Hoxhaj: Shndërrimi i kampit ushtarak gjerman në qendër inovative ndër vendimet më të rëndësishme të qeverisë

17:16 | 5 Mars 2018
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri i Kosovës ka mirëpritur nënshkrimin e marrëveshjes mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë, për shndërrimin e kampit ushtarak gjerman në Prizren, në Park për Inovacion dhe Trajnim, duke filluar nga viti 2019.

Hoxhaj ka thënë se ky është ndër vendimet më të rëndësishme që ka marrë qeveria e Kosovës gjatë këtij mandati, duke shtuar se po formalizohet një projekt që lidh përjetësisht Kosovën me Gjermaninë.

“Transformimi i kampit ushtarak gjerman në Prizren në një Park për Inovacion dhe Trajnim nga fillimi i vitit 2019, si një qendër e zhvillimit socio-ekonomik dhe shkencor të Kosovës është lajmi më i mirë i këtij fillim muaji si dhe ndër vendimet më të rëndësishme të kësaj qeverie pasi po formalizohet një projekt që lidh përjetësisht Kosovën me Gjermaninë dhe flet për raportin tonë të shkëlqyer”, ka thënë kryeministri Hoxhaj.

Hoxhaj ka përgëzuar kryeministrin Haradinaj për punën në përmbylljen e këtij projekti.

Diskutimet për këtë projekt kanë nisur nga viti 2009 fillimisht për t’u shndërruar në kampus universitar, e pastaj është transformuar në projekt për shndërrimin e kampit ushtarak në park inovativ.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se ky bashkëpunim që u nënshkrua sot përtej raporteve miqësore dhe bashkëpunimit politik, është një hap drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u mor vendimi për shndërrimin e kampit ushtarak gjerman në Prizren në park inovativ, i cili për 99 vitet e ardhshme do të menaxhohet nga qeveria e Gjermanisë. Menjëherë pas mbledhjes së qeverisë është bërë edhe nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme