Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka qëndruar sot në Mitrovicën e Veriut, ku me kandidatin e kësaj partie për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Florent Azemi kanë bërë hapjen e fushatës zgjedhore dhe kanë paraqitur planprogramin qeverisës.
Hoxhaj ftoi qytetarët e Mitrovicës së Veriut që me 29 nëntor ta votojnë kandidatin e PDK-së Florent Azemi, me numër 124.
“Jemi këtu për ta mbështetur kandidaturën e Florent Azemit për kryetar të Mitrovicës së Veriut, sepse nuk ka pikë më strategjike në Kosovë dhe trojet shqiptare se kjo pjesë veriore e Kosovës. Këtu fillon dhe mbaron interesi shtetëror dhe nacional i Kosovës. I ftojmë të gjithë votuesit e PDK-së dhe votuesit e tjerë të të gjitha etnive, e veçanërisht shqiptarët ta mbështesin kandidaturën e Florenit meqë ne jemi garancë e interesave dhe pritjeve të tyre.”, tha ai.
Nga Kulla e Ali Kadriut, Hoxhaj theksoi se mbështetja për PDK-në do të thotë edhe mbështetje për çlirimtarët në Hagë.
“Këto zgjedhje i mbajmë në një kohë kur kryetari ynë është në Hagë. Ata që e kanë dashur, ata që e dojnë dhe e çmojnë Kadri Veselin i ftojmë që ta mbështesin Partinë Demokratike meqë është mënyra më e mirë për t’i mbështetur shokët tanë në gjykatë në këtë kohë komplekse për Kosovën. Ne nuk mund ti përfaqësojmë interesat e PDK-së pa e përfaqësuar interesin e bacës Ali, interesin e të gjithë shqiptarëve, interes që PDK-ja e ka përfaqësuar në këto 20 vitet e fundit prej një realiteti të krijuar në Kosovë.”, tha Hoxhaj.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Florent Azemi u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin dhe votojnë në zgjedhjet për Mitrovicën e Veriut për ta fuqizuar pozicionin e të gjitha komuniteteve në komunë.
“Ju bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve, por edhe komuniteteve boshnjake, gorane dhe të tjera që të dalin sa më shumë në votime. Të tregojmë që me pjesëmarrjen tonë në këto zgjedhje jemi të përfaqësuar në Kuvendin Komunal. Kemi qenë bashkë në të mirë dhe në të keq, bashkë do të vazhdojmë të jemi prapë në sfidat që na paraqiten në të ardhmen.”, tha Azemi gjatë paraqitjes së planit të tij zgjedhor.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza theksoi se Veriu ka qenë gjithmonë prioritet për Partinë Demokratike të Kosovës, gjë e dëshmuar me investimet në infrastrukturë dhe krijim të kushteve për banim për shqiptarët që jetojnë në Mitrovicën e Veriut.
“Qëllimi ynë është ta bëjmë maksimumin dhe ta synojmë fitoren. Për ne si Parti Demokratike kjo pjesë ka qenë gjithmonë prioritet. Sa ka qenë PDK-ja në pushtet, shumica e investimeve në veri janë bërë në kordinim ngushtë mes pushtetit lokal dhe kolegëve në qeveri, janë kthyer shumë familje në Lagjen e Doktorëve, në Lagjen e Minatorëve dhe në Kroin e Vitakut. E kemi parë se kur nuk është PDK në pushtet në Mitrovicën Jugore, nuk ka investime as në Mitrovicën Veriore, ato janë minimale. Prej vitit 2014 e tutje investimet ne këtë pjesë janë simbolike dhe është ndërruar struktura e popullsisë, si rezultat i presionit të Serbisë.”, tha Hamza./arbresh.info/
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?