Humanisti Halil Kastrati: Donacionin më të madh e bëri një djalë i ri, dhuroi 60 mijë euro

23:50 | 29 Nëntor 2018
Arbresh.info

Humanisti Halil Kastrati ka thënë se vendimi për ndarjen e 28 shtëpive për familjet e varfra me 28 nëntor ishte vendim i tij.

“Ne kemi bërë marrëveshje me komunat për ndërtimin e mbi 50 shtëpive, por unë vet kam marrë vendim që të ndajmë 28 shtëpi me 28 Nëntor”.

Kastrati në RTV Dukagjini ka thënë se janë të mirëpritur politikanët në momentin kur ndahen shtëpitë, por nëse nuk kanë qëllim përfitime politike.

“Nëse s’kanë qëllime për të përfituar politikisht, është mirë të jenë edhe politikanët edhe biznesmenët, sepse në ato momente zbuten zemrat…Le ta shohin edhe ata se si është gjendja sociale në Kosovë”.

Humanisti thotë se gjendja sociale në Kosovë është gjithnjë e më e rëndë, pasi çdo ditë ka kërkesa të reja që kërkojnë ndihmë.

“Ne ditën që ndamë 28 banesa na erdhën 50 kërkesa të tjera për ndihma”.

Kastrati e ka përsëritur se falë ndihmës së veprimtarit dhe humanistit, Riza Lluka, ka filluar aktivitetin shoqata “Jetimet e Ballkanit”.

“Kemi filluar si kuzhinë humanitare, por nuk e kemi menduar se do të arrijmë ku jemi. Prej tri vjetësh ne kemi filluar të ndërtojmë edhe shtëpi. Kemi ndërtuar rreth 200 shtëpi që nga ajo kohë”.

Humanisti ka thënë se organizata ka funksionuar falë ndihmave të donatorëve, por të vetmet donacione nga jashtë që i kanë pranuar ishin ato nga KFOR-i gjerman.

Kastrati thotë se Riza Lluka ka ofruar në kuzhinën tonë biznesmen shume të rëndësishëm.

“Ka thirrur Gacaferrin dhe e ka njoftuar se është hapur një kuzhinë, u ka thënë se nuk kanë inventarin e mirë dhe ata na e kanë sjellë kuzhinën. Ka vepruar njëjtë edhe me Devollët edhe biznese tjera”.

“…Behgjet Pacolli poashtu ka qenë nga fillimi donator. Por mos të harroj që edhe këngëtari Ramadan Krasniqi ka paguar qiranë e kuzhinës në Pejë dhe ka ndihmuar edhe me vaj”.

Kastrati thotë se “Jetimat e Ballkanit” kanë ndërtuar shtëpi në të gjitha trojet shqiptare. Ai thotë se shtëpitë apo banesat ndërtohen varësisht sipas nevojave që kanë familjet.

“Zakonisht shtëpitë janë 75 metër katrorë, por ka raste kur kemi ndërtuar deri në 115 metra katrorë. Një familje në Mal të Zi i kishte 11 anëtar dhe ajo kishte nevojë për shtëpi më të madhe”.

“Nevojtari nuk ka komb, racë apo fe. Ne u kemi dhuruar komunitetit turk, boshnjak et. Kemi ndërtuar shtëpi në Gjakovë një pjesëtari të komunitetit katolik, por nevojtari mbetet nevojtar”.

Humanisti ka treguar se donacionin më të madh e ka dhuruar një djalë nga Gjilani në shumën prej 60 mijë euro.

Nga politikanët Halil Kastrati ka thënë se pos Behgjet Pacollit, emrat që ai i mban në mend janë Mërgim Lushtaku me babin e tij Sami Lushtakun dhe Bekim Haxhiu-Kamishi që ka ndihmuar me 2 mijë euro.

“Nuk dua t’i hyjë në hak asnjë politikani sepse listat i përgatit stafi. Behgjet Pacolli tashmë është një donator i rregullt. Ka ndihmuar edhe Mërgim Lushtaku me babain e tij. Por, unë e mbaj mend se tash së fundmi deputeti Bekim Haxhiu- Kamishi ka dhuruar 2 mijë euro për ndërtimin e një shtëpie”, tregon më tej humanisti Halil Kastrati.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme