Hoxhaj në Ferizaj: Transformimin që Agim Aliu dhe PDK-ja po e bëjnë në Ferizaj, do ta bëjmë në të gjitha komunat

16:17 | 15 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Kryetari në Detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vizituar sot qytetin e Ferizajt.

I shoqëruar nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, kryetari Hoxhaj vizitën e ka nisur në kompaninë “Cadi Comerce”, e cila është e vetmja në Kosovë për prodhimin e mjeteve të pastrimit dhe që bën eksportimin e prodhimit të tyre në 12 vende të shteteve të Evropës dhe në rajon.

Gjatë vizitës në këtë kompani, e cila ka të punësuar 55 punëtorë, kryetari në detyrë Hoxhaj ka thënë se kompanitë si këto, ndërmarrësit si këta, janë heronjtë e ri të Kosovës.

“Në lidershipin e kryetarit Agim Aliu dhe qeverisjes së PDK-së, Ferizaj është shndërruar në një kryeqendër ekonomike. Kjo kompani, si një storie suksesi e jashtëzakonshme, është pikërisht arsyeja që ne kemi propozuar masat tona në Pakon e Rimëkëmbjes dhe të cilën më pas e kemi votuar, sepse, 40 deri në 50 mijë biznezse do të përfitojnë nga fondi 200 milionë euro.”, ka thënë kryetari Hoxhaj, duke shtuar.

“Partia Demokratike e Kosovës do të jetë vazhdimisht opozitë ndaj pushtetit, por asnjëherë ndaj qytetarëve dhe bizneseve”.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se qeverisja komunale e PDK-së do të jetë gjithmonë afër bizneseve të këtij qyteti.

“Ne do të jemi gjithmonë në mbështetje të bizneseve. Tani do të nisim edhe heqjen e qerave ndërsa do të vazhdojmë me lehtësirat tjera. Votimi i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, ishte pikërisht për të qenë afër bizneseve dhe qytetarëve”., ka thënë Aliu.

Pronari i kompanisë, Sadri Gashi, ka falënderuar kryetarin Hoxhaj për votimin e pakos së rimëkëmbjes, sepse, kjo është një ndihmë në momentin e duhur për të gjitha kompanitë kosovare.

Më pas, kryetari Hoxhaj ka vizituar edhe pikën e nënkalimit në Ferizaj, e cila më parë ishte shkaktare e aksidenteve të shumta, ndërsa sot është shndërruar në kryevepër arkitektonike dhe rrugë e cila u shërben jashtëzakonisht shumë të gjithë qytetarëve.

“Kryetari Agim Aliu ka dëshmuar me punën e tij, se vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës kur përcillet drejtë, atëherë ndryshon qyteti, ndryshon jeta e qytetarëve. Këtë model do ta shtrijmë edhe nëpër komunat tjera të Republikës së Kosovës.”. ka thënë Hoxhaj.

Në fund të vizitës në Ferizaj, kryetari Hoxhaj dhe kryetari Aliu kanë vizituar edhe Spitalin Rajonal dhe QKMF-në e qytetit.

Me këtë rast, kryetari Hoxhaj ka falënderuar vetëmohimin e profesionistëve shëndetësorë të këtij qyteti për t’u dalë në ndihmë qytetarëve në luftimin e pandemisë.

“Falënderimet e mia të posacme për punën e jashtëzakonshme që keni bërë gjatë gjithë këtyre muajve. E di që nuk ka qenë e lehtë, por ju, me vetëmohim dhe sakrificë, keni ndihmuar qytetarët që ta përballojnë më lehtë këtë sfidë.”, ka thënë kryetari Hoxhaj.

Drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, ka falënderuar kryetarin Hoxhaj dhe kryetarin Aliu për mbështetjen që qeverisja e PDK-së u ka bërë profesionistëve shëndetësorë në këtë komunë, duke u dalë në ndihmë me të gjitha kapacitetet në dispozicion./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme