emrin Albin.
Alberti dhe bashkëshortja e tij, Fatimja pas gjashtë vjetësh martesë, më 30 janar të këtij viti u bënë prindër për herë të parë.
Në një intervistë ekskluzive për Arbresh.info, Alberti na tregon se emrin e djalit e kishte vendosur qysh në fillim.
Për Albertin puna më e lehtë ka qenë emri i djalit, duke shtuar se për këtë çështje s’kishte menduar as edhe dy herë.
Ai i referohet Kurtit si “i madhi”, duke shtuar se simpatia e tij për të nuk ka fund.
“Puna më e lehtë ka qenë për mua emri, as që jam menduar dy herë sepse e kam pas në ëndërr që kur të më lind djali ta gëzoj me plot dashin dhe me at dëshirën time emrin e kryeministrit, të madhit Albin Kurtit, sepse sa herë të përmendi emrin e kryeministrit paraprakisht ja vendosi fjalën i madh, sepse për mua ai është i madh, ai është idolli im, simpatia ime ndaj këtij lideri nuk ka fund, nuk e bëj me inate, por është thjesht një dëshirë e imja dhe një e drejtë e imja”, tregon ai.
Por, Alberti nuk ka qenë gjithmonë përkrahës i Albin Kurtit. Fillimisht ai ishte simpatizues i PDK-së.
“Nuk kam qenë vazhdimisht, si i ri duke qenë se isha nga Drenica kam qenë simpatizues i PDK-së, me moshën duke u pjekur duke kuptuar rrethanat, unë si person e kam parë të udhës me e mbështet Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin”, thekson ai.
Përveç Kurtit, ai është një simpatizant edhe i presidentes Vjosa Osmani.
Madje ka një dëshirë të madhe që t’i lind edhe një vajzë që të ia vendos emrin Vjosa, siç e ka presidentja Osmani.
Ai thotë se Kurti dhe Osmani kanë derën e hapur në Drenicë gjithmonë.
“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani si përkrahës të tij këtu, kanë me pas derën hapur në Drenicë kudo dhe kurdo që ata dojnë si mysafirët më të mirët të kombit shqiptar”, thotë ai.
Nëse Albini i tij i vogël arrinë të bëhet vetëm 30 për qind sa kryeministri Kurti, ai do të ishte në gjendje ta shiste edhe veshkën e tij.
“Sigurisht që kisha pas dëshirë, vetëm 30 për qind nëse më bëhet si Albin Kurti jam në gjendje edhe veshkën me e shit, jo që është kryeministër, sepse deri nesër mundet me qenë në opozitë, mundet krejt me u hjek nga politika. Unë Albinin e du si njeri edhe Albin Kurti është politikani i vetëm dhe i pari në kohën e pasluftës që ja ka dal me atë zgjuarsinë, me intelektualin e vetë që është me na i hap sytë si popull me na tregu qysh me e dallu të bardhën nga e zeza”, thotë ai me entuziazëm.
Alberti ka disa fjalë për Kurtin.
“Do t’i thosha që qëndro ashtu si është dhe t’i mbajë ato premtimet e tij me të cilat ka ardhur në pushtet, të ruaj secilin simpatizues të tij, të respektojë simpatizuesit e partive të tjera. Të punoj pa reshtur për Kosovën, për të cilën kemi derdhur shumë gjak dhe të ruaj vlerat e kombit shqiptar, të ruaj miqtë tanë ndërkombëtar, të punojë për të mirën e qytetarëve, aq sa ai do të punojë mirë për qytetarët e Kosovës, aq do ta ketë mbështetjen e qytetarëve, jo vetëm 50 për qind por edhe më lartë”, shton ai.
Me punën e mirë që po bën Kryeministri, ai mendon se do t’i rris numrat dhe të gjitha partitë bashkë po të bëhen, sipas tij nuk do munden të marrin as sa gjysma e votave të partisë së Kurtit.
Në familjen Shabani, nuk është Alberti i vetmi që e do marrëzisht Kurtin.
Fadil Shabani, gjyshi i Albinit të vogël tregon gëzimin e papërshkrueshëm për ardhjen në jetë të nipit.
“Unë jam afër mu bë edhe stërgjysh tash. Mirëpo, çdo fëmijë e ka rëndësinë e vet, gëzimin e vet. Edhe kësaj radhe gëzimi është i papërshkrueshëm. Na ka dhuru Zoti një krijesë, një engjëll të shëndoshë në të gjitha aspektet, edhe reja ka shpëtu mirë, ka lind me operim pa kurrfarë pasojash, kështu që jemi të gjithë të kënaqur, jemi të gëzuar dhe të lumtur”, tregon ai.
Shabani thotë se e ka mirëpritur emrin e nipit të tij, duke mos fshehur edhe vetë simpatinë për Kurtin.
“Thënë të vërtetën, fëmijëve të parë, të gjithë djemve dhe vajzave, nuk kam insistu me ju përzi në përzgjedhjen e emrave. Ua kam lënë atyre të vendosin, megjithatë, e kam mirëprit se djali është adhurues i flaktë i Albinit dhe Vjosës. Unë nuk jam kundër kurrkujt, përkundrazi jam për ata që ecin për këtë vend, që i shërbejnë popullit në përgjithësi, për të mirën e vendit. Unë nuk i vlerësoj njerëzit në bazë të partisë, por në bazë të vlerave, punës që bëjnë dhe veprave”, thotë Shabani.
Ai ka edhe një urim për nipin e tij, që tashmë mban një emër të madh.
“Edhe lindja e Albinit, e gëzoftë, me kënaqësinë më të madhe i uroj dhe e përgëzoj të ketë shëndet, jetë të gjatë, lumturi e të gjitha”./Arbresh.info/Rita Jakupi/
Grupi “Shkodra Elektronike” me një falënderim të veçantë për...
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...