Hungaria mbështetë Integrimin Evropian të Kosovës

11:04 | 19 Prill 2017
M. A.

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Njomza Emini dhe anëtarët Bislim Zogaj, Donika Kadaj-Bujupi dhe Time Kadriaj, po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Hungari, ku kanë zhvilluar disa takime në Parlamentin Hungarez dhe në Zyren e Sekretarit të shtetit Hungarez.

Delegacioni i Kuvendit është pritur nga Komisioni Parlamentar për Çështje të BE-së dhe Komisioni për Punë të Jashtme të Parlamentit të Hungarisë.

“Në këto takime është diskutuar lidhur me bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet dy vendeve për çështje të ndryshme lidhur me perspektiven evropiane të Kosovës. Emini, në emër të delegacionit ka falënderuar gatishmërinë e Hungarisë për mbështetje të vazhdueshme për Kosovën”, thuhet në njoftim të zyrës së Kuvendit.

Richárd Hörcsik, kryetar i Komisionit parlamentar për Çështje të BE-së, si dhe Zsolt Németh, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Hungarez, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për bashkëpunim dhe mbështetje të Kosovës në procesin e integrimit evropian.

Në vijim është diskutuar edhe lidhur me mekanizmat parlamentar për mbikëqyrjen e zbatimit të MSA-së, bashkëpunimin dhe koordinimin sa i përket pjesëmarrjes dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat e ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe shumë çështje tjera.

Delegacioni i Kuvendit ka zhvilluar edhe një takim me Zyren e Sekretarit të shtetit Hungarez për çështje të BE-së. Ndërkaq, gjatë ditës së nesërme delegacioni do të zhvillojë një takim edhe me nënkryetarin e Parlamentit, Gergely Gulyás.

Të ngjashme