Hoxhaj për emërimin e Peach: Përvoja e tij e gjerë do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen në rajon

17:24 | 2 Dhjetor 2021
L G

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj emërimit të Stuart Peach si i dërguari special nga Britania e Madhe për Ballkanin Perëndimor.

Ai përmes një statusi në rrjetin social Twitter, ka thënë se është lajm i shkëlqyeshëm emërimi i Sir Stuart Peach si i dërguari special për Ballkanin Perëndimor nga Britania e Madhe, por ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit britanik, Boris Johnson, i cili tha se Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin e tyre.

“Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin e tyre në më shumë se dy dekada. Jam krenar që emëroj Sir Stuart si të dërguarin tonë të ri special – përvoja e tij e gjerë do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen në rajon”, ka shkruar kryeministri britanik, Boris Johnson, në rrjetin social Twitter.

Hoxhaj tha se nëse Britania e Madhe e lexon situatën tonë si kërcënimin më të madh për stabilitetin e tyre gjatë dy dekadave, atëherë kjo është një çështje që duhet të shqetësohen të gjithë.

“Lajm i shkëlqyeshëm emërimi i Sir Stuart Peach nga kryeministri Boris Johnson si i dërguari special për Ballkanin Perëndimor! Nëse Britania e Madhe e lexon situatën tonë “si kërcënimin më të madh për stabilitetin e tyre gjatë dy dekadave”, atëherë vërtet të gjithë duhet të shqetësohen! Presim me padurim marrëdhënie më të forta ndërmjet Kosovës dhe Britanisë së Madhe”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter./arbresh.info/

Të ngjashme