Përkundër premtimeve të avokatit Besnik Berisha, i mbrojturi i tij- i akuzuari për fajde Ismet Osmani, i njohur me pseudonimin ‘Curri’, mungoi sërish në seancën e caktuar për 8 tetor 2024. Tani, mbrojtja kërkoi përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqi.
Curri tashmë ka një urdhërarrest pasi dyshohet se është përfshirë në një tentim vrasje në 2024-ën në Graçanicë.
Ai mungoi edhe seancën e 1 korrikut 2024, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim për t’ia revokuar masën e dorëzanisë prej 50 mijë euro.
Por, Gjykata e Apelit pas kthimit dy herë në rivendosje, herën e tretë kishte vendosur të lë në fuqi masën e dorëzanisë, duke i besuar premtimeve të avokatit se Curri se i njëjti do paraqitej në seancën e sotme.
Në këtë rast, Ismet Osmani-Curri, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani akuzohen për veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi”.
Në seancën e sotme, u bë e ditur se avokati Besnik Berisha, ka bërë kërkesë për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqi.
“Ne dje kemi dorëzuar kërkesën për përjashtimin tuaj, kërkesa është dërguar edhe në e-mailin e juaj edhe në e-mailin e kryetares. Ky mjet juridik i cili imponon ndërprerjen e çdo veprimi të gjykatës deri në vendimmarrje të formës së prerë”, u shpreh avokati Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mungesën e Currit, Berisha e arsyetoi me këtë kërkesë.
“Në fakt as zotëri Ismet Osmani e as unë nuk kishim në plan për të marrë pjesë në këtë seancë por unë erdha vetëm për korrektësi”, tha Berisha.
Se cilat janë arsyet që avokati Berisha ka kërkuar përjashtimin e gjykatëses, nuk u bë e ditur në seancë.
“Për arsyet e artikuluara në kërkese nuk kanë nevojë të shpalosen këtu”, tha tutje ai.
Kështu, deri në shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata nuk mund të marrë veprime në këtë rast.
Ndryshe, në këtë seancë prezantuan prokurori, Armend Hamiti, të akuzuarit Sami Nika, Ilir Bojku, Mentor Maqani dhe Adil Thaqi me mbrojtësit e tyre, si dhe pala e dëmtuar Faton Dalladaku.
Ndryshe “Betimi për Drejtësi”, më 28 shtator ka publikuar hulumtimin “Vendimet kontraverse të gjykatave -Si Curri “shpëton” nga drejtësia përmes falsifikimeve mjekësore?”.
“Curri”, nga viti 2019 gjendet nën masën e dorëzanisë prej 50 mijë euro për ketë rast. Gjykata e kishte njoftuar Currin për pasojat nëse eventualisht nuk do të përgjigjej në ftesat e gjykatës për tu gjykuar. Në rast të shkeljes së kushteve të dorëzanisë, vlera prej 50 mijë eurove do shkonte në buxhetin e shtetit.
Ndërkohë, janë bërë afër 6 muaj, prej kur “Curri”, po konsiderohet i arratisur. Ai dyshohet të jetë i përfshirë edhe në një tentim vrasje të ndodhur në prill 2024.
Ai nuk ishte prezent në seancën e 1 korrikut ku po gjykohet për fajde. Mungesën e tij, avokati i tij, Besnik Berisha e arsyetoi me probleme familjare e institucionale, duke aluduar në urdhërarrestin ndaj tij.
Prokuroria në këtë seancë kërkoi që Currit t’i merren 50 mijë eurot e dorëzanisë për shkak të shkeljes së kushteve mbi të cilat ishte caktuar ajo.
Avokati Berisha, prokurorinë e quajti hisedarë se pse Curri nuk kishte shkuar në atë seancë.
Gjykata Themelore vendosi që 50 mijë eurot e dorëzanisë së Currit të shkonin në Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ndërsa Curri të kthehej në paraburgim.
Por, Apeli kishte thënë se Themelorja ka bërë shkelje kur kishte vendosur për masën e paraburgimit pasi nuk janë respektuar procedurat për caktimin e kësaj mase.
Sipas Apelit, shkalla e parë po ashtu nuk ka dhënë arsye lidhur me pretendimet e mbrojtësit se i akuzuari ka munguar për arsye shëndetësore duke thënë se Themelorja nuk ka analizuar disa raporte mjekësore, ndonëse raportet mjekësore ishin paraqitur vetëm në Apel.
Në rivendosje, Themelorja sërish ka revokuar vendimin për caktimin e masës se dorëzanisë, por nuk kishte caktuar më masën e paraburgimit. Edhe urdherëarrestin për ta dërguar në paraburgim e kishte anuluar duke nxjerrë një urdhërarrest të ri për sjellje me detyrim në Gjykatë. Në këtë aktvendim, ishte theksuar se Gjykata nuk ka pranuar asnjë kërkesë për shtyrje të seancës, siç ka pretenduar avokati Berisha në Gjykatën e Apelit. Duke shtuar se dispozitat janë të qarta se si duhet të njoftohet gjykata apo si duhet drejtuar kërkesat.
Shkalla e parë kishte thënë se nga vetë shkesat që avokati Besnik Berisha i ka bashkangjitur Apelit, Berisha i është drejtuar prokurorisë për një rast tjetër të Currit për të cilin tashmë ka edhe urdhërarrest aktiv nga kjo gjykatë. Dhe kështu është në dijeni se kundër të akuzuarit ka urdhërarrest dhe mund të konkludohet se ai gjendet jashtë shtetit dhe në arrati.
Apeli, serish kthen çështjen në rivendosje. Këtë herë Kolegji me kryetar Beqir Kalludra dhe gjykatësit Abudullah Ahmeti dhe Zyhdi Haziri. Duke e quajtur vendimin e shkallës së parë të paqartë dhe kundërthënës. Duke thënë se në shkresat e lëndës gjendet një urdhërarrest i lëshuar në të njëjtën ditë për arrestimin e të akuzuarit dhe i njëjti urdhërarrest po të njëjtën ditë është revokuar gjë që e bën të pa ekzekutueshëm dhe të paqartë tani aktvendimin për caktimin e paraburgimit, megjithëse Themelorja fare nuk ka caktuar paraburgim.
Apeli ka vlerësuar se Themelorja duhet të bëjë përpjekje për verifikimin e provave materiale lidhur me gjendjen shëndetësore të “Currit”.
Sipas Apelit, nga shkresat e lëndës rezulton se seanca e radhës është caktuar me 8 tetor 2024 dhe se mbrojtësi i të akuzuarit i ka premtuar gjykatës se i akuzuari mund të jetë i pranishëm në seancë edhe gjatë muajit shtator, duke pasur parasysh faktin se tanimë është anuluar urdhërarresti i lëshuar kundër tij, dhe se janë krijuar parakushtet që ai të jetë i pranishëm në seancë.
Ndërsa, lidhur me çështjen tjetër që është në procedurë në prokurori (rasti i tentim vrasjes, Kolegji ka thënë se nuk mund të vlerësoj një çështje të tillë.
Pas kthimit në rivendosje, Gjykata Themelore sërish ka revokuar masën e dorëzanisë. Gjykata Themelore ia ka rikujtuar Apelit, se me aktvendimin e 22 korrikut 2024 nuk është caktuar masa e paraburgimit.
Lidhur me urdhërarrestin, Gjykata ka thënë se pas rekomandimeve të Apelit herën e parë ka qenë e detyruar të revokoj urdhër arrestin e 2 korrikut 2024 për, ndalimin, arrestimin dhe dërgimin në qendrën e paraburgimit në Prishtinë. Dhe ka nxjerrë urdhër arrest të ri me 17 korrik 2024 për ta sjell me forcë të akuzuarin në Gjykatë.
Sa i përket asaj që Apeli kishte thënë se ishte hera e parë që i akuzuari mungon, Themelorja ka rikujtuar se kjo gjykatë nuk mund të thirret në arsyen se është hera e parë pasi dispozitat e Kodit të Procedurës Penale janë të natyrës imperative/urdhërore, e jo në rrethana se a mungon herën e parë apo të dytë.
Në lidhje me premtimet e mbrojtjes se “shpresojnë” që në shtator do eliminohen pengesat, për të cilat Apeli ka thënë të merren parasysh, Themelorja ka sjell në vëmendje se mbarëvajtja e procedurës nuk mund të mbështetet në premtime dhe shpresa të mbrojtjes, po ka ndërmarrë të gjitha veprimet në pajtim me ligjin, duke lëshuar urdhërarrest dhe letër reshtim vendor.
Apeli, herën e tretë vendos vet duke lënë në fuqi masën e dorëzanisë. Kryetari i trupit gjykues serish Beqir Kalludra, me anëtarët Hashim Çollaku e Abudllah Ahmeti.
Sipas Apelit, Osmani ka munguar vetëm në një seancë dhe se nga avokati Berisha është kuptuar se i njëjti gjendet jashtë vendit për trajtim mjekësor, duke përmendur serish raportet mjekësore.
Apeli vjen në përfundime se Themelorja kishte lënë në fuqi masën e paraburgimit, duke thënë se në të njëjtën ditë që ka revokuar një urdhërarrest ka lëshuar një urdhërarrest tjetër. Ndonëse Themelorja nuk kishte caktuar paraburgimin në rivendosje dhe kishte shpjeguar edhe çështjen e urdhëarresteve.
Raportet mjekësore të cilave Apeli ua kishte falur besimin, tashme janë duke u hetuar nga prokuroria për falsifikim pasi nga një përgjigje që Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë nga spitali “EuroItalia”, në Maqedoninë e Veriut, thuhet se personi me emrin Ismet Osmani asnjëherë s’ka qenë pacient i tyre, nënshkrimet e doktorëve në ato raporte nuk janë të tyre dhe se Spitali i tyre nuk hospitalizon pacientë nga 2022.
Ndryshe, Osmani po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale të fajdesë dhe detyrimit së bashku me Sami Nikën, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin. Kurse, Adil Thaçi ngarkohet për veprën penale “Mashtrimit”.
Osmani në një rast tjetër dyshohet për vrasje në tentativë të ndodhur në Graçanicë, në të cilin rast të dyshuar janë edhe djali i tij Armir Osmani, Mentor Beqiri e Behar Halili. Për këtë, ndaj tij është lëshuar një urdhërarrest tjetër.
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...
Ushtarët e KFOR-it kryejnë patrullime në qytetin e Istogut
Veliaj inspekton terminalin veri-perëndimor: Investim i ri q...
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdh...
Kryetari i LDK-së shpalos portretin e Xhemail Mustafës në pë...
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...