Hoxhaj: Kurti të bëjë ndryshime brenda Qeverisë, vetëm PDK-ja mund ta lëviz vendin përpara

14:05 | 28 Janar 2023
A. B.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, tashmë deputetet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, në një intervistë për portalin “Arbresh.info”, ka folur për disa nga temat të cilat lidhen me dikasterin që ai dikur drejtonte, e që tashmë drejtohet nga Donika Gërvalla.

Hoxhaj, ka drejtuar një varg kritikash ndaj ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporë,Donika Gërvalla, por edhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që sipas tij, nuk e kishte prioritet këtë ministri.

Duke e parë fushatën e egër të nisur nga Serbia, ku si rezultat i kësaj erdhi edhe c’njohja nga Togo, i cili vite më parë e kishte njohur  shtetësinë e Kosovës, Hoxhaj ka kërkuar nga  i pari i Qeverisë të jetë më serioz, të mbrojë interesin vital të vendit si dhe të dal me një plan dhe strategji sesi të bëhet një luftë diplomatike ndaj shtetit serb.

Hoxhaj  thotë se kryeministri Kurti bashkë me ministren e Jashtme, dhe presidenten e vendit Vjosa Osmani, duhet t’i vizitojnë shtetet të cilat, sipas tij,  janë piketuar nga diplomacia serbe për t’i tërhequr njohjet ndaj shtetit të Kosovës, e të parandalohet kjo fushatë e egër nga Serbia.

“Unë, nuk di se çfarë veprime ndërmerr Serbia aktualisht. Ajo se çfarë e di është një fushatë e egër, e ndytë ku përdoren të gjitha mjetet e mundshme, ku në çdo kontinent dhe në çdo shtet ku ka mundësi që të ndikohet për t’i tërhequr njohjet serbët dhe çfarë ne po shohim është që Presidentja e vendit, kryeministri Kurti, ministrja e Jashtme, qëndrojnë në Prishtinë. Nuk kanë ndonjë plan konkret që t’i vizitojnë këto vende, nuk kanë komunikim diplomatik me këto vende, nuk dërgojnë letër në këto vende, nuk i thërrasin në telefon drejtuesit në këto vende. Në pikëpamjen time do të duhej që ta kenë një strategji, dhe një plan veprimi ku me raste të veçanta do të duhej të parandalohet kjo fushatë e egër e Serbisë”, shprehet  Hoxhaj për ‘Arbresh.info’.

Aplikimi i Kosovës në Këshill të Evropës, dhe aplikimi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sipas Hoxhajt kanë qenë dhe mbesin aplikime për të përfunduar në sirtarët të ekzekutivit,  meqë sipas tij, të dyja nuk kanë qenë të koordinuara prej fillimit.

Hoxhaj i quan intervista për të shitur mend, intervistat që Kurti i ka dhënë në disa media ndërkombëtare, duke shtuar se përveç këtyre intervistave Kryeministri  nuk ka arritur që këtë situatë të re ndërkombëtare ta përkthej në mbështetje konkrete për Republikën e Kosovës.

“Kanë dhënë intervista interesante për mediat ndërkombëtare dhe po mendojnë që politika është vetëm lajm. Politika është e rëndësishme që të jetë pjesë e lajmeve ndërkombëtare duke dhënë qëndrimet, por, politika është veprim, duhet të krijon fakte konkrete me qeverisë do të thotë me udhëheqë një vend, me udhëheqë një vend do të thotë me udhëheqë drejtë qëllimeve madhore”, thotë ai.

Hoxhaj me kritika ndaj Donika Gërvallës: Kjo Qeveri nuk ka njeri që merr vesh në punët e Jashtme

Kosova aktualisht sipas Hoxhajt, nuk ka ministër të Jashtëm, ka vetëm Ministri të Jashtme, ka diplomatë të ndryshëm, mirëpo  nuk ka një njeri që merr vesh në këtë Qeveri në punët e Jashtme.

Ai, madje thotë se Kurti duhet të bëjë ndryshime brenda përbrenda qeverisë.

“Mendoj së Kosova nuk e ka aktualisht ministër të Jashtëm, ka Ministri të Jashtme, ka diplomatë të ndryshëm që bëjnë punë brilante, por nuk ka një njeri që merr vesh në këtë punë. Dhe në pikëpamjen time, këtë nuk e them se pse ne jemi në opozitë, se ne do të jemi me çdo qeveri bashkë kur është në pyetje interesi i vendit. Ajo se çfarë po flitet për Këshillin e Evropës, që aplikimi i joni ka mbetur në sirtarë, në dollap, dhe unë mendoj që në këtë situatë të shërben si një pikënisje për kryeministrin Kurti të del me një program të qartë të politikës së jashtme, që të bëjë ndryshime në qeveri, nëse ai mendon se duhet të bëjë ndryshime në qeveri”, pohon Hoxhaj.

Ish-kryetari i PDK-së, për “Arbresh.info”, shprehet i bindur se ShBA-të, BE dhe partnerët tjerë perëndimor, nuk do të heqin dorë prej Kosovës, pasi është produkt i vullnetit e politikës së qytetarëve kosovarë, mirëpo sipas tij, është Qeveria Kurti  ajo që është e pa besueshme, dhe jo kredibile në arenën ndërkombëtare.

Në fund, Hoxhaj ka folur për mundësinë e ardhjes së PDK-së në pushtet, nëse Qeveria aktuale bie, që drejtohet nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nëse ky i fundit nuk vendos të dorëhiqet pas presioneve ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo për ndonjë arsye tjetër.

Sipas tij, qeverinë e ardhshme me çdo kusht duhet ta udhëheqë PDK, dhe jo të jetë pjesë e ndonjë koalicioni, pa e pasur pozitën kyçe të kryeministrit, sepse sipas tij, vetëm kjo parti është boshti që i lëviz gjërat e mëdha përpara.

“Unë mendoj që PDK-ja do të duhej me çdo kusht që ta udhëheqë Qeverinë e Republikës së Kosovës, vetëm PDK-ja mund të jetë bosht që ta lëviz vendin përpara dhe jo të jemi pjesë e ndonjë koalicioni të mundshëm . pasi qeveritë e koalicioneve deri më tash kanë tregu që nuk e japin efektin e saj. Natyrisht që ne jetojmë në demokraci dhe nuk mundet vetëm PDK ta udhëheqë Qeverinë. Ne duhet të hyjmë me dikë në koalicion, por kryeministri duhet t’i takojë PDK-së, nëse do që vendi të lëvizë përpara”, shprehet Hoxhaj. /Arbresh.info/Pleurat Salihu/

 

Intervista e plotë:

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme