Google ADS

Hoxhaj: Haradinaj të na kthejë borxhin, PDK e bëri kryeministër në vitin 2017

22:12 | 16 Nëntor 2020
L G

Enver Hoxhaj pret nga Isa Mustafa të deklarohet në emër të koalicionit për çështjen e presidentit.

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti reagoi dy javë pasi u ngrit aktakuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Kjo deklaratë më shumë i referohet sondazheve që bën zoti Kurti në raport me temat popullore, se që ai ka një politikë të mirëfilltë partiake për këtë çështje. Zoti Kurti në qershor kishte bërë një deklaratë ku rreth 18 herë kishte thënë “shko Hashim”. Ai tash më shumë dëshiron ta përdorë këtë kapital politikë të UÇK-së për arsye të tij partiake dhe private”, tha Hoxhaj në RTV Dukagjini.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Hoxhaj thotë se iu takon partnerëve të koalicionit qeverisës të tregojnë se si e shohin ata zgjedhjen e presidentit.

“Ata të koordinohen mes vete dhe të kenë një qëndrim. Nuk mund të kenë tre partnerë të koalicionit, tri qëndrime të ndryshme. Ne si PDK këto dy-tri javët e fundit nuk kemi pasur luksin të diskutojmë temën e zgjedhjes së presidentit. Partnerët e koalicionit të flasin mes vete para se të kërkojnë vota nga PDK për presidentin”, deklaroi U.D i Kryetarit të PDK-së, përcjell Telegrafi.

Hoxhaj ka folur edhe për deklaratën e Haradinajt për huazim të votave.

“Haradinaj ka të drejt legjitime ta shpallë kandidaturën për president. Por nëse flitet për vota hua, Haradinaj duhet të na kthejë borxhin neve pasi PDK e ka bërë kryeministër në vitin 2017. Pos që na ka borxh neve i ka borxhe edhe LDK-së pasi edhe ata e kanë bërë kryeministër në vitin 2004”.

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të PDK-së thotë se deklarimi i Haradinajt për president nga PDK është parë i ngutshëm.

“Ajo deklaratë pak ditë pas aktakuzave ka lënduar çdo anëtarë të PDK-së, pasi vendi ishte në një situatë të pa precedentë”, shtoi më tej Hoxhaj

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme