Banorët serbë të katër komunave veriore sot kanë filluar zbatimin e planit për krizën humanitare, kjo sipas për shkak të taksës 100 për qind për prodhimet serbe të vendosur nga Qeveria e Kosovës.
Të gjitha bizneset atje janë mbyllur. Nuk është hapur as edhe një furrë buke. Por, situatën atje po e vëzhgojnë zyrtarë nga Qeveria e Kosovës. Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adrijana Hoxhiq, e cila një kohë të gjatë ka administruar me Zyrën në Veri, të hënën ka deklaruar se në komunat veriore është paralajmëruar protestë për dy ditë.
Thotë se do të shohin se si do të rrjedhë situata të mërkurën.
“Ne jemi duke monitoruar situatën. Atje është paralajmëruar një protestë për dy ditë. Po presim deri të mërkurën”, deklaron Hoxhiq për Express.
Aj ka deklaruar se e gjithë tregtia në pjesën veriore të Mitrovicës për dy ditë është e vdekur.
“E gjithë tregtia atje për dy ditë do të jetë e vdekur”, thotë ministrja.
E ndërkohë strukturat paralele serbe në Veriun e Mitrovicës i kanë urdhëruar të gjitha subjektet ekonomike të të gjitha llojeve që të mos punojnë, madje do të mbahen të mbyllura edhe pompat e benzinës, furrat, qebaptoret, lokalet e berberëve e sallonet e ondulimit.
Qytetarët serbë kanë krijuar rezerva të paktën për tri ditë.
E ndërkohë për ‘krizën humanitare’, mediat serbe po raportojnë se sot janë mbyllur furrat e bukës dhe objektet e tjera hotelierike.
Qytetarët kanë bërë rezerva këto ditë dhe kryetari i Shoqatës së Biznesmenëve në veri të Kosovës, Rados Petroviq, i tha RTS-së se kjo masë do të jetë në fuqi derisa Prishtina të heqë taksën.
Por, me gjithë insistimet nga Serbia që taksa të shfuqizohet, autoritetet e Prishtinës kanë përsëritur se taksa do të mbetet në fuqi.
Sipas Qeverisë së Kosovës, zbatimi i kësaj takse, përveç efekteve politike që synojnë të ndëshkojnë qëndrimet lobuese të Serbisë karshi Kosovës, ka prodhuar edhe efekte ekonomike./GazetaExpress