Google ADS

Hoxhaj: Kushtet e Listës Serbe ishin të papranueshme për ne

01:33 | 22 Mars 2018
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është një lajm shumë i madh për Kosovën.

Në Interaktiv të KTV-së, Hoxhaj ka thënë se Qeveria sot e ka dëshmuar atë që e kishte proklamuar, se është një Qeveri e vendimeve të mëdha.

“Ky është një lajm shumë i madh për qytetarët e Kosovës, pasi është procesi ma i rëndësishëm që kanë ndodhur, e për Qeverinë është një nga më të mëdhatë. Ratifikimi i Marrëveshjes ka qenë shkaku kryesor i rrëzimit të asaj Qeverie. Mendoj se sot kemi arritur që të tregojmë atë që kemi proklamuar, se kjo Qeveri do të jetë e vendimeve të mëdha”, është shprehur ai.

Hoxhaj ka thënë se votat janë siguruar falë një bashkëpunimi shumë të shëndoshë, ndërsa tregon se kanë biseduar edhe me Listën Serbe, por kërkesat e saj ishin të papranueshme për palën shqiptare.

“Kemi pasur një deklaratë të përbashkët, e shëndoshë, në mënyrë që të bëhen rregullimet e këtij demarkacioni. Një komunikim shumë të mirë ka pasur ndërmjet partnerëve të koalicionit, me disa deputetë të opozitës dhe po ashtu edhe të Listës Serbe. Heçëm dorë nga Lista Serbe pasi kërkesat e tyre ishin shumë të mëdha, por fatmirësisht patëm mbështetjen e disa deputetëve tjerë. Në shtëpinë e Pacollit ishim takuar me Listën Serbe për të diskutuar për kushtet e tyre. Kërkesat për bordin e Trepçës kanë qenë të papranueshme. Përveç në Hajvali me ta jemi takuar edhe në Kuvend”, është shprehur Hoxhaj.

Ai më tutje ka treguar se ka biseduar me komisionerin për Çështje të Brendshme, Dimitris Avramopoulos.

“Sot kam pasur një telefonatë me Dimitris Avramopoulos (komisioner për Çështje të Brendshme) që është autoriteti më i rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Ka qenë një njeri me të cilin kam pasur kontakt në mënyrë permanente, ai tha se sipas tij kjo hap rrugën për qytetarët e Kosovës për të lëvizur lirshëm. Në ditët e ardhshëm pritet të ketë veprime të koordinuara, dhe të caktojmë se si të shkojmë në cakun final”, është shprehur ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme