Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, nëpërmjet një deklarate, ka shprehur shqetësimin për mosmiratimin e tri projektligjeve, në seancën e djeshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke ftuar grupet parlamentare për unitet dhe votim të tyre, të hënën.
Ministrja Hoxha, në Deklaratë, thekson se “miratimi i këtyre tri ligjeve në fillim të javës së ardhme, mundëson aplikimin për projektet që nga 1 shtatori. Në rastin më të keq, shtyrja e tri projektligjeve për miratim në shtator, pamundëson aplikimin në fonde me vlerë mbi 80 milion euro, gjatë vitit 2018. Interesi i qytetarëve është i qartë, miratimi i ligjeve, publikimi në gazetën zyrtare dhe qasja në fonde, nga 1 Shtatori. Ndryshe, procesi pëson dëme të rënda, të shkaktuara nga egot e partive politike. Këtë më së paku e meritojnë qytetarët e Republikës së Kosovës”.
Ja Deklarata e plotë e Ministres Hoxha:
“Deklaratë
Me këtë deklaratë, shpreh shqetësimin e thellë për mosmiratimin e tri projektligjeve shumë të rëndësishme, në seancën e djeshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Tri ligje, të rëndësisë së veçantë, përkundër miratimeve paraprake nga të gjitha partitë politike, nuk arritën t’i bashkojnë ato sërish për interesin madhor, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Për fat të keq, e enjtja, ishte një ditë e rëndë, ditë e ndalimit të një procesi, i cili ishte, është dhe mbetet prioritet nacional, interesat partiake u vunë mbi interesin e qytetarit.
Tri marrëveshjet ndërkombëtare të propozuara dje për miratim, janë të lidhura ngushtë me procesin integrues, duke e ngritur kapacitetin institucional për sfidën integruese, e lidhur ngushtë me afatet kohore të cilat do të kishin efekt të menjëhershëm, posa të publikoheshin në Gazetën zyrtare. Qasja e institucioneve tona, organizatave dhe qytetarëve tanë, në fonde të bashkimit Evropian, tejkalojnë vlerën 80 milion euro.
Projektligji për marrëveshjen financiare IPA 2017, pjesa e parë, përfshin 11 projekte ku Kosova do të përfitonte 48 milion euro, Programi “Evropa për qytetarët”, përmban 187 milion euro fonde që promovojnë qytetarinë aktive evropiane dhe si fokus ka autoritetet lokale, organizatat hulumtuese të politikave, grupet e qytetarëve dhe organizatat e shoqërisë civile si dhe “ERASMUS+”, Programi për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport, kapin vlerën gjithsejtë 300 milion euro.
Partitë politike dhe grupet parlamentare, kanë mandat për të përshpejtuar procesin integrues. Qytetarët e Republikës së Kosovës meritojnë të kenë qasje të plotë në fondet, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt që procesi i pandalshëm i integrimit me vlerat evropiane, të kryhet sa më parë.
Përtej çdo ndarjeje, qytetarët e Kosovës, presin nga pozita dhe opozita lehtësimin maksimal të procesit integrues, duke siguruar fonde për ekonominë tonë, për arsimin tonë, për projektet infrastrukturore tona, për shëndetësinë tonë, për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe çdo fushë të jetës, që vendin tonë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, i bën të barabartë me qytetarët e BE-së.
Ftoj grupet parlamentare pa dallim partie, të kenë reflektim pozitiv ndaj pozicioneve të paraqitura në Seancën e kaluar plenare. Nuk mund të imagjinojmë, pse duhet të shkaktohet ky dëm ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës nga kushdo qoftë.
Miratimi i këtyre tri ligjeve në fillim të javës së ardhme, mundëson aplikimin për projektet që nga 1 shtatori. Në rastin më të keq, shtyrja e tri projektligjeve për miratim në shtator, pamundëson aplikimin në fonde me vlerë mbi 80 milion euro, gjatë vitit 2018. Interesi i qytetarëve është i qartë, miratimi i ligjeve, publikimi në gazetën zyrtare dhe qasja në fonde, nga 1 Shtatori. Ndryshe, procesi pëson dëme të rënda, të shkaktuara nga egot e partive politike.
Këtë më së paku e meritojnë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale