Partia Demokratike e Kosovës ka hapur sonte zyrtarisht fushatën zgjedhore.
Kandidati për kryeministër i PDK-së, Enver Hoxhaj teksa ka prezantuar listën e kandidatëve për deputetë, ka thënë se është krenar me listën e Rimëkëmbjes dhe programin që ofron partia e tij.
“Është një moment krenarie për mua të jem bartësi i listës së kandidatëve që sot betohen se do ta vazhdojnë rrugën e patriotizimit dhe atdhedashurisë. Është moment krenarie t’i prij një liste kaq profesionale dhe atdhetare”, ka pohuar ai.
Ky është fjalimi i plotë i kandidatit për kryeministër, Hoxhaj:
Sot nuk po u drejtohem vetëm votuesve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike.
Sot po i drejtohem të gjithë Kosovës, të gjithë qytetarëve.
Posaçërisht atyre që dikur kanë votuar për ne.
Dua që të na dëgjojnë të gjithë qytetarët.
Dua që të gjithë qytetarët ta dinë të vërtetën.
Të vërtetën se në çka besojmë ne dhe për çfarë angazhohemi ne.
Të dashur qytetarë,
Kjo ngjarje sot është një moment krenarie për mua që t’i prij një liste të këtillë të kandidatëve për deputetë.
Një liste që është pasqyra më e mirë e vendit tonë.
Më të mirët e të gjitha fushave.
Një listë që përfaqëson kombinimin e talentit, përvojës dhe potencialit që ka Kosova jonë.
Një listë që seriozisht synon ta rimëkëmbë Kosovën në çdo aspekt.
Është një moment krenarie për mua të jem kapiteni i një ekipi kaq të dinjitetshëm.
Një ekipi me program.
Një ekipi me qëllim.
Një ekipi të gatshëm për të punuar për Rimëkëmbjen e Kosovës sonë.
Një ekipi që është rezultat i përpjekjeve njëzetvjeçare të partisë tonë, në krye me Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
Është një moment krenarie për mua të jem bartësi i listës së kandidatëve që sot betohen se do ta vazhdojnë rrugën e patriotizimit dhe atdhedashurisë.
Është moment krenarie t’i prij një liste kaq profesionale dhe atdhetare.
Një listë me shumë luftëtarë të lirisë dhe të burgosur politikë.
Një listë me shumë ndërmarrës dhe inovatorë.
Një listë me profesorë, mësues dhe studentë.
Një listë me shumë gra dhe burra punëtorë.
Një listë me shumë të rinj.
Kjo është lista e guximit dhe e dinjitetit.
Kjo është lista e talentit dhe e punës.
Kjo është lista e profesionalizmit dhe e vendosmërisë.
Kjo është lista e shpresës dhe e besimit.
Kjo listë, sa është e shumëllojtë, aq është edhe unike.
Sepse, na bashkon një qëllim: Rimëkëmbja e Kosovës.
Ne jemi një ekip. Një ide. Një synim. Një ideal.
Secili prej nesh përfaqëson një grup qytetarësh.
Por, së bashku e përfaqësojmë një qëllim: Rimëkëmbjen e Kosovës.
Sepse, të gjithë së bashku besojmë në të njëjtat parime.
Së pari dhe më e rëndësishmja: Kosova dhe kombi ynë janë mbi partitë dhe dallimet partiake.
Ky parim është në ADN-në tonë politike.
Kështu jemi brumosur së bashku në PDK.
Këtë e kemi trashëgimi nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Së pari Kosova.
Secili nga kandidatët për deputetë të Listës së Rimëkëmbjes është krenar me historinë e lavdishme të vendit tonë.
Secili është krenar me themelet e lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë.
Secili është krenar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe themeluesit e saj.
Secili kandidat i Listës së Rimëkëmbjes e gjen inspirimin tek e kaluara, për të shikuar përpara.
Për të punuar për të ardhmen.
Për një të ardhme më të mirë.
Për një shtet me ekonomi të zhvilluar.
Për një shtet ku sundon ligji.
Për një shtet me shëndetësi moderne.
Për një shtet me arsim të avancuar.
Për një shtet me dinjitet në arenën ndërkombëtare.
Për një Kosovë që do ta përmbyllë me sukses shtetndërtimin.
Si anëtare e barabartë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Për gjeneratat e reja që meritojnë shumë më shumë mundësi dhe hapësirë.
Për një shtet të respektuar dhe të barabartë në familjen evropiane.
Unë, si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës, kam besim të plotë dhe ju garantoj se kjo do të arrihet.
Kjo arrihet me shumë përkushtim dhe me një ekip të aftë sikurse është Lista e Rimëkëmbjes.
Me një program konkret sikurse është Programi i Rimëkëmbjes.
Me një parti që respekton sundimin e ligjit.
Një parti që respekton institucionet shtetërore.
Një parti që i respekton rregullat e demokracisë.
Një parti që e respekton mendimin ndryshe dhe kritikën.
Ne besojmë që secili është i barabartë para ligjit.
Ne besojmë që secili duhet ta respektojë ligjin.
Nuk ka demokraci pa sundim të ligjit.
Ne besojmë në demokraci.
Ne jemi partia e demokracisë.
Ne jemi Partia Demokratike.
Ne e kemi shpalosur programin tonë të Rimëkëmbjes.
Një program i hartuar së bashku me qytetarët.
Sepse ne kemi biseduar me qytetarët. Ne i kemi dëgjuar ata. Ne i respektojmë qytetarët.
Kështu e kemi ideuar programin e Rimëkëmbjes për të gjithë.
Askush nuk mund të lihet jashtë programit tonë qeverisës.
Programi ynë është për të gjithë.
Gjatë vizitave nëpër Kosovë, qytetarët më kanë pyetur:
“Çka domethënë Rimëkëmbja për ne?”
Rimëkëmbje për studentin domethënë studime falas në universitet.
Rimëkëmbje për të rinjtë e papunë domethënë 15 milionë euro për të nxitur ndërmarrjet e reja.
Rimëkëmbje për mjekun domethënë mundësi për të ushtruar profesionin e tij këtu, pranë familjes, në qytetin e tij. Me dinjitet. Me pagë dinjitoze – 1500 euro për mjekun specialist dhe 650 euro për infermierët.
Rimëkëmbje për fermerët domethënë shlyrja deri në 50% e kredive.
Rimëkëmbje për mësuesit domethënë rritje e pagave në 600 euro.
Rimëkëmbje për profesorët e shkollave të mesme domethënë rritje e pagave në 700 euro.
Rimëkëmbje për profesorët universitarë dhe akademikët domethënë rritje e pagave në 1800 euro.
Projekti i Rimëkëmbjes, po ashtu, nënkupton pensione dinjitoze për kategoritë e dala nga lufta, për veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve. Pensionet do të rriten nga 170 në 300 euro.
Si dhe rritje prej 40 % të pensioneve për pensionistët.
Ky është vizioni ynë i përbashkët.
Në këtë besojnë të gjithë kandidatët e Listës së Rimëkëmbjes.
Këto janë parimet që na bashkojnë.
Parimet që na frymëzojnë.
Parime për të cilat do të punojmë së bashku.
Secili qytetar duhet ta dijë dhe ta ndjejë se çfarë domethënë Rimëkëmbja për të.
Por, qytetarët, po ashtu duhet ta dinë se si do ta zbatojmë Rimëkëmbjen.
Prandaj, e kemi shpalosur programin tonë.
Prandaj, jemi të angazhuar për programin tonë.
Prandaj, ju prezantojmë se kush dhe si do ta zbatojë programin tonë.
Ne duam që secili qytetar ta dijë.
Ta dijë se përse do të votojë listën tonë.
Ne kërkojmë nga ju që të votoni për ne.
Ne duam që ju të na besoni. Të besoni se ne do t’i zbatojmë zotimet tona.
Çdo fjalë që e themi. Çdo premtim që e bëjmë.
Ne jemi pranë jush, qytetarë të Kosovës.
Sepse, ne vijmë nga ju.
Sepse, ne i kemi të njëjtat parime. Të njëjtat aspirata. Të njëjtat ëndrra.
Së bashku do ta rimëkëmbim Kosovën.
Së bashku do t’i dalim zot Kosovës përballë Serbisë.
Së bashku do ta mbrojmë Kosovën nga kërcënimi i autoritarizmit.
Së bashku do t’i rregullojmë marrëdhëniet me miqtë dhe aleatët tanë.
Së bashku do ta bëjmë Kosovën një shtet me dinjitet.
Një shtet ku sundon ligji.
Së bashku do ta zhvillojmë Kosovën në çdo aspekt.
Së bashku do ta ndreqim imazhin e Kosovës dhe do t’ia kthejmë krenarinë Kosovës.
Së bashku për Rimëkëmbje”. /
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...
Hyrja e “lirshme” e drogës në burgjet e Kosovës, për tre vje...
Pacolli udhëton me tren: Moment qetësie larg zhurmës së përd...
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...