Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fatmir Humolli, në cilësinë e dëshmitarit në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ka deklaruar se nuk ka dëgjuar gjatë ose pas luftës se Salih Mustafa ka kryer ndonjë krim.
Këtë deklarim, ai e ka dhënë në seancën e së mërkurës, në gjykimin që po zhvillohet ndaj Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Julius Von Bone, dëshmitari Humolli ka deklaruar se në Prishtinë kanë hyrë pas informacionit për deportimin e qytetarëve.
“Informacionin që ua dhanë a ishte informacion që kishte të bënte me familjet shqiptare që po detyroheshin të linin shtëpitë e tyre dhe që të marshonin pastaj në stadiumin sportiv të Prishtinës”, ka pyetur avokati Von Bone.
‘Prishtina banohet me mbi 90% shqiptarë dhe ajo ftesë nuk është bërë për familjet tjera, vetëm për familjet shqiptare”, tha Humolli.
Dëshmitari u pyet nëse është e vërtetë se në atë periudhë kohore ishte në dijeni se po ndodhnin dëbime, për t’i dëbuar njerëzit nga Prishtina drejt Maqedonisë.
“Në këtë periudhë ka filluar deportimi prej Prishtinës në Maqedoni”, ka bërë të ditur ai.
Tutje Humolli tha se pas marrjes së informacionit nga guerila që do ndodhin këto ngjarje, zona operative ka marrë vendim që të futen me të gjithë njerëzit që e njihnin zonën dhe armatime të vogla.
Ndërsa, i pyetur nëse është e vërtetë që mijëra kosovarë janë dëbuar prej Prishtinës, Humolli tha se 60% e popullatës janë dëbuar nga Prishtina për Maqedoni, kurse një pjesë ka kaluar në pjesën e Gollakut.
Ky dëbim, ai tha se ka ndodhur më 31 mars, ai shtoi se rreth fundit të marsit kanë filluar deportimet pasi policia po qëndronte në pikat më të larta të qytetit dhe filloi të frikësojë popullatën duke gjuajtur me armë lart.
“Popullata duke pas informacionin më herët që duhet të largohet dhe për një periudhë të shkurtë, pjesa dërrmuese e popullit ka dalë në rrugë”, tha Humolli.
Tutje, iu tregua një fotografi dhe u pyet se vendi në foto a është ai ku ka qëndruar familja e tij.
“Atëherë të kam treguar se nga pozicioni nga lart, nuk e kam kuptuar këtë fotografi dhe tek kur është treguar pozicioni nga poshtë, atëherë kam treguar se është kjo hapësirë”, bëri të ditur ai.
Dëshmitari Humolli u pyet se oborri për të cilin ka folur a është oborri mes dy ndërtesave në fotografi dhe ai e konfirmoi këtë.
Gjithashtu, pohoi se ky është vendi ku fillimisht janë trajtuar të plagosurit që më pas janë larguar.
“A ju ka treguar kush nëse zoti Mustafa ka mbajtur të ndaluar njerëz”, ka pyetur avokati.
Për këtë, dëshmitari tha se askush nuk i ka thënë se ka pasur të ndaluar nga Salih Mustafa.
“Vet zoti Mustafa a ju ka treguar se ka mbajtur ndonjëherë të ndaluar njerëz”, ka pyetur avokati, kurse Humolli e ka mohuar këtë.
Ndërkaq, mohoi edhe se Mustafa i ka treguar se ka urdhëruar ndalimin e njerëzve.
Sipas Humollit, ai gjatë periudhës së prillit 1999 nuk ka dëgjuar nga të tjerët se Mustafa ka ndaluar, keqtrajtuar, rrahur persona.
“Nga eproprët dhe ushtarët që i kam njohur atëherë që i kam takuar asnjëherë nuk kam dëgju”, tha Humolli.
Kurse, u pyet se familja e tij që ka qëndruar aty a i ka thënë se ka vënë re apo dëgjuar se mbaheshin njerëz të ndaluar apo që keqtrajtoheshin aty, por edhe këtë e mohoi dëshmitari.
Ndërkaq, i pyetur nëse vet ka parë se janë mbajtur të ndaluar njerëz aty, Humolli e mohoi një gjë të tillë.
“A keni vënë re se mos ndonjë ndërtesë aty e veçantë ruhej me roje në veçanti”, pyeti avokati Von Bone, ndërsa e mohoi Humolli.
Ndërkaq, në këtë vend, ai bëri të ditur se ka pasur njerëz që ishin refugjatë apo strehoheshin aty.
“Mos është kjo arsyeja pse edhe familja juaj qëndronte aty”, pyeti avokati, e dëshmitari konfirmoi këtë.
