Liberalizimi i vizave për Kosovën do të vazhdojë të jetë sfidë për institucionet e vendit edhe gjatë këtij viti. Edhe pse udhëheqësit qeveritarë premtuan se vizat do të hiqen brenda 2018-ës, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Mirëpo, të njëjtit në fillim të vitit të ri, morën edhe një këshillë ndërkombëtare, që të kursehen nga premtimet për këtë proces, pasi ende nuk ka datë të saktë se kur kosovarët mund të lëvizin lirshëm në shtetet e zonës Schengen.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në një prononcim për Telegrafin ka thënë se deri më sot, nga BE-ja nuk është vendosur asnjë kriter shtesë për Kosovën, si kusht për heqjen e vizave.
“Deri më sot, në asnjë nga takimet e mia, bashkëbisedimet dhe diskutimet, me zyrtarët më të lartë të BE-së, me asnjë nga qasjet e mia ndërkombëtare edhe në kuadër të funksionit dhe mandatit, edhe me njohjet e mira në BE, Kosova nuk e ka asnjë kusht shtesë, jashtë atyre 95 nga udhërrëfyesi të cilat i kemi plotësuar plotësisht. Madje, as që kam pasur ndonjë paralajmërim për shtim të kushteve për liberalizim, kur dihet se Kosova kishte më shumë kushte se çdo shtet nga rajoni dhe më gjerë për lëvizjen e lirë”, ka thënë Hoxha.
E pyetur se sa janë gjasat që liberalizimi i vizave të ndodhë brenda këtij viti, ministrja Hoxha ka thënë se një gjë e tillë nuk varet nga Kosova, por nga shtet anëtare të BE-së.
“Ne nuk mund të parashikojmë agjendën e shteteve veç e veç, përgjegjëse në Këshillin e Ministrave për liberalizim, por një gjë e dimë se vendimi i këtyre shteteve në asnjë rast nuk varet nga Kosova, apo marrëveshjeve, të cilat Kosova ka qenë e ngarkuar t’i zbatojë. Hezitimi i vendeve të Këshillit të Ministrave janë të lidhura me proceset e brendshme të atyre vendeve , sepse në parim, migrimi është çështje tejet e ndjeshme politike, çështje elektorale madje edhe strategjike në ato vende. Kur dihet kjo, pikërisht migrimi, i cili si fenomen Kosovën e përjashton nga prishja e imazhit tonë, ka ndikuar në politikat e brendshme madje edhe në rezultatet zgjedhore në ato vende”, theksoi Hoxha.
Ajo shtoi se Kosova në asnjë rast nuk përbën rrezik për migrim ilegal në BE, por rrethanat e brendshme të emigrimit ilegal nga kontinentet e tjera në vendet e BE-së, kanë nxitur reagime.
“Kjo ka ndikuar në fuqizimin e faktorëve politikë kundër migrimit dhe këto vende rezervohen të theksojnë çështje të cilat shkojnë në dëm të tyre për politikat e tyre të brendshme. Gjithashtu duhet të kemi parasysh edhe zgjedhjet në Parlamentin Evropian”, tha Hoxha.
Duhet kujtuar se procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012. Kosova ka pasur për detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian.
Një rekomandim të tillë, Komisioni Evropian e ka bërë në korrik të vitit 2018, ndërkaq në shtator të po këtij viti, Parlamenti Evropian votoi në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në muajin dhjetor të 2018-ës, Këshilli i Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, japin vlerësimet e tyre, nuk e kanë futur fare në agjendën e takimit të tyre çështjen liberalizimit vizave për Kosovën.
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka përmendur vitin 2020, si kohën më optimale kur Kosova do të mund sërish të pres një vendim eventual pozitiv për liberalizimin e vizave.
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës