Google ADS

Hoxhaj: Kurtin e kanë mbajt shpesh në Athinë me qëllim që ta largojnë prej Turqisë

11:40 | 7 Shkurt 2024
K.B

Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pas vizita shumë të shpeshta në Greqi, derisa shtoi e një gjë të tillë nuk e ka bërë edhe në vendet tjera të rajonit si Shqipëria, Maqedonia apo Bullgaria.

Hoxhaj madje tha se Kurti është vu në kurth kur është ftuar në vizita e simpoziume të shpeshta në Greqi, duke thënë se qëllimi i tyre ka qenë mbajtja larg prej Turqisë.

“Mendoj që është mirë që Kurti ka ndërtuar gjithashtu raporte të mira me Greqinë, e kemi pas edhe ne sa kemi qenë në qeveri, edhe kryeministri Thaçi dhe të tjerët. Unë kam raporte shumë të mira me Greqinë por Kurtin e kanë mbajt shpesh në Athinë me qëllim që ta largojnë prej Turqisë dhe ai shpesh nuk e ka kuptuar mënyrën se si funksionon politika rajonale e shteteve, se në politikë të jashtme ka edhe kapak kurthe të vogla edhe prej atyre të cilët presin. Unë nuk e kam pritë që Greqia e njeh pavarësinë e Kosovës. Kam dëshirë që kjo të ndodh por këtë e them me një arsye se nëse ju dhe unë jetojmë në një lagje të Prishtinës dhe unë vazhdimisht shkoj në fqinj tjetër dhe nuk vij asnjëherë te ju për kafe, nuk ka nevojë të kesh dije në diplomacinë politike që të sheh që është e tepërt cilat janë benifitet e punës. Kështu që shumë shpesh e kanë mbajt me konferenca, simpoziume, ftesa të shpeshta për të treguar që është shumë afër Athinës dhe më larg të tjerëve dhe në bindjen time kur je ministër i jashtëm si zonja Gërvalla, nëse Kurti s’e din, Gërvalla duhet t’ia shpjegoj. Nëse shkon 5 herë në Greqi, duhet të shkosh 4-5 herë edhe në Shqipëri, edhe në Maqedoni, edhe në Bullgari”, ka thënë Hoxhaj.

Ai shtoi se nuk pret njohje nga Greqia, pavarësisht raporteve me Qeverinë e Kosovës.

“Unë kam parë disa veprime të cilat tregojnë që kolegët që janë në qeveri nuk i njohin as protokollin diplomatik, as kurthet e vogla, po i shoh me simpati raportet me Greqinë por nuk pres njohje. Njëjtë nuk pres njohje edhe me Qipron, njëjtë nuk pres edhe me Rumaninë, Sllovakinë, Spanjën”, u shpreh Hoxhaj, në Tëvë1.

Ndërsa, sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Hoxhaj tha se ky proces ka mundur të përfundoj më 2016, nëse sipas tij nuk do të ndodhnin veprime të ndryshme, përfshirë edhe dhunën në Kuvendin e Kosovës në vitin 2017.

“Ajo se çfarë ka ndodh prej vitit 2013, deri më 2017 kur ka pas dhunë në Kuvendin e Kosovës për Asociacionin, demaskimin e Kufirit, liberalizimin e vizave që do ta kishim më 2016 dhe e morëm tek në janar të 2024, tregojnë që kur temat e politikës së jashtme i shndërron në diskurs të brendshëm dhe i keqpërdor për arsye të brendshme sikur i ka keqpërdor VV mund të shtyhen në pafundësi dhe përfundojnë në një situatë kur ai draft i cili nuk ka qenë i lehtë i 2013-ës as i 2015-ës i Asociacionit, por nëse ne do të fillonim ta zbatonim pa e shkelë Kushtetutën sikur ka thënë Gjykata kushtetuese, mendoj se tash më 2024 nuk do të ishte temë në tavolinë. Se në politikë sa herë ka vullnet politik mund të gjendet dizajni i cili nuk e lëndon as ndërtesën politike, as sovranitetin, as pavarësinë e Kosovës por edhe e arrin qëllimin e duhur. Por nëse e ke bërë më 2013, në vend të Asociacionit të 2013 kemi përfundu në një entitet paralel jashtë Republikë së Kosovës, ne një autonomi të plotë edhe politikë edhe territoriale edhe fetare të cilën zoti Kurti ia ka lënë në tavolinë këtij vendi se i ka thënë po asaj marrëveshje dhe ajo marrëveshje mund t’i duket dikujt i cili sonte na ndjek si jo-relevante por është relevante për BE-në. BE e ka integruar atë marrëveshje në procesin e anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE prandaj edhe dëmet që janë bërë janë më të mëdha. Ne kemi një politikë e cila në fakt është duke blerë kohë, e cila nuk e ka asnjë rezultat. Politika nuk matet me qëllime të mira, matet me rezultate”, tha Hoxhaj.

Ai shtoi se rezultatet në politikën e jashtme të Albin Kurtit janë pa njohje, pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare, pa marrje të statusit të kandidatit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme