Në janar të këtij viti, Qeveria e Kosovës themeloi Komisionin e ekspertëve për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës. Funksionimi i këtij Komisioni, në krye të së cilit u vendos kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, ishte vënë në dyshim jo vetëm nga opozita, por edhe nga ekspertë të kësaj çështje.
Zë kritik karshi punës së këtij Komisioni kishte Fitim Humolli, i cili kishte qenë i vetmi gjeograf, anëtar i këtij Komisioni.
Sot, ai dha dorëheqje nga ky Komision, për të cilin thotë se ndonëse është i titulluar për të bërë matje, nuk ka kryer një gjë të tillë.
Në një prononcim për Periskopin, Humolli tha se s’ka asnjë teori që do t’i argumentonte idetë e Qeverisë për matjen e territorit, kur nuk dihet cili është ai territor.
“Ky Komision është i titulluar për matje, por nuk është rendi që ata bëjnë matje, as që kanë ba najherë, as që kanë me ba asnjëherë. As që pres një gjë të tillë, as nuk kanë kur me ba. Ata tani janë në fund. Zgjidhja më e mirë ka qenë me bisedu pa tensione, me pranu që është gabu në procesin e demarkimit të kufirit, me i marr të gjitha faktet dhe atë jo njëanshëm me u marr vetëm aspekti i kadastres, por të gjitha faktet e mundshme dhe përmes atyre fakteve me ardh deri te konkluzionet, të cilat normalisht kishin qenë të pranueshme edhe për shtetin fqinj, jo vetëm për shqiptarët dhe Kosovën”, ka thënë Humolli.
Humolli ka thënë për Periskopin se si gjeograf ka konstatuar se marrëveshja e Demarkacionit, në këtë mënyrë si është, është e dëmshme, andaj edhe ka dhënë dorëheqje nga ky Komision.
“Patjetër, që marrëveshja në këtë mënyrë si është, është e dëmshme. Pikërisht për këto arsye kam dhënë dorëheqje. Futja e institucioneve jo kompetente në Komision, ka qenë e qëllimshme, çdo gjë ka qenë e sinkronizume dhe e planifikuar”, deklaroi Humolli.
Gjeografi i vetëm në Komisionin për Matjen e Territorit tha se tash e një vit ka shfaqur mos pajtueshmërinë e tij me këtë rezultat të Demarkacionit.
Ai për Periskopin tregon se se pse është bërë pjesë e këtij Komisioni.
“Kam shpresur që me argumentet e mia dhe me përgatitjen time profesionale me i bind edhe të tjerët që një punë e tillë nuk mundet me u ba dhe është e rrezikshme, e dëmshme dhe jo konstruktive. Jo në të mirën e popullit tonë dhe vendit tonë”, shtoi Humolli.
Gjatë tërë kohës, Humolli thotë se ka paraqitur qëndrimet dhe faktet, për të cilat thotë se janë anashkaluar plotësisht.
Në dorëheqjen e Humollit, e cila u bë publike thuhej se në Komision kishte institucionet dhe organizata të panevojshme, ndërsa ishin anashkaluar institucione profesionale që në kushte normale, dhe me institucione të përgjegjëshme, do të duhet të ishin bartësit profesional të këtij procesi.
“Mungonte Departamenti i Gjeodezisë i Univeristetit të Prishtinës, mungonte Ministria e Infrastrukturës e të tjera, ndërsa ishin ftuar institucionet krejtësisht irelevante për çështjen në fjalë: Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), Agjencia e Pronave të Kosovës, Agjencia e Statistikave të Kosovës, kryetarët e komunave perëndimore të Kosovës – pozita politike dhe aspak profesionale”, thuhet në dorëheqjen e Humollit drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës.
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...
Në Ditën e Alfabetit, prezantohet projekti për Fjalorin e ri...
Edi: Jam tregtari më i mirë i kriptovalutave në Kosovë, përf...
Vrasje me armë zjarri në Tropojë
SHBA, senatorët reagojnë pas tërheqjes nga emërimi të ish-li...
Dogana kapi 15 mijë euro mall të padeklaruar në aeroport, gj...