Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë sot në konferencë për media se afera e re e përgjimeve që dëshmon vjedhjen e qeverisë në rezervat shtetërore, është hajni e paprecedent që e ka instaluar pikërisht qeveria e Albin Kurtit.
“Keqpërdorimi me rezervat shtetërore, është një nga skandalet korruptive që cenojnë jo veç rezervat, por edhe integritetin e përgjithshëm të institucioneve publike”, tha deputetja Hoxha.
Për këto abuzime e afera korruptive në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ajo i bëri ftesë organeve të drejtësisë që të marrin masa të menjëhershme, së pari për të ndalë abuzimin e mëtejmë që mund të jetë duke ndodhur edhe tani dhe për të vendosur para përgjegjësisë të gjithë personat e përfshirë në këtë skandal korruptiv, në qendër të së cilit qëndron ministrja Rozeta Hajdari.
Hoxha rikujtoi se PDK tash e 6 muaj me radhë e ka ngritur shqetësimin e saj në raport me rezervat shtetërore dhe dyshimet e bazuara për keqpërdorime, si në rezervat e grurit dhe sot kur po flasim edhe për rezervat e vajit.
“Rozeta Hajdari, është një ministre e paaftë, e cila për dy vite e gjysmë, jo vetëm që nuk ka pasur kurrfarë rezultati, por ka qenë protagoniste e skandaleve të njëpasnjëshme. Po ju përkujtoj që Rozeta Hajdari është ministre e dënuar dhe me aktakuzë për dy çështje të ndryshme. Dhe si duket kjo nuk i mjafton dhe tashmë e shohim teksa zhytet edhe më thellë në afera korruptive”, tha Hoxha.
Ajo tha se përgjimet e publikuara nga mediat, dëshmojnë për negociatat e qeverisë së Albin Kurtit me palë të treta, për kompani fiktive e me llogari bankare fiktive. Dhe mbi të gjitha, për pagesën e vajit, i cili nuk ka arritur kurrë në Kosovë.
Hoxha tha se ministrja Rozeta Hajdari si instrument i Kryeministrit Albin Kurti, veproi njësoj edhe duke ia revokuar licencën Klan Kosovës, që është njëri prej mediumeve më të mëdha në vend, i ngritur me mundin e qindra gazetarëve dhe punëtorëve të gjerë, të cilët, për vite me radhë kanë dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në informimin e qytetarëve tanë.
“Ky veprim i paprecedent, përbën një akt autoritar që ndodhë në një shoqëri demokratike, dhe shpërfaq zellin e madh që ka Albin Kurti dhe qeveria e tij kundër mediave dhe fjalës së lirë. Me këtë veprim, kryeministri Albin ia ka vënë një njollë të errët Republikës së Kosovës dhe rendit tonë demokratik, të cilin e kemi aspiruar dhe e duam në mesin tonë”, tha Hoxha.
Mbyllja arbitrare e një mediumi që nxiti reagime të shumta vendore e ndërkombëtare, sipas deputetes Hoxha jo vetëm që nuk mund të arsyetohet, por përbën një kërcenim të hapur për sistemin e vlerave demokratike dhe është i pa pranueshëm.
“Prandaj, për Partinë Demokratike zgjedhjet janë të pashmangshme dhe duhet të ndodhin sa më parë në mënyrë që Kosova të rikthehet në profilin e saj si një shtet i ri e plot shpresë dhe me orientim të qartë e zhvillim shoqëror dhe ekonomik e demokratik”, tha Hoxha./Arbresh.info/
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...
Gjykata Kushtetuese merr vendim për Berishën
Pacolli të shtunën takim humanitar në Gjermani
Mbappe nuk do të jetë më kapiten i Francës? – gazeta L’Equip...