Në 11 vjet pavarësi, Kosova ka arritur të anëtarësohet në 67 organizata të ndryshme botërore dhe të nënshkruar disa marrëveshje kontraktuale me BE-në.
Në një intervistë për portalin arbresh.info zëvendës kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka quajtur sukses të vendit shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare nga 115 shtete.
Ai ka thënë se spektri politik ka arritur ta bëjë Kosovën pjesë të hartës politike të shteteve të botës.
“Në këto 11 vite ne kemi pasur rezultate konkrete dhe të matshme, edhe si qytetarë por edhe si elitë politike duhet t’i njohim, t’i pranojmë dhe t’i vlerësojmë këto rezultate. Natyrisht që ka pasur edhe ngecje, por në 11 vite ne kemi arritur që ta bëjmë Kosovën pjesë të hartës politike të shteteve të botës. Janë 115 vende që e kanë njohur Kosovën, është anëtarësimi i Kosovës në 67 organizata të ndryshme, kemi nënshkruar një marrëveshje kontraktuale me BE-në, MSA e cila është në zbatim e sipër, kemi raport po ashtu kontraktual me NATO-në, dhe mbi të gjitha kemi një raport me SHBA-në dhe partnerët tjerë evropian. Të gjitha këto janë arritje për një shtet të ri, për një shtet që ka dalë nga një shtypje e madhe dhe sistematike i cili ka përjetuar gjenocid, dhe tash në 2019 e shohim si një mundësi të madhe që të arrijmë një marrëveshje me Serbinë , marrëveshje e njohjes së ndërsjellë, e paqes, që na e siguron anëtarësimin e Kosovës në OKB e cila është pritja më strategjike që ka Kosova”, është shprehur Hoxhaj.
Pavarësisht sukseseve që ka arritur Kosova në anëtarësimin e saj në disa organizata, Hoxhaj ka përmendur edhe dështimin që kishte Kosova në Interpol dhe UNESCO.
“Ajo se çfarë ka ndodhur në Interpol dhe UNESCO natyrisht që ka qenë një ngecje e Kosovës, nuk ka qenë lajm i mirë. Por marr në tërësi ne kemi arritur të anëtarësohemi në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Organizatën Botërore të Doganave, në FIFA, në UEFA dhe organizata tjera, si dhe numri i tyre është 67 organizata. Krejt shtetet nuk janë anëtarë të tyre por ne do të synojmë fillimisht të anëtarësohemi në OKB dhe nëse ne arrijmë një marrëveshje me Serbinë, kjo marrëveshje ka kuptim, e mbërrin cakun e fundit vetëm kur jemi anëtarë të OKB-së”, është shprehur ai.
Ndër të tjera zv.kryeministri Hoxhaj ka folur edhe për liberalizimin e vizave duke dhënë se në shumë takime me zyrtarë të lartë të BE-së ka qenë brutal sa i përket kësaj çështje.
“2018 për mua ka qenë dështim sa i takon liberalizimit të vizave dhe qëndrimi im me partnerë evropian, qoftë me institucione të BE-së, me shtete anëtare, me liderë më të lartë të tyre ka qenë i prerë dhe nganjëherë kam qenë brutal në takim sepse mendoj që qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave. I kemi përmbushur të gjitha kriteret të lëvizim pa viza në zonën Shengen dhe jam i sigurt që në mes të 2019 mund të merret një vendim i cili do të duhej të merrej në fund të 2018”, ka theksuar ai.
Sipas tij suksesi më i madh që do të arrinte Kosova në këto 11 vite do të ishte përmbyllja e kapitullit me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje.
“Suksesi më i madh i Kosovës në këto 11 vite është shpallja, njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës. Ekzistenca jonë si shtet. Askush nuk mund ta ndalë rrjedhën e historisë. Ne jemi shtet dhe çdoherë do të mbesim shtet i pavarur sovran. Besoj që një kulturë politike e mosdorëzimit dhe e vendosmërisë duhet të përcillet më tutje edhe në politikën e jashtme she shtetin e Kosovës. Jam i sigurt që në 2019 nëse arrijmë ta përmbyllim kapitullin e vështirë dhe të raporteve tragjike me Serbinë përmes një marrëveshje paqeje, përmes njohjes së ndërsjellë do të ishte arritja më e madhe që ka Kosova”, ka thënë Hoxhaj.
E sa i përket partneritetit të Kosovës me SHBA, dhe ndonjë mundësie të humbjes së këtij partneriteti për shkak të vendosjes së taksës, Hoxha ka thënë se Kosova duhet të jetë e përgjegjshme në vendimet që i merr.
“Mendoj që partneriteti me SHBA-në është i shenjtë dhe ne nuk do të lejojmë asnjëherë që ky partneritet të lëndohet. Natyrisht që do të jemi të përgjegjshëm me vendimet tona”, ka deklaruar ai./V.Berisha/arbresh.info
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida
Grenell pritet të emërohet i dërguar special për konfliktin ...
McKee: Nuk pres që ShBA-ja të ndryshojë qasje ndaj Kosovës
Hamza: Buxheti i shtetit duhet të rritet si rezultat i rritj...
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë