Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot, ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët në të cilën është prezantuar Raporti vjetor i Fondit për të Drejtën humanitare, me titull: “Koha kalon, drejtësia për krimet e luftës zbehet”, të mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori O’Connell.
Ministrja Hoxha ka falënderuar të gjithë ata të cilët kontribuuan në hartimin e raportit i cili padyshim se do të ndihmojë Institucionet e Kosovës në luftën e tyre kundër kriminalitetit në përgjithësi, e veçanërisht në luftën kundër krimeve të motivuara etnikisht dhe politikisht si dhe në trajtimin e krimeve të luftës.
“Të flasësh për këto krime është ndër temat më të vështira për secilin prej nesh, sepse dëmet që shkaktuan këto krime, duke filluar nga vuajtjet e viktimave, na prekin të gjithë neve si përgjegjës të institucioneve që udhëheqim, por para së gjithash si njerëz. Si njerëz na takon që të solidarizohemi me ata dhe t’ju ndihmojmë përmes përkrahjes morale, familjare dhe shoqërore. T’ju ndihmojmë që të jenë të integruar në shoqëri dhe të mos ndihen vetëm. Si institucione na takon që të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme që t’i mbrojmë me ligj”, theksoi ministrja Hoxha.
Sa i përket krimeve të luftës, theksoi Ministrja Hoxha, është e dhimbshme për të gjithë neve që edhe pas 18 vitesh nga mbarimi i luftës, nenave, baballarëve, motrave, vëllezërve, bashkëshortëve e fëmijëve u mungon e vërteta. Prandaj, duhet të japim përgjigje në pyetjet që sjellin të vërtetën.
“E vërteta është më e pakta që duhet ta kenë në këtë dhimbje: çka dhe pse ndodhi? Si humbёn ata qё humbёn? Ku mbetёn familjarёt e tyre? Si do t’ia bёjnё pёr tё ecur pёrpara? A do të ndëshkohet dikush që vrau pamëshirshëm familjarin e tyre vetëm sepse fliste gjuhën tjetër, i përkiste kombit tjetër?”, theksoi Ministrja Hoxha.Nuk thuhet kot se Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, shtoi Ministrja Hoxha, andaj të punojmë të gjithë së bashku që të mos iu mohohet drejtësia viktimave të këtyre krimeve dhe ftoi institucionet e gjyqësisë të kryejnë punën e vet me prioritet të veçantë për dënimin e autorëve të krimeve të luftës të kryera në Kosovë.
Ambasadori britanik Ruari O’Connell ofroi mbështetjen e mëtejme për këtë çështje të ndjeshme dhe lavdëroi punën e bërë nga Ministrja Hoxha. Ai vuri në pah gatishmërinë e përkrahjes për shkak të mungesës së përvojës së gjyqësisë së Kosovës lidhur me këtë fushë duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm që duhet të bëhet nga institucionet vendore në këtë drejtim.
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër