Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje ndaj ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me rastin e përfundimit të mandatit dhe pensionimit të tij.
Në një ceremoni simbolike, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, së bashku me stafin ekzekutiv, i dorëzoi ambasadorit një flamur të palosur të Policisë së Kosovës, një certifikatë mirënjohjeje dhe një shenjë të Policisë me gravurën “Jeffrey Hovenier 007”.
Në certifikatën e mirënjohjes theksohet kontributi i jashtëzakonshëm i ambasadorit Hovenier për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, si dhe për përkushtimin në avancimin e shkathtësive dhe zhvillimin e kësaj agjencie.
Policia vlerësoi gjithashtu rolin e tij në promovimin e sundimit të ligjit dhe parimeve demokratike, duke e cilësuar atë si një trashëgimi të përhershme.
“Përkushtimi juaj i jashtëzakonshëm ndaj zhvillimit të Policisë së Kosovës dhe avokimi juaj për një forcë policore shumë-etnike e plotësisht të integruar janë thelbësore për vizionin tonë të përbashkët. Prania juaj fizike do të mungojë, por trashëgimia juaj do të mbetet përherë,” thuhet në deklaratën e Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, njoftoi sot se pas përfundimit të shërbimit diplomatik në Kosovë, do të pensionohet.
Hovenier tha se ishte nderi i karrierës së tij të shërbejë në Kosovë.
”Unë do të pensionohem nga shërbimi federal, pas 34 vitesh e shtatë muajsh, në fund të dhjetorit. Ishte nder dhe krenari për mua të punoj në Kosovë. Po ashtu ishte nderi i karrierës sime të punoj me ju në shumë mënyra, të ndihmoj në avancimin e asaj që tashmë keni arritur dhe po e konsolidoni – një Kosovë e pavarur, sovrane multietnike dhe demokratike, një demokraci e suksesshme”, tha Hovenier ditën e dytë të edicionit të tetë të Konferencës për Integritet të Informacionit DISICON. /Arbresh.info/
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Parashikimi i motit në Shqipëri
Giro d’Italia në Shqipëri/ Rama: Lajmi është publikuar në 70...
Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
Nuk ka pritje në pikat kufitare të Republikës së Kosovës
Zbulohen dy objektivat e Real Madridit për stinorin e ri