Hoxha: Investimet më të mëdha në komunat e veriut janë bërë në qeverisjen e PDK-së

13:53 | 2 Nëntor 2020
Arditë Shkodra

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha ka thënë se investimet më të mëdha në komunat e veriut të Kosovës janë bërë në kohën kur ka qeverisur partia e tij.

Në seancën plenare ku po zhvillohet debati parlamentar për banorët shqiptarë në atë pjesë, deputeti opozitar ka kërkuar nga qeveria që sigurojë buxhet shtesë për banorët shqiptarë në veri.

“Investimet më të mëdha në komunat e veriut të Kosovës janë bërë në kohën kur ka qeverisur nga PDK-ja. Për korrektësi për qytetarët, po jap disa shifra konkrete gjatë viteve 2008-2012 janë rindërtuar 77 shtëpi në vlerë prej 2,3 milionë euro. Po ashtu, gjatë kohës sa ka qeverisur PDK-ja janë investuar 8.6 milionë euro në komunat e veriut të Kosovës, kryesisht në përmirësimin e infrastrukturës, rregullimin e rrjetit të kanalizimit, ndriçimit publik dhe rrjetin e ujësjellësit. Të gjitha këto investime janë faktorë motivues për qytetarët që t’iu kthehen pronat e tyre që i kanë krijuar me mund e ndjerës”, tha ai.

Krahas kësaj, ai kritikoi qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti, si dhe atë të ish kryeministrit Albin Kurti, siç tha për shkak se i kanë lënë në mëshirë të fatit.

“Qeveritë e tjera nuk janë treguar korrekt me këta qytetarë. Po e përmend qeverinë e Albin Kurtit dhe qeverinë e Avdullah Hotit, të cilat qytetarët shqiptarë në kohën e pandemisë i lanë në mëshirë të fatit. Mbetet pa përkrahje shtetërore dhe për më keq mbeten të izoluar dhe atë izolim e patën me vendim të qeverisë së Serbisë…duke marrë për bazë sa është e rëndësishme dhe mbështetja institucionale për banorët shqiptarë që jetojnë në veri të vendit. Kërkoj nga qeveria që të sigurojë buxhet shtesë dhe krijojë strategji konkrete që siguron qëndrimin e banorëve shqiptarë në veri, si dhe kthimin e gjithë shqiptarëve në pronat e tyre”, tha ai.

Seanca po vazhdon ku po zhvillohet debati parlamentar për banorët shqiptarë në veri të Mitrovicës.

Të ngjashme