Kurse, tha se të gjitha shtëpitë në Zllash kanë qenë të mbushura me popullatë civile.
“Për shkak të nevojave të mbrojtjes nga të ftohtit janë vendosur në shtëpi, edhe këto shtëpi i takojnë Zllashit”, ka thënë ai, ku paraprakisht tha se asnjë vend s’ka qenë i sigurt nga granatimet.
Ndërsa, tha se jo vetëm në Zllash, por të gjitha shtëpitë në zonën e Gollakut kanë qenë të mbushura me njerëz.
Tutje, mohoi se ka dëgjuar që gjatë ose pas luftës se Salih Mustafa ka kryer ndonjë krim. Ndërsa, avokati e ka pyetur nëse i ka thënë ndonjëherë Salih Mustafa se ka arrestuar dikë.
“Struktura e gueriles BIA nuk ka pas mandat me arrestu se ka funksionu në qytet dhe detyrat kryesore të tyre kanë qenë me u informu për pozicionet e forcave serbe, për logjistikë për nevojat e spitalit ushtarak në Potok. Ata kanë mundur me vepru ndryshe vetëm në rast të rrezikut të jetës së tyre, nuk kanë pas mision në këtë periudhë me vepru ushtarakisht në Prishtinë”, ka thënë Humolli.
Tutje, tha se çdo ushtar i gueriles BIA ka pas mundësi të strehohet në çdo njësi të UÇK-së që ka qenë në periferi të Prishtinës.
“Pjesëtarët e gueriles nuk ka pas mundësi me i identifiku asnjë epror i zonës operative pa lejen e Salih Mustafës dhe për këtë as komandanti i shtabit operativ nuk ka pas të drejtë me kërku prej Salih Mustafës për vijën organizative brenda qytetit. Edhe njerëzit nuk kanë pas mundësi me i identifiku strukturat tjera pa pasur nevojë”, tha tutje dëshmitari.
Prokurori Cezary Mihailzcuk në pyetjet e tij plotësuese e ka pyetur Humollin se a është e saktë se dëbimi ka zgjatur disa ditë.
“Popullata e Prishtinës është dëbuar në këtë periudhë”, tha Humolli, derisa paraprakisht tha se dëbime ka pasur edhe nga viset e tjera.
Ai tha se pjesa rurale e fshatrave si ai i Shkabaj, që ka qenë në afërsi të kombinatit energjetik në Obiliq, janë larguar familjet dhe shtoi se në këtë periudhë ka ndodhur masakra e familjes Rama.
Sipas tij, largimet kanë ndodhur për shkak të planifikimeve strategjike të forcave serbe.
Prokurori e pyeti se a e konfirmon se shpërnguljet në Prishtinë kanë ndodhur më 31 mars 1999, kurse dëshmitari konfirmoi këtë.
“Rreth kësaj kohe ka pasur edhe shumë shpërngulje personash që migronin ose dëboheshin drejt Maqedonisë, apo jo”, ka pyetur prokurori.
Humolli tha se pjesa e Kaçanikut që kanë qenë në vijë kufitare janë detyruar edhe më herët, por se për shpërnguljet masive është më e veçantë e Prishtinës, pasi ka qenë shumë e organizuar.
“Janë vendos trena, autobusa me i transportu për Maqedoni, i kanë vendos në stadium dhe stacionin e hekurudhave” ka thënë Humolli, duke shtuar se ka qenë ndryshe nga të tjerat.
Duke u përgjigjur në pyetje të kryetares së trupit gjykues, Mappie Veldt -Foglia, ai tha se forcat serbe janë larguar gjatë mbrëmjes nga Zllashi dhe se të nesërmen me Agron Xhemajlin kanë shkuar në Zllash.
Ajo e pyeti atë se kur shkuan në Zllash, sa ushtarë kanë qenë ende aty nga ana e UÇK-së, kurse Humolli tha se nuk e ka idenë sa ushtarë, por se është takuar me Fatmir Sopin dhe disa qytetarë të Zllashit.
“Pjesa dërrmuese e qytetarëve të Zllashit e kanë njohur terrenin kanë ditur të fshehen mirë”, ka thënë ai.
Sipas tij, Fatmir Sopi me njësitin e tij nuk ishin larguar nga Zllashi, kurse shtoi se pjesëtarët e brigadës 153 kanë qenë me Fatmir Sopin.
Tutke, tha se nuk ka takuar pjesëtarë nga njësiti BIA, si dhe shtoi se nuk është takuar me të akuzuarin Mustafa pasi ai kishte mbetur në Koliq.
Humolli ishte dëshmitari i fundit i thirrur nga prokuroria për të dëshmuar në këtë gjykim.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...