Google ADS

Hyseni: Ikja nga dialogu, e dëmshme për Kosovën

09:27 | 12 Shkurt 2022
V. S.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, e konsideron problem të madh mungesën e një marrëveshjeje finale me Serbinë, përderisa e quan interes të madh arritjen e marrëveshjes me njohje reciproke.

Ish-koordinatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, ka folur edhe për përfshirjen e ShBA-së në këtë drejtim, teksa e konsideron më shume si përkrahje sesa si presion. Ai ka thënë se Kosova nuk guxon të veprojë si Palestina, e cila ka refuzuar çdo proces të dialogut.

Në një intervistë, Hyseni ka thënë se njohja reciproke me Serbinëështë në interesin e Kosovës dhe se kjo njohje do t’i zhbllokonte të dyja vendet nga gjendja e ngrirë.

“Problem të madh unë e shoh mungesën e një marrëveshjeje me Serbinë. Unë konsideroj se për Kosovën sot nuk ka interes më të madh se sa arritja e një marrëveshjeje me Serbinë dhe njohja reciproke. Për aq kohë sa kjo nuk do të ndodhë Kosova do të mbetet në gjendje të ngrirë. Edhe Serbia do të mbetet në gjendje të ngrirë. Asnjëra dhe as tjetra nuk do të mund të bëjnë përparime drejtë integrimeve evropiane dhe integrimeve në NATO pa e përfunduar këtë kontest ose konflikt midis Kosovës dhe Serbisë që unë e them vazhdimisht që nuk është konflikt vetëm midis Kosovës dhe Serbisë por është konflikt midis shqiptarëve dhe serbëve si tërësi”, ka thënë Hyseni.

Hyseni ka apeluar tek institucionet kosovare që dialogun ta vendosin në prioritet të parë. Mungesa e dialogut, sipas Hysenit i shkon përshtati Serbisë, duke thënë se i konvenon gjendja e ngrirë në Kosovë.

“Duhet të përqendrohet tek dialogu dhe tek arritja e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të përhershme me Serbinë. Rruga është shumë e thjeshtë, Kosova në vend që t’i ikë dialogut në vend që ta vendosë dialogun si prioritet të 10-të a të 11-të duhet të thotë që dialogu me Serbinë është numër një dhe i vetmi tani për tani. Bota e ka thënë pa ekuivokë, e ka thënë Amerika, BE-ja, pavarësisht interpretimeve që u bëhen disa deklaratave të Lajçakut. Lajçaku mua ma ka thënë qartë se fundi i procesit të dialogut është njohja e ndërsjellët. Serbia heziton ta vazhdojë dialogun dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Kosovën sepse i konvenon gjendja e ngrirë në Kosovë. Besa edhe Rusisë i konvenon shumë, përderisa është e hapur kjo temë dhe ky konflikt midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Hyseni.

E angazhimin e amerikanëve në procesion dialogues, Hyseni e sheh si përpjekje dhe asesi si presion. Ai thotë se Kosova është në një koalicion me BE-në dhe SHBA-në për të arritur marrëveshjen finale. Madje ai ka thënë se Kosova nuk guxon t’i bëjë gabimet që i ka bërë Palestina.

“Unë besoj që përpjekjet dhe angazhimi i amerikanëve nuk do të mungojë dhe është gabimi më i madh nëse e quajmë presion. Duhet ta quajmë këshillë dashamirëse dhe koalicion. Është një koalicion Kosovë-ShBA-BE që t’i gjendet një zgjidhje problemit me Serbinë. Kosova nuk duhet të bëhet Palestinë sepse, nëse ndodh kjo kurrë nuk do ta përfundojë procesi i shtet ndërtimit. S’do të bëhet anëtare e OKB-së. Ne nuk guxojmë të bëjmë gabimet që i ka bërë Palestina dikur. Ka ikur nga tavolina, nga të gjitha marrëveshjet ka pasur përkrahjen e botës. Asnjë investitor në botë nuk ka gatishmëri të madhe (interesim po por gatishmëri jo) që të investojë në Kosovë investime kapitale sepse askush nuk do t’i hedhë paratë e veta në një vend ku nuk ka siguri të plotë”, ka thënë ai./EO/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme