Bashkëpunëtori i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Skender Hyseni, ka thënë se në mesin e shumë personaliteteve të shquara shqiptare asnjë nuk ishte si Ibrahim Rugova.
Ai e ka përshkruar figurën e Ibrahim Rugovës si një mishërim të një dijetari të rrallë dhe të një intelektuali të guximshëm.
“Padyshim siç e thotë edhe At Zef Pllumi Ibrahim Rugova e ka shënuar shekullin shqiptar. Gjatë shekullit të fundit shqiptarët kanë pasë personalitete të shumta të mëdha, por asnjë si Ibrahim Rugova”.
“Asnjë me veçanti të theksuara siç i kishte Ibrhaim Rugova. Ai ishte mishërim i një dijetari të rrallë dhe të fortë, një politikani modern dhe vizionar dhe shumë prognozues i saktë. Ishte mishërim i një njeriu që ishte absolutisht konsisent dhe i palëkundshëm në projeksionet e tij për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Këtë konsistencë dhe këmbëngulësi ai e mbronte me një butësi e cila e shquante veç Ibrahim Rugovën, askënd tjetër”, tha Hyseni, në Zona B të Klan Kosovës.
“Nuk kishte madje as kundërshtar në qëndrime që do t’i mbante mëri Ibrahim Rugovës pse insistonte në diçka ndryshe”.
Hyseni e ka kujtuar takimin e parë të presidentit Ibrahim Rugova me Sekretarin Amerikan të Shtetit Warren Christopher në vitin 1995.
“Më duhet ta kujtoj takimin e parë zyrtar të presidentit të zgjedhur të Kosovës Ibrhaim Rugova me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Warren Christopher – nëntor-dhjetor 1995”.
“Ishte koha kur në State Departamentin Amerikan mbizotëronte ideja e një autonomie të zgjeruar për Kosovën ose siç quhej një autonomie përmbajtësore. Takimi ishte i shkëlqyeshëm, sepse kushdo që e takonte Rugovën përpos që synonte të këmbente pikëpamjet politike ishte edhe një kurreshtje që shkonte përtej kësaj – Rugova si pacifist, Gandi i Ballkanit dhe gjithë ato epitete që bota ia kishte dhënë”.
“Takimi rrodhi në atmosferë skajshëm miqësore, por në insistimin e sekretarit Christopher që Kosova mund të fitonte një autonomi të zgjeruar, presidenti Rugova i tha: ‘Kjo nuk është zgjidhje për çështjen e Kosovës. Është një Kosovë e pavarur dhe neutrale, por ja që ne pajtohemi me një periudhë tranzitore disavjeçare – një protektorat ndërkombëtar. Pastaj, populli i Kosovës duhet të pyetet në referendum se çfarë do’”.
“Në këtë konstatim të presidentit Rugova, sekretari Christopher e mori sërish fjalën dhe përmendi një varg arsyesh të kontekstit politik të atëhershëm pse ishte punë e vështirë që Kosova të bëhej e pavarur”.
“Sërish Rugova u kthye te e njëjta me gjithë mirëkuptimin dhe respektin dhe tha: ‘Asnjë zgjidhje nuk funksionon në Kosovë përpos pavarësisë së plotë. Nëse nuk mund të përkrahni për këtë zgjidhje mund të bëhemi shteti i 51-të SHBA-ve’, i tha me gjysmë shaka dhe këtu plasi një e qeshur. Por, në këtë takim e ritheksoi disa herë me një konsistencë që e shquante – me fjalë të buta dhe mirëkuptuese – se duhet të ecim në drejtim të pavarësisë së vendit”, tha Hyseni.
Ministrja e Jashtme: Sulmi në Ibër-Lepenc, më i rëndi mbi in...
Fiorentina konfirmon se Bove është zgjuar pas kolapsimit të ...
Kurti: Kryesorja e këtyre viteve të qeverisjes është rritja ...
Ku fillon e ku mbaron kanali i Ibër–Lepencit?
Damiree Burns MVP i javës së 10-të në elitën e basketbollit ...
Rama fton shqiptarët të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